EKSKLUZIVE/ “Pas Europës jam futbollist i lirë, djali do bëhet sulmues”, kapiteni i Laçit: Në Rumani shkojmë për… luftë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 25, 2021 | 17:11

EKSKLUZIVE/ “Pas Europës jam futbollist i lirë, djali do bëhet sulmues”, kapiteni i Laçit: Në Rumani shkojmë për… luftë

Laçi fitoi ndeshjen e parë ndaj Universi tatea Kraiovas, e zhvilluar në “Elbasan Arena” duke bërë një hap të rëndësishëm, që mund të jetë i artë për kalimin në turin e tretë të Konferencë Ligës.

ign

Kapiteni i kurbinasve, pjesë e Laçit prej dy sezonesh, Aleksandar Ignjatoviç, për “Panorama Sport” ka treguar emocionet e triumfit ndaj rumunëve, objektivin dhe pritshmëritë për ndeshjen e kthimit. Për qendërmbrojtësin serb, anës fushës së blertë, në “Elbasn Arena” ka qenë edhe një njeri special në jetën e tij. Ignjatoviç, një fitore spektakolare e Laçit ndaj Univesritatea Kraiovës.

Si ishte ky takim?

Ishte një ndeshje shumë e vështirë. Në fakt, siç edhe ne e prisnim të ndodhte. Kraiova është një skuadër e shkëlqyer, me lojtarë cilësorë, por që nga minuta e parë ne kishim besim të plotë për të bërë atë që dimë. Besuam se mund të luanim ndeshje të nivelit të lartë dhe e bëmë.

Zhgënjim në kampin rumun dhe entuziazëm te ju. Në fakt, ishte një rezultat i papritur edhe për vetë ju apo jo?

Kur ke përballë skuadra të një niveli të tillë, e vetmja gjë që mendon të bësh para nisjes apo edhe gjatë saj, është që të jesh i përqendruar në çdo moment dhe të bësh më të mirën e mundshme. E përsëris, Kraiova është një klub i madh, me një buxhet të madh dhe me futbollistë të shkëlqyer.

Si ia doli Laçi?

Ne e nisëm ndeshjen në mënyrën e duhur, me guxim dhe fituam, që është edhe më e rëndësishmja. Tani të pushojmë sa duhet dhe më pas të mendojmë për ndeshjen e kthimit në Rumani.

Çfarë prisni nga ndeshja e kthimit në Rumani?

Unë pres që ta kalojmë turin. Ne nuk do të shkojmë në Rumani për turizëm, por do të shkojmë që të luftojmë dhe të kalojmë më tej. Për ne, dorëzimi nuk është asnjëherë një opsion, thjesht të përgatitemi dhe të bëjmë maksimumin.

A ka diçka së cilës i druheni më së shumti për këtë transfertë?

Nuk ka vend për frikë! Sigurisht, ne e dimë që ata janë shumë të rrezikshëm në çdo repart të skuadrës. Prandaj, duhet të shkojmë atje dhe të luajmë me të njëjtën forcë. Me shpresën që do të kualifikohemi.

Laçi ka pësuar shumë ndryshime dhe janë larguar mjaft futbollistë. Cili është sekreti që kaluat në turin e parë dhe jeni sërish pretendentë edhe për të kaluar të dytin? 

Kemi mentalitetin që nuk duhet të dorëzohemi asnjëherë dhe përpara askujt. Futbolli nuk është një sport individual, por kolektiv dhe rëndësi ka grupi. Kemi bërë më të mirën në fushë dhe Zoti na e dha shpërblimin. Unë personalisht përpiqem që të ndaj eksperiencën që kam fituar me futbollistët e rinj, mbi të gjitha edhe për t’i bindur ata që nëse e besojnë dhe punojnë për ta arritur diçka, mund t’ia dalin mbanë.

Cila do të jetë e ardhmja juaj?

Unë kam arritur akord me klubin që pas Europës, ne do të ulemi dhe do të diskutojmë për të ardhmen. Momentalisht jam një futbollist i lirë. Mirëpo, unë pa diskutuar më parë me Laçin, nuk marr asnjë vendim. Nëse do të biem dakord, do të qëndroj sërish.

Në Elbasan, në pistën e tartanit ishte një njeri special për ju. Djali juaj si kapës topash, ishte zgjedhja juaj?

Ai është gjithmonë me mua kur vjen në Shqipëri. Ndjek çdo ndeshje timen. Më shoqëron kudo. Më vjen shumë mirë që të gjithë e kanë mikpritur atë me shumë kujdes dhe kjo do të thotë shumë për mua.

Do të jetë një Ignjatoviç JR sërish mbrojtës, si babai?

(Qesh…) Jo, ai do të bëhet sulmues.

OLSI TUJANI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"