EKSKLUZIVE/ “Partizani nuk krahasohet me Skënderbeun tim”, Rrëfimi i Mirel Josës: Ahmataj të bëjë kujdes te Tirana!

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Nëntor 12, 2019 | 22:32

Kategoria Superiore LAJMI KRYESOR Të fundit

EKSKLUZIVE/ “Partizani nuk krahasohet me Skënderbeun tim”, Rrëfimi i Mirel Josës: Ahmataj të bëjë kujdes te Tirana!

Mirel Josa prej dy muajsh është sh këputur nga trajningu, por assesi nga futbolli. Ndjek me kërshëri çdo ndeshje të futbollit tonë, por zemrën sigurisht e ka te Tirana. 

Mirel Josa

Dëshiron që ky vit jubilar të rikthejë titullin në shtëpinë e trofeve dhe mendon se shanset janë, në një kampionat ku diferencat janë minimale dhe milionat e investuara nuk të garantojnë suksesin. Partizani është me të vërtetë në krye, e megjithatë e sheh shumë larg Skënderbeut me të cilin fitoi 4 tituj. Te Kukësi sheh gjithashtu probleme dhe kryesisht në mbrojtje e mesfushë, ndërsa Julian Ahmataj e këshillon që të ketë kujdes. Këto edhe të tjera trajneri më i suksesshëm në Shqipëri i rrëfen në një intervistë të dhënë ekskluzivisht për “Panorama Sport”.

Pas 12 javësh të luajtura, si ju duket gara në këtë kampionat? 

Shoh rivalitet të plotë mes 10 ekipeve. Ato klube që kishin pretendime, nuk e kanë nisur fort mirë kampionatin. Kanë hedhur hapa falsë. Por ka të tjera që po surprizojnë. Siç është rasti i Bylisit, ka një ecuri realisht pozitive, përtej asaj humbjeje që pësoi në fund. Në kompleks, nuk shoh diferenca të mëdha. Jemi në një fazë ku nuk është se vlejnë emrat që kanë ekipet në përbërje, por impenjimi që shfaq secila skuadër në fushë nga java në javë.

Kjo ngjeshje në renditje, mund të përkthehet me më pak cilësi?

Cilësi ka pa diskutim më pak. Ndonëse unë i mëshoj shumë faktit që cilësinë nuk ta japin individët, por mënyra se si një skuadër vepron në fushë.

A e kishte menduar ndonjëherë Mirel Josa që Skënderbeu me të cilin fitoi 4 tituj do mbërrinte në këtë ditë…? 

Normal që po. Një skuadër nuk e bëjnë titujt, por problematika që ka brenda dhe Skënderbeu ka kaluar jo pak gjatë kësaj periudhe.

mirel josa

A mund të quhet “kockë e fortë” derisa po reziston ende, pas kaq shumë goditjesh që kanë marrë?

Po, mund të quhet edhe kështu. Grupi është ruajtur, elementë më të mirë kanë dhe kanë marrë një trajner që ka eksperiencën e duhur për të motivuar një ekip qoftë taktikisht, po ashtu edhe moralisht.

Ç’mendim keni për arbitrat deri në këtë fazë të kampionatit? 

Nuk jam marrë fort me arbitrat apo moviolën. Ata janë njerëz që veprojnë konform situatës dhe vendit ku gjykojnë. Gabime kanë bërë, por nuk është hera e parë që një gjë e tillë ndodh. Mjafton të përmend vitin kur unë drejtoja Tiranën për herë të fundit… dhe u pa fare mirë çfarë ndodhi. Nuk ka nevojë të futem në detaje.

Pas asaj përvoje që patët në Prishtinë, mund të na thoni se cila po bën me shumë progres në futboll: Shqipëria apo Kosova?

Nuk ka vend për diskutim, Kosova është shumë larg Shqipërisë. Dhe këtu i referohem infrastrukturës. Atje vetëm në një stadium mund të luhet në kushte të mira, në Prishtinë. Mund të veçoj deri diku edhe Mitrovicën, pasi të tjerat janë thjesht fusha sportive.

Josa

Po në drejtime të tjera, si për shembull financat…? 

Të mos flasim për financa, pasi çdo vend ka hallet e veta sa u përket financave. Dhe unë i kisha të miat në Kosovë.

A i zgjidhët problemet me Prishtinën?

Gjëra që do të marrin zgjidhje. Nuk jam marrë fort së fundmi, pasi kam pasur disa probleme familjare. Por janë çështje të zgjidhura, në mos unë, është edhe FIFA e UEFA që merren me këtë pjesë.

