EKSKLUZIVE/ Partizani “prish” boshtin, ja shuma që përfitojnë “demat” nga shitja e Arinaldo Rrapajt

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 2, 2023 | 8:20

EKSKLUZIVE/ Partizani “prish” boshtin, ja shuma që përfitojnë “demat” nga shitja e Arinaldo Rrapajt

Eneo Bitri në mbrojtje, Arinaldo Rrapaj në mesfushë dhe Xhuliano Skuka në sulm. Partizani arkëton rreth 2 milionë euro, por ama “prish” boshtin e skuadrës që në janar. Dje në fundin e merkatos, nga klubi i kuq u konfirmua një tjetër shitje, pikërisht ajo e mesfushorit vlonjat, që bën një hap të madh në karrierën e tij.

RRAPAJ

Siç gazeta e ka raportuar kohë më parë, mesfushori po vëzhgohej prej disa muajsh nga klubet e Valerengës në Norvegji dhe ai i Ludogorets në Bullgari.

Kanë qenë pikërisht këta të fundit, që kanë operuar më shpejt dhe që janë bindur më shumë për të transferuar një nga talentet më të mirë të Kategorisë Superiore në tri sezonet e fundit.

Marrëveshja është kryer dhe Rrapaj do të udhëtojë së shpejti drejt Bullgarisë për vizitat mjekësore.

PRAPASKENAT – Klubi i Partizanit, pas largimeve të Skukës dhe Bitrit, pati vendosur për të mos bërë më shitje, edhe në rast se do të vinte një ofertë e mirë për Rrapajn.

Gjithsesi, ashtu si me mbrojtësin beratas, edhe në këtë rast ka qenë një klauzolë, që i ka bërë të kuqtë të ngrenë duart lart dhe të shohin teksa i largohet një tjetër “yll” i ekipit.

“Panorama Sport” mëson se Rrapaj ka pasur një klauzolë shitjeje prej 250 mijë eurosh në rast se vjen një ofertë nga një klub i huaj.

Pas një sezoni e gjysmë si titullar me fanellën e kuqe, më në fund ai ka arritur të ngjallë interes nga disa klube.

“Panorama Sport” mëson se në sfidën e fundit ndaj Egnatias, përfaqësues të Ludogorets kanë qenë të pranishëm në stadium për ta ndjekur nga afër.

Fati e deshi që Rrapaj të ishte në një nga ditët e tij më të mira në atë ndeshje dhe të bindte plotësisht bullgarët për ta blerë. Para dy ditësh ata kanë trokitur në derën e Partizanit dhe i kanë bërë me dije se janë gati të paguajnë klauzolën prej 250 mijë eurosh, ndërkohë që marrëveshja me lojtarin është gati dhe mungon vetëm firma.

Aktualisht Partizani është në pritje që shuma e dakordësuar të derdhet në bankë, përpara se t’i japë lejen e kalimit Rrapajt.

LAMTUMIRA – Ditën e djeshme vlonjati është prezantuar për herë të fundit në kampin stërvitor të Partizanit. Ai ka ardhur në të njëjtën orë me lojtarët e tjerë, por ndryshe nga shokët, 21-vjeçari nuk është stërvitur.

Ai është paraqitur për të marrë sendet e tij personale dhe për të plotësuar një pjesë të dokumentacionit. Me ikjen e tij, Partizani humbet shumë forcë, dinamikë, krijimtari dhe shpejtësi në skuadër.

Siç dihet, Rrapaj ka dalë nga akademia e Flamurtarit, para se të luante për Skënderbeun, teksa më pas trajneri Ilir Daja e mori te Partizani në fillim të sezonit të shkuar.

Ari, siç e thërrisnin te “demat”, i ngjiti shpejt hapat e karrierës në futbollin shqiptar dhe ishte pikërisht ky momenti për të bërë një tjetër hap akoma më të madh.

DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"