EKSKLUZIVE/ Partizani, një derbi për viktimat e tërmetit. Klubi i kërkon FSHF-së të mos… (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 28, 2019 | 23:14

EKSKLUZIVE/ Partizani, një derbi për viktimat e tërmetit. Klubi i kërkon FSHF-së të mos… (E PLOTË)

Një derbi për bamirësi. Klubi i Partizanit po mendon që të ardhurat nga biletat për ndeshjen e javës së 15-të ndaj Tiranës të shkojnë për familjet në nevojë që u prekën nga tërmeti apokaliptik.

TERMET

 

“Panorama Sport” zbulon nga burime të sigurta në klubin e kuq se drejtuesit kanë vendosur të solidarizohen pas goditjes së madhe që morën mijëra familje në Durrës, Thumanë dhe zonat afër kryeqytetit. Drejtuesit ia kanë komunikuar këtë vendim edhe vetë FSHF-së dhe kjo nismë solidarizuese është mirëpritur nga institucioni i futbollit. Por, një prej kërkesave të Partizanit ka qenë që ndeshja të zhvillohet në stadiumin e ri, “Air Albania”, pa pasur një kosto nga të kuqtë si klub pritës.

Tirana-Partizani-770x470

Pra, duke qenë se Partizani do të dhurojë të gjitha të ardhurat nga biletat, ka kërkuar që edhe FSHF të bëjë një lëshim në këtë rast, duke lejuar klubin të shfrytëzojë stadiumin për një ndeshje pa paguar shifrën që do të vendosë bordi drejtues i “Air Albania”-s. Mësohet se fillimisht në FSHF janë stepur disi, por në komunikimet e vazhdueshme, është hapur një dritë jeshile edhe për këtë kërkesë.

Sektori i garave në FSHF, në bashkëpunim me klubet dhe platformën “SupeSport” kishte vendosur që ndeshja të luhej të enjten në orën 20:00 në stadiumin e ri. Mirëpo, tragjedia e dy ditëve më parë, pas tërmetit të fuqishëm, detyroi institucionin e futbollit të shtyjë të gjitha kampionatet. Në këto kushte, ende nuk dihet se kur mund të luhet derbi.

TIFOZËT

Kapaciteti i “Air Albania”- s është 21.700 vende dhe vetëm një derbi Partizani-Tirana mund të sjellë në stadium një numër rekord tifozësh. Në klubin e kuq janë të vendosur që të heqin dorë nga një arkëtim rekord, duke u solidarizuar kështu me familjet e prekura.

Tashmë mbetet për t’u përcaktuar axhenda e ndeshjes, në mënyrë që edhe Partizani si klub pritës të publikojë çmimet e biletave e më pas t’i hedhë në treg. Megjithatë, nisma e klubit është vërtet për t’u përshëndetur në këtë gjendje të jashtëzakonshme që po kalon vendi. Një nismë të tillë pritet ta marrin edhe disa klube të tjera të Superiores.

JORGIS MEMO – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"