EKSKLUZIVE/ “Partizanit i duhej ndryshimi”, analiza e Halilit: Tirana të mos përsërisë Vllazninë, ja si del kampion

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 20, 2022 | 21:15

EKSKLUZIVE/ “Partizanit i duhej ndryshimi”, analiza e Halilit: Tirana të mos përsërisë Vllazninë, ja si del kampion

Mahir Halili i përket grupit të futbollistëve që ka veshur fanellat e të tria klubeve të kryeqytetit, por sukseset i ka pasur me Tiranën. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, analizon sezonin aktual, ku sipas tij, Tirana është në rrugën e duhur për kampion.

Mahir Halili

Por, që të realizohet kjo gjë, Halili i bën thirrje Tiranës që të mos bëjë gabimet e Vllaznisë së edicionit të shkuar, ndaj ekipi duhet t’i thërrasë mendjes dhe të ecë me hap kampioni duke eliminuar luhatjet, siç i ndodhi së fundmi ndaj shkodranëve.

Ish-sulmuesi analizon edhe situatat në kampin dinamovit dhe atë të kuq, si dhe jep mendimin e tij për derbin e së hënës mes Dinamos dhe Tiranës. Në fund, Mahir Halili bën edhe një prognozë të skuadrave për trofetë sezonalë.

Mahir, a e keni ndjekur Kategorinë Superiore këtë sezon, duke qenë se prej vitesh jeni pozicionuar në fusha të tjera?

E kam ndjekur në përgjithësi, kryesisht kur kam kohën e lirë, por jam i informuar për ecurinë, ku Tirana kryeson me meritë kampionatin dhe rikthimi i Dinamos i ka dhënë bukuri Superiores.

Si ju është dukur Tirana deri tani?

Tirana e mbylli shumë mirë pjesën e parë duke dominuar, por e nisi 2022- shin me një barazim me Vllazninë. Tirana duhet të mendojë që të mos lërë pikë, nëse dëshiron me të vërtetë të dalë kampion. Ekipi duhet të ruajë ecurinë e fillimit e të mos lërë rivalët t’i afrohen, se përndryshe do ta ketë shumë të vështirë në vijim.

Paraqitja me Vllazninë mund të quhet shqetësuese apo e shikoni si luhatje të  momentit?

Për mua është thjesht një moment jo i mirë, që mund ta kalojë çdo ekip në ndeshje të veçanta. Nuk e quaj problem të madh, por duhet punuar që të mos bëhet i tillë. Besoj se trajneri Orges Shehi do të dijë si ta rregullojë situatën dhe ta vendosë ekipin në binarë, që të mos bëjë më gabimet si ndaj Vllaznisë.

Të hënën luhet derbi mes dy skuadrave që ju keni kontribuar, Dinamo-Tirana. Si e shikon Mahir Halili këtë përballje?

Tirana vjen si kryesuese, ndërsa Dinamo nuk i ka pasur pozitat të mira në pjesën e parë, por suksesi i fundit është një sinjal i mirë.

Më e predispozuar për ta fituar derbin është Tirana, por në takime të tilla nuk mund të bësh parashikime, pasi historia ka treguar se kur ndeshen rivalët e kryeqytetit, çdo gjë mund të ndodhë. Dinamo vjen e motivuar pas fitores me Kukësin, plus që ka afruar tani lojtarë ekspertë të Superiores.

Për mua një lëvizje e zgjuar e dinamovitëve është afrimi i Bledar Devollit në staf. Ai është trajner i mirë dhe i ka rregulluar skuadrat kudo që ka shkuar, pa i hequr vlerat Bledi Shkëmbit.

Flas më shumë dhe me siguri për Devollin pasi e njoh më mirë si shok skuadre. Për këto arsye Tirana do ta ketë vështirë, aq më shumë që bardhebluve u duhet të reagojnë pas paraqitjes jo të mirë ndaj Vllaznisë.

