EKSKLUZIVE/ Partizanit i prishen planet në Slloveni, Mehmeti me 4 mungesa për shkak të… vizave

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 17, 2022 | 14:52

EKSKLUZIVE/ Partizanit i prishen planet në Slloveni, Mehmeti me 4 mungesa për shkak të… vizave

Partizani kreu ditën e djeshme stërvitjen e parë të fazës përgatitore që po zhvillojnë në Slloveni. Klubi publikoi edhe pamjet e para nga seanca, duke u kujdesur të mos shfaqë lojtarë të cilët ende nuk kanë firmosur me ekipin e kuq. I vetmi që i kishte shpëtuar klubit të kuq ishte Romero, i cili duket në sfondin e një fotoje ku në plan të parë është Xhuliano Skuka.

PARTIZANI 1

Një tjetër lojtar i pakonfirmuar që ndodhet në seancën stërvitore është Bekim Rexhepi. Ish-portieri i Skënderbeut është bashkuar me ekipin e ri dhe pritet vetëm një procedurë në dokumentacion për t’u zyrtarizuar si lojtar i Partizanit.

Ditën e nesërme, Partizani do të kryejë ndeshjen e parë miqësore në tokën sllovene. Djemtë e Mehmetit në orën 17:00 të së shtunës do të sfidojnë NS Mura, një nga ekipet më me emër në Slloveni.

VIZAT – Lojtarët afrikanë janë shndërruar herë pas here në një telash për planet e klubeve tona, veçanërisht pas nisjes së pandemisë në vitin 2020.

“Panorama Sport” ka mësuar nga burime pranë klubit se plot katër lojtarë e kanë pasur momentalisht të pamundur t’i bashkohen pjesës tjetër të skuadrës në fazën përgatitore që po zhvillohet në Slloveni dhe që është kyçi për manovrën e ekipit në ndeshjet e Ligës së Konferencës, por edhe të sezonit të ri në kompeticionet vendëse.

Kështu, për shkak se nuk kanë mundur të marrin vizat për në Slloveni, në Tiranë kanë mbetur Maget, Sembene dhe Bintsuka, sulmuesi i afruar në ditët e para të merkatos, pas marrëveshjes që “demat” kishin arritur me të në muajin janar.

maget

 

sembene bintsuka

Ndërkohë, Matondo ndodhet ende në Kongo, pasi nuk ka mundur të pajiset me dokumentacionin e nevojshëm. Ndryshe nga tre të lartpërmendurit, mesfushori titullar nuk ka as shansin të stërvitet me ekipin U-21, pasi ndodhet në atdhe, ku ishte kthyer për pushime.

matondo

PRISHJA E PLANEVE – Matondo është pa dyshim humbja më e madhe e trajnerit Mehmeti në këto ditë të para të fazës përgatitore. Kongolezi i ardhur në merkaton e janarit është shndërruar menjëherë në një lojtar të rëndësishëm në manovrën e “demave” dhe bashkë me Rrapajn cilësohet si titullar i padiskutueshëm.

Mungesa e tij në stërvitje është pa dyshim një mangësi në zbatimin e planit të stafit teknik në stërvitje. Megjithëse nuk është titullar, gjithashtu i rëndësishëm është Maget, i cili është lojtar i përdorur herë pas here nga Mehmeti në mesfushë.

Nga ana tjetër, Sembene është një alternativë e vlefshme, përderisa nuk ka afrime konkrete në mbrojtje, ndërsa Bintsukës i vonohet akoma më shumë ambientimi me skuadrën.

DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"