EKSKLUZIVE/ Partizani në merkato për sulmues, “demat” synojnë “rebelin” e Skënderbeut

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 30, 2022 | 18:47

EKSKLUZIVE/ Partizani në merkato për sulmues, “demat” synojnë “rebelin” e Skënderbeut

Megjithëse në javët e fundit është ulur ritmi i afrimeve, Partizani vazhdon të jetë në merkato dhe të kërkojë lojtarë për pozicionet ku ka nevojë.

ELVI BERISHA

Sulmi është një nga repartet më të varfra te të kuqtë dhe prej kohësh po punohet për të sjellë sulmues, të cilët do të shtonin cilësinë dhe alternativat për trajnerin Mehmeti.

Burime për gazetën bëjnë me dije se Elvi Berisha është objektiv i Partizanit.

Të kuqtë i pëlqejnë karakteristikat e 23-vjeçarit dhe pritet që në ditët në vijim të ketë zhvillime konkrete.

Kontrata e lojtarit me Skënderbeun është një nga arsyet përse nuk kanë avancuar tratativat me Partizanin, por edhe me klube të tjera, që mund të kërkojnë shërbimet e lojtarit.

Fieraku ka kontratë me Skënderbeun deri në muajin janar dhe klubi ka refuzuar ta lërë të lirë që tani.

Lojtari deri më tani nuk është paraqitur në stërvitje me justifikimin se është me COVID-19, por pritet që kjo të mos ndodhë asnjëherë dhe të vijë ndarja përfundimtare.

Berisha është produkt i të rinjve të Tiranës, që e shiti për 90 mijë euro te Leganes, kur ai ishte vetëm 18 vjeç.

Në Spanjë, Berishës nuk i eci shumë dhe pas një sezoni u kthye në Shqipëri te Laçi.

Pas dy vitesh te kurbinasit sulmuesi anësor iu bashkua Skënderbeut, ku luajti në dy sezonet e fundit dhe u shndërrua në lojtar kyç.

Nga ana tjetër, largimi i mundshëm i Xhixhës dhe fakti që është rritur te bardheblutë, e lidh Berishën me Tiranën, por kjo mbetet vetëm në kuadrin e aludimeve, pasi bardheblutë duhet të përcaktojnë fillimisht fatin e Xhixhës.

Berisha shënoi 4 gola vjet në kampionat me Skënderbeun.

DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"