A i ka mundësitë dhe si del Tirana kampione?

Tiranën e shikoj ekip të kompletuar dhe këtë e tregon renditja dhe luhatjet e pakta që kanë pasur. Tirana i ka gjithmonë mundësitë për kampione, jo më tani që është kryesuese. E vetmja gjë që kërkohet nga bardheblutë tani është që të ruajnë vazhdimësinë dhe të mos përsërisin situatën e Vllaznisë së sezonit të shkuar, ku edhe pse pati diferencë të madhe me ndjekësit, u dha mundësi afrimi dhe parakalimi. Gabime do të ketë gjithnjë gjatë rrugës, por po u bënë të shpeshta, atëherë diferenca zhvlerësohet.

halili

Tiranën e shikoj edhe me fat, ku këtë javë ndonëse nuk bëri paraqitje të mirë, ndjekësit gabuan dhe arriti ta thellonte distancën edhe kur nuk luajti mirë. Vazhdimësia e Tiranës duhet të nisë që këtë javë nga Dinamoja. Nuk duhet të bëjë gabime, pasi me afrimin e ndjekësve shtohet presioni dhe vështirësia. Tani ekipi i drejtuar nga Orges Shehi duhet të ecë me mend në kokë dhe të vazhdojë me hapa kampioni deri në fund.

E prekët më lart rikthimin e Dinamos. Si ish-dinamovit, cila është dëshira apo këshilla juaj për blutë në këtë sezon?

Dinamo i ka munguar shumë Superiores dhe ndikimi ka të bëjë me shtimin e derbeve të kryeqytetit, që i japin bukuri dhe rivalitet kampionatit. Dinamos i uroj që të hedhë hapa të fortë në këtë sezon, ku një nga këta ishte edhe suksesi i fundit ndaj Kukësit. Për mua Dinamo duhet t’i bëjë hyzmetin këtë vit sigurimit të mbijetesës.

Mos ndoshta fillimi i sezonit ku u synua titulli e shtoi presion te Dinamoja?

Për mua Dinamo këtë vit duhet t’i shpëtojë rënies nga kategoria, pasi kemi të bëjmë me një ekip që vjen në elitë pas një mungese të gjatë. Me realizimin e këtij hapi të parë, në vijim klubi duhet të kthehet te tradita dhe të rivalizojë për trofe. Nëse Dinamo do të jetë e qetë, duhet që të mendojë vetëm për mbijetesën, pasi vetë pozitat nuk kanë qenë të mira deri tani.

Po për Partizanin, tjetër klub ku keni luajtur, keni ndonjë koment?

Partizani pas fitores së fundit me Egnatian e shikoj në përmirësim. Trajneri i ri e tregoi veten se e ka mbledhur ekipin.

Pra, largimi i trajnerit Daja dha direkt efekt pozitiv?

Dha efekt, por nuk mund të thuash se Daja është trajner i keq, pasi ai e ka treguar veten duke fituar trofe dhe bërë histori në Europë. Kam qenë vetë futbollist dhe kur një trajner bëhej gjatë në ekip apo gjërat nuk ecnin si duhet, edhe lojtarët nisin e mërziten. Ndaj, ndryshimi në raste të tilla e bën punën e vet.

Titullin kampion a e shikoni si betejë të hapur mes disa ekipeve si në sezonin e shkuar?

Për mua do të kemi një luftë të hapur për kampion deri në javën e fundit, pak a shumë do të jetë e njëjta ecuri si vjet. Tirana, Kukësi, Vllaznia dhe Laçi për mua janë ata që do të luftojnë më së shumti. Ndërsa Partizani dhe Teuta kanë bërë shumë luhatje dhe e kanë të vështirë të rivalizojnë me këtë katërshe për titullin. Ndaj, këto dy ekipe dhe Dinamo më mirë të fokusohen te trofeu i Kupës.

ILIR CARA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"