Tani që është luajtur diçka më shumë se një fazë, e shihni Tiranën për titull? 

Tirana aty është. Nuk është larguar nga titulli, ndaj shanset sigurisht që i kanë. Nuk mund ta them dot të kundërtën. Është një skuadër që është formuar për objektiva të mëdha. Se si është ndërtuar pastaj, këtë e dinë drejtuesit. Pretendime kanë për trofe, por le t’i marrin gjërat me radhë. Pas ndryshimeve në pankinë, mund të stabilizohet gjithçka. Mendoj se majat nuk garantohen vetëm se shpenzon shumë parà. Marr spunto nga shkrimi që ishte në gazetën “Panorama Sport”, ku thuhej se Tirana jep afro 70 mijë euro në muaj për rrogat e lojtarëve. Mund t’i ecë më mirë një ekipi që ka kosto prej 40 milionësh…

josa-2

 Tani mund të më përgjigjeni edhe si tifoz, vërtet besoni se titulli do të vijë në shtëpinë e trofeve në këtë vit jubilar?

Pse të mos e besoj?! Unë dua që ajo skuadër të ecë përpara dhe ajo fanellë të shkojë drejt titullit. E megjithatë, mendoj se duhet të merren gjërat gradualisht dhe të shmanget entuziazmi. Euforia ndonjëherë të bën shumë dëm.

Çfarë do t’i këshillonit Ahmatajt miqësisht, sepse është edhe trajner i ri?

Do t’i uroja suksese fillimisht, e kam pasur edhe futbollist. Këshilla është e vështirë të jap, pasi ai ka njerëz në krahë… Le të jetë sa më i kujdesshëm në marrëdhëniet që do krijojë brenda për brenda klubit.

Të kalojmë pak te Partizani. Çfarë i mungon kësaj skuadre, që nuk po bën dot atë që arriti Skënderbeu… rivalët ndalen vazhdimisht, por shkëputja nuk po vjen kurrë? 

Nuk ka nevojë që të krahasosh Partizanin me Skënderbeun. Nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën. Cilësia e korçarëve ka qenë shumë herë më e madhe, gjithçka funksiononte në perfeksion edhe në organizim. Nuk e bëj dot këtë paralele, pasi Skënderbeu ishte histori tjetër.

josa

Çfarë nuk shkon si duhet te të kuqtë?

Nuk merrem me barazimin në Vlorë, edhe pse shpesh thuhet se rezultati i fundit mbahet gjithnjë mend. Partizani e nisi me një problematikë të brendshme kampionatin, por përsëri po kryeson. Është një ekip që ka ndërruar staf trajnerësh, megjithatë ndoshta në klub e kanë gjetur zgjidhjen se si të funksionojnë edhe në këtë formë. E kam të vështirë të flas për një skuadër kur nuk ia di shqetësimet nga afër, pasi gjithçka e kam lexuar vetëm nga mediat.

Ju po të ishit në të njëjtat kushte me Lerdën, si do vepronit pas përplasjeve me ndihmësit? 

E lehtë apo e vështirë qoftë për një trajner, në këtë pikë prioritet ka grupi dhe fryma që shpërndahet te lojtarët në një situatë të tillë. Unë di të them vetëm kaq, trajneri është ai që e bën “ligjin” në ekip.

Ky Kukës është më i fortë apo më i dobët me atë që ju rivalizonte ju kur ishit me Skënderbeun?

Kukësi atëherë ka qenë më i fortë krahasuar me këtë aktualin. Kishte shumë lojtarë cilësorë. Edhe tani nuk është se nuk ka, pasi njihen vlerat e elementëve si Shkurtaj, Gavazaj apo Abazaj. Por kanë probleme në mbrojtje dhe mesfushë.

Pse një trajner i suksesshëm si ju, nuk drejton sot një ekip?

Në këto momente ka trajnerë të tjerë që drejtojnë skuadrat. Pastaj edhe oferta konkrete nuk kam pasur këtë periudhë. Do të pres deri në dhjetor, pasi dua edhe të qetësohem. Jam pak i lodhur nga kjo punë. Përvoja në Kosovë mund të ishte ndërprerë pak më përpara. Por ashtu u poqën kushtet dhe qëndrova, ndonëse i kishte ardhur fundi me kohë. Tani dua të pushoj. Madje as në stadiume nuk kam shkuar, po i ndjek në TV ndeshjet.

Nuk e keni menduar ndonjëherë Kombëtaren, ose qoftë një ekip moshash…?

Jo, jo. Nuk e kam menduar asnjëherë.

ADELA MERKO




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com