EKSKLUZIVE/ “Partizani për titull, bojkoti është i dënueshëm”, Ilir Lame: Njerëzit janë ftohur me sportin. Daja, trajneri i duhur për të kuqtë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 22, 2020 | 18:18

EKSKLUZIVE/ “Partizani për titull, bojkoti është i dënueshëm”, Ilir Lame: Njerëzit janë ftohur me sportin. Daja, trajneri i duhur për të kuqtë

Ilir Lame, ish-mesfushori kampion i Partizanit dhe Kombëtares, është nderuar së fundmi nga presidenti Ilir Meta me titullin “Mjeshtër i Madh”. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” Lame e quan të vonuar vlerësimin e tij dhe pohon se sportistët kanë më shumë nevojë stimuj material sesa kartonë e teneqe. Bojkotin e futbollit ish-mesfushori i kuq e quan të dënueshëm, ndonëse kërkesat janë të drejta, por duhet që njerëzve t’u kthehet futbolli. Ai pohon dhe tregon arsyet se pse njerëzit janë ftohur me futbollin në Shqipëri. Sa i përket Partizanit, Lame është i mendimit se skuadra është për titull, pasi e ka grupin dhe ka gjetur trajnerin e duhur.
Ilir Lame Partizani
Si ndihet Ilir Lame si “Mjeshtër i Madh” pas dekorimit nga Presidenti i Republikës, Z.Ilir Meta?
Si do të ndjehem? Na është shtuar jeta dhe vitet(qesh). Ky vlerësim erdhi disi me vonesë, por siç thotë populli: Më mirë vonë se kurrë! Për sportistët duhet të kujtohen vetëm kur i afrohen moshës së pensionit, apo vlerësimi duhet më herët? Nuk e di si e kanë këta kujtesën? Për mua trajtimi i figurave të sportit, të artit apo çdo fushe duhet bërë, por janë lënë në harresë, pasi nuk kanë marrë atë që u takon. Gjithë atë kontribut që kanë dhënë për shoqërinë dhe kur vjen puna nuk shikohen dhe as vlerësohen. Keni marrë shumë vlerësime, trofe dhe tituj gjatë jetës suaj.

A keni ndonjë si më të veçantin?
Më e larta që kam marrë është kjo e fundit, “Mjeshtër i Madh”.

Nisur nga ajo që thatë, a duhet të ketë më shumë stimuj për sportistët?
Problemi është se duhet të ketë stimuj materialë për sportistët. Njerëzit nuk kanë nevojë vetëm për kartonë, letra apo teneqe.

Mos ndoshta edhe kjo lëvizja e fundit që ka sjellë bojkotin e futbollit në vend do të shtojë stimujt për sportistët në vazhdimësi?
Këtë lëvizje nuk e shikoj në këtë drejtim. Bojkoti është për të tjera gjëra, për ligjin e sponsorizimeve në sport që për mua është i domosdoshëm. Gjithsesi, po nuk u privatizuan klubet ky muhabet kështu do të shkojë në vendin tonë. Palët duhet të ulen e të gjejnë gjuhën e përbashkët, pasi me bojkot nuk arrihet gjë. Për mua është e dënueshme. Nuk ka bërë vaki në botë që të ndodhë kjo që bëjnë këta.
bojkoti
Bojkoti mund të lërë gjurmë duke larguar edhe interesin e tifozëve, pasi kemi pasur edhe një ndërprerje të konsiderueshme nga pandemia?
Nuk e di se ku i kanë ata interesat, por për mua është gjë e gabuar. Të rrish 7 javë pa luajtur është shumë. Shikoj opinion, ku njerëzit nuk e kanë mendjen te futbolli. Kanë ndikuar edhe situata që kemi kaluar, tërmeti, pandemia e me radhë. Sikur të mos mjaftonin këto, vjen edhe bojkoti. Njerëzit janë ftohur me sportin.

Pse janë ftohur me sportin?
Janë ato problemet që i kemi diskutuar edhe më herët, si: trukimet, shitje-blerjet e ndeshjeve, mungesa e besimit te gara etj, etj. Të gjitha këta kanë ndikuar. Njeriu shkon në stadium për t’u argëtuar dhe përjetuar emocione se nuk di si del ndeshja. Ndërsa kur e marr vesh sesi del ndeshje, ku është adrenalina? Është si një film që e ke parë njëherë dhe nuk ia vlen ta shikosh për herë të dytë. Pra, njerëzit janë ftohur, se në vendin tonë se nuk ka futboll të pastër.

Mesa mbani mend ka ndodhur më parë në futbollin tonë që të kemi një periudhë kaq të gjatë pa ndeshje zyrtare?
Nuk mbaj mend një gjë të tillë. Jo vetëm te ne, por besoj edhe në vende të tjera nuk kanë përjetuar situata të tilla me bojkot. Në fund të fundit kujt ia bën bojkotin? Fare e thjeshtë, mos luaj!

Me rifillimin e sezonit dhe kohën e pakët, mendoni se problematikat do të rriten për të gjithë faktorët e futbollit?
Padyshim që kjo periudhë shtyrjeje do të ndikojë në vazhdimin e sezonit, pasi mungojnë shtatë javë. Futbollin po e le një ditë, të lë një javë; po e le një javë, të lë një muaj; po e lë një muaj të lë një vit.
Partizani stervitje 3
Si e shikoni Partizanin e këtij sezoni?
Mbetja në fuqi e bllokimit të merkatos krijon probleme për Partizanin. Gjithsesi, grupi është. Kanë një grup të mirë lojtarësh. Është thuajse ai grup i sezonit të shkuar, ku janë kthyer edhe 3 lojtarë të huazuar. Kemi vetëm largimin e Trashit dhe Telushit. Pra, grupi është, plus kanë gjetur edhe njeriun e duhur për stolin. Ilir Daja është trajneri i duhur për Partizanin. Një trajner kampion, njeri me reputacion ndaj për mua duhet të jenë pretendentë. Kam parë edhe ekipet e tjera apo Partizanin në miqësore me Teutën, ku durrsakët nuk m’u dukën kushedi se çfarë. Edhe ekipet e tjera njëlloj janë, e njëjta gjendje gjithandej, ndonëse të tjerët kanë pasur mundësi për të bërë përforcime.

Besoni se shtyrja i ka vlejtur trajnerit për të përcjellë filozofinë e tij në ekip dhe për të përshtatur lojtarë në mbrojtje?
Pa dyshim që u ka vlejtur shtyrja në këtë aspekt. Ndaj Partizanin e shikoj pretendent, se ka grup dhe trajner. Tani u mbetet lojtarëve vetëm që të vrapojnë në fushë dhe të arrijnë synimet e klubit.

Në prezantimin e trajnerit të ri dhe më pas u pa një frikë në përmendjen e fjalës “titull”, ndërsa së fundmi kemi parë që edhe vetë Daja ka bindje se Partizani mund të luftojë për kampion. Çfarë ka ndryshuar?
Nuk është guxim, por realitet. Përveç skuadrës së tyre shikojnë edhe gjendjen e ekipeve të tjera. Kjo vjen edhe nga stërvitja që kanë bërë në vazhdimësi. Për mua Partizani po ia bën “hyzmetin” titullit.

ILIR CARA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"