EKSKLUZIVE/ Partizani nis merkaton, gati të rikthejë 3 talentet që Luftëtari i mori… falas

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 18, 2020 | 0:20

EKSKLUZIVE/ Partizani nis merkaton, gati të rikthejë 3 talentet që Luftëtari i mori… falas

Partizani ishte klubi që shpenzoi më shumë në merkaton e verës me shpresën e përmirësimit të ekipit kampion. Por afrimet rezultuan dështim në përgjithësi, kryesisht përforcimet në repartin sulmues. Në kushtet aktuale, duke mbetur pa trofe dhe me Europën në rrezik, klubi i kuq është i detyruar që në merkaton e verës t’i nënshtrohet një tjetër revolucioni.

Partizani miqesorja

Konfirmimi i trajnerit Adolfo Sormani edhe pas tri humbjeve të fundit, ku njëra prej tyre ishte turpërimi në derbi, lë të kuptosh se drejtueist kanë vendosur që ta vazhdojnë projektin me trajnerin italian, i cili është i prirur që të punojë me elementët me moshë të re. Kështu që drejtueist prej kohësh kanë nisur të piketojnë emrat e mundshëm për ndërtimin e Partizanit të sezonit të ri. “Panorama Sport” ka arritur të mësojë nga burime pranë të kuqve se në plane për sezonin e ri janë edhe tre ish-lojtarë të rinj, që këtë sezon kanë spikatur te Luftëtari.

Pikërisht bëhet fjalë për ish-kapitenin e të rinjve të akademisë së Partizanit, Franc Lala, si dhe dy sulmuesit anësorë, Gresild Lika dhe Joan Çela. Të tre lojtarët e kanë kaluar këtë sezon testin e pjekurisë në Superiore, kështu që ata ndihen gati që të përfaqësojnë fanellën e kuqe në Superiore.

franc lala

Franc Lala, 20 vjeç është një mbrojtës i perspektivës, i cili ka treguar këtë sezon se di të përballojë peshat e rënda në sulmet kundërshtare. Lala është një nga lojtarët më stabël të Luftëtarit në këtë sezon, ku është aktivizuar në 19 ndeshje me 1623 minuta në fushë, duke qenë ndër lojtarë më të aktivizuar. Lala mund të ishte edhe lojtari më aktivizuar nëse nuk do të kalonte një periudhë dëmtimi në fund të pjesës së parë të kampionatit. Ai shikohet si një alternativë me të ardhme te Partizani në qendër të mbrojtjes, por edhe në krah të djathtë.

Griseld Lika

Gresild Lika është një tjetër ish-lojtar i Partizanit që vlerat e tij dolën në pah te Luftëtari, pasi gjirokastritët i dhanë hapësirën dhe besimin e duhur. 22-vjeçari mund t’i bëjë shumë punë të kuqve në krahë, aq më shumë tani pas ikjes së Jasir Asanit. Lika në 26 javë kampionat ka shënuar katër gola duke treguar cilësitë e tija edhe në ekzekutimin e goditjeve standarde.

jOAN cELA

Joan Çela është një tjetër lojtar produkt i Akademisë “Partizani” që po spikat në pjesën e dytë të sezonit te Luftëtarit si sulmues krahu. 20-vjeçari është aktivizuar në 15 ndeshje me Luftëtarin deri tani, ku ka shënuar edhe dy gola. Të tre këta lojtarë shikohen si afrime të perspektivës, por tani mbetet për të parë nëse drejtueist e klubit do të gjejnë gjuhën e përbashkët me lojtarët dhe Luftëtarin për rikthimin e tre produkteve të akademisë.

ILIR CARA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"