EKSKLUZIVE/ Partizani piketon fantazistin e Luftëtarit, nuk kursehen për 24-vjeçarin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 15, 2018 | 23:00

EKSKLUZIVE/ Partizani piketon fantazistin e Luftëtarit, nuk kursehen për 24-vjeçarin

Drejtuesit e Partizanit janë të prirë që në merkaton e verës të riparojnë gabimet e sezonit të shkuar në hyrje dhe në dalje. Ndonëse, merkatoja hapet zyrtarisht pas përfundimit të këtij edicioni, drejtuesit e klubit kryeqytetas prej kohësh e kanë nisur punën për ndërtimin e skuadrës së sezonit të ri. Te Partizani janë të detyruar që t’i nënshtrohen një revolucioni të radhës, që shpresohet të jetë i fundit dhe klubi të afrojë lojtarët e duhur për të realizuar ëndrrën çerekshekullore për fitimin titullit kampion.

Rroca

Sa i përket punës që po bëhet me merkaton, të kuqtë po mundohen të jenë sa më hermetikë, politikë e cila u ndoq edhe në janar, pasi disa nga prurjet erdhën pa i përmendur askush më parë. Gjithsesi, “Panorama Sport” ka arritur të mësojë një nga emrat e lakmuar nga drejtuesit për këtë merkato të verës. Eduart Rroca është një emër i lakuar edhe më parë në kampin e kuq, madje drejtori i përgjithshëm, Olsi Rama, që para 6 muajsh e përmendi emrin e 24-vjeçarit si një lojtar interesant.

Fantazisti i Luftëtarit ka bërë një paraqitje të mirë me bluzinjtë në dy sezonet e fundit, gjë e cila ia ka rritur shumë kreditet futbollistit nga Librazhdi. Partizani ka kohë që mbetet në kërkim të gjetjes së një futbollisti me tiparet e Rrocës dhe pas përfundimit të kampionatit thuhet se të kuqtë do të trokasin në dyert e Luftëtarit për të kërkuar shërbimet e 24- vjeçarit. Rroca ka edhe një vit kontratë me gjirokastritët, kështu që e vetmja mundësi për ta veshur të kuq, është që Partizani të joshë presidentin e Luftëtarit.

Rroca Luftetari

Klubi i kuq ka lënë të kuptojë se nuk do të kursehet në afrimin e elementëve cilësorë nga Superiorja, pikërisht lojtarë, të cilët mund të rriten më shumë në të mirë të interesave dhe objektivave të Partizanit. Shumë shpejt pritet të mësohet edhe kërkesë-oferta mes dy klubeve, po është përfolur se për Rrocën ka interes edhe nga jashtë Shqipërisë. Abazaj, Bregu dhe Rroca kanë qenë shumë pranë Partizanit para një viti, por plani italian i la jashtë, pasi u hapën dyert për disa lojtarë që erdhën për riciklim te “demat”.

ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"