EKSKLUZIVE/ Partizani tenton ish-lojtarin e Kukësit, të kuqtë duhet të fitojnë duelin me… Shkëndijën (E PLOTË)
Dorjan Kërçiku ësh të afrimi i vetëm te Partizani në këtë periudhë merkatoje dimërore. “Dua një qendërsulmues dhe një zëvendësues të Asanit”. Kjo është dëshira që trajneri Adolfo Sormani u ka shprehur drejtuesve të klubit për janarin. Klubi bëri 3 afrime në verë për majën e sulmit, por në pjesën e parë të kampionatit asnjëri prej tyre, Solomon, Braun dhe Ekuan, nuk kanë arritur që të lënë shenjë. Kështu që, gjetja e një bomberi mbetet prioritet për drejtuesit e kuq, pas afrimit të Kërçikut për krahun e djathtë të mbrojtjes.
Janari afron pak mundësi, por që të ketë efektivitet, duhet që përforcimi ta njohë futbollin shqiptar, që të mos e ketë të vështirë ambientimin. Alternativat brenda vendit janë thuajse zero, kështu që bomberi pritet të vijë nga jashtë. Si me porosi, në skenë për “demat” ka ndalë një sulmues i njohur në Superiore, pikërisht mozambikasi Arturo Rexhinaldo. 29- vjeçari e ka treguar veten në Shqipëri me Luftëtarin, Laçin dhe në sezonin shkuar me Kukësin.
Pas “divorcit” me verilindorët Rexhinaldo u transferua në Kazakistan te Shakhter Karagandi, por aventura e tij është mbyllur dhe ai është lojtar i lirë. Partizani po e ndjek me kujdes situatën e sulmuesit afrikan, i cili ka treguar se e njeh mirë portën. Madje, për të bindur 29-vjeçarin të kuqtë po për dorin edhe miq të Rexhinaldos dhe njëri prej tyre është në radhët e kampionëve, pikërisht Uilliam Melo.
Që në verë emri i Rexhinaldos u përfol se së bashku me brazilianin do të kalonin nga Kukësi te “demat”, por oferta që pati nga Kazakistani ishte më joshëse për mozambikasin. Por, për të krijuar vend për Rexhinaldon, duhet që klubi të sakrifikojë një mes 3 sulmuesve të huaj të cilët erdhën në verë, Solomon, Braun dhe Ekuban.
DUELI ME SHKËNDIJËN E TETOVËS
Partizani nuk është i vetëm në betejën për të përfituar shërbimet e Rexhinaldos, që vjet fitoi “Këpucën e Artë” si golashënuesi më i mirë i Superiores. Mediat nga Maqedonia e Veriut kanë raportuar së fundmi se në lojë për Arturo Rexhinaldon është edhe Shkëndija e Tetovës e drejtuar nga trajneri Ernest Gjoka, i cili i njeh cilësitë e tij.
Sulmuesi kërkon që të mos nxitohet, pasi do të shqyrtojë të gjitha ofertat dhe në fund do të vendosë. Sa i përket ofertës financiare, gjasat janë që Shkëndija të ofrojë më shumë se Partizani, por te “demat” mund të ketë më shumë mundësi aktivizimi dhe përshtatja do të ishte më e lehtë. Rexhinaldo i ka shënuar Partizanit me fanellën e Laçit dhe të Kukësit, por tani duket se “demat” kanë nevojë për golat e tij në portat kundërshtare.
ILIR CARA – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"