EKSKLUZIVE/ “Partizani më solid, Tirana vuan sepse s’kënaqet me barazim”, Vrapi: Ju tregoj Dajën ironik dhe Deden që bërtet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 20, 2021 | 20:54

EKSKLUZIVE/ “Partizani më solid, Tirana vuan sepse s’kënaqet me barazim”, Vrapi: Ju tregoj Dajën ironik dhe Deden që bërtet

Endri Vrapi ka luajtur me Tiranën dhe Partizanin. Ai i njeh mirë klubet nga brenda, por njeh po kaq mirë edhe trajnerët e tyre. Ka qenë pjesë e Elbasanit kampion në sezonin 2005-2006, kur Ilir Daja ishte në stol dhe Nevil Dede kapiten. Ish-mbrojtësi i Kombëtares flet pa doreza për “Panorama Sport” dhe nxjerr sekretet e dy strategëve. “Daja të mërziste ndonjëherë me ironinë e hidhur, ndërsa Dede është i egër dhe bërtet shumë”, është batuta e Vrapit. Më tej, ai bën një analizë të dy ekipeve dhe konsideron Partizanin disi më të kompletuar para një ndeshjeje si kjo.
vrapi
Cili vjen më i avantazhuar në këtë derbi?
Duke parë dhe rezultatet e fundit, ndoshta Partizani është pak më para se Tirana. E them këtë dhe në aspektin e grumbullimit të pikëve. Sa i takon ndeshjes, si gjithmonë do të jetë e rivalizuar me ato ngacmimet e veta. Në kuptimin që nëse Tirana ishte pretendente, Partizani duhet t’i prishte punë dhe anasjelltas. Por, kjo ndeshje ndoshta do të jetë specifike për Partizanin, duke parë që ecurinë e ka pak më të mirë. Ndërkohë që Tirana, duke pasur parasysh dhe blerjet që ka bërë, do të tregojë që është ajo kampionia në fuqi dhe nuk do ta nënvlerësojë.

Nëse në derbin e parë ekipet e kishin “luksin” që mund të pajtoheshin edhe në barazim, po sot, që Vllaznia është shkëputur kaq shumë, a e kanë sërish këtë luks?
Të dyja ekipet do të hyjnë në fushë për të fituar dhe frika kryesore për të dy kundërshtarët do të jetë që të mos humbin. Partizani është pak më i mbledhur, më i plotë, pasi te Tirana në 3-4 ndeshjet e fundit ka pasur probleme me ndryshimin e lojtarëve, qoftë dhe me afrimet që janë bërë. Këta të fundit ndoshta nuk janë akoma gati që të përshtaten direkt me grupin. Ndoshta do të jetë kjo që do të bëjë diferencën, sepse te Partizani grupi ka qenë aktualisht në stërvitje gjatë gjithë kohës. Ndërsa te Tirana ka lojtarë të afruar rishtazi, që nuk e dinë ende se si funksionon derbi.
pjimage (1)
Keni luajtur me të dyja skuadrat. Mënyra se si përjetohet derbi në dy kampet është e ndryshme. Cili prej tyre e përgatit më mirë një ndeshje si kjo?
Derbi përjetohet më qetë te Partizani. Ndoshta nga që presidenti i Partizanit, gjatë gjithë kohës, nuk i vë nën trysni lojtarët dhe nuk ushtron kurrfarë presioni. Ndërkohë që, në krahun e Tiranës, duke qenë se është dhe ekipi që ka më shumë trofe, duan ta fitojnë me patjetër derbin. Ndoshta ky është presioni te Tirana, pra rezultati. Tirana, duke dashur gjithmonë fitoren, në fund ka dalë edhe e zhgënjyer nga ndeshja. Ndërkohë që, Partizani gjatë gjithë kohës ka tentuar të luajë futboll dhe ndoshta me barazimin janë të kënaqur. Tirana me barazim nuk kënaqet.
dede daja
Keni punuar me të dy trajnerët që drejtojnë sot ekipet, sepse keni qenë bashkë tek Elbasani kampion. Si ishin raportet Daja-Dede tek Elbasani dhe ku ndryshojnë ata?
Duke u nisur nga karakteristikat e tyre, Nevilin më shumë e njoh si lojtar, sepse pak e kam përjetuar si trajner te Tirana. Filozofia e tij është që lojtarët duhet të jenë shumë agresivë me kundërshtarin. Kjo, në kuptimin që nuk duhet të lihen hapësira, por qoftë edhe për mënyrën se si përplasen me rivalët. Ndërsa filozofia e profesor Dajës është që gjithmonë kërkon ta presë kundërshtarin, të luajë me kundërsulm dhe ta fillojë gjithmonë lojën me ndërtim nga poshtë. Këtë jo se nuk e ka Nevili, por trajneri Daja e kërkon në mënyrë të rrjedhshme lojën, ndërsa Nevili, duke pasur dhe impulsivitetin që e karakterizon, do që ekipet e tij të dalin sa më shpejt në sulm dhe ta mbyllin ndeshjen mundësisht.

JETMIR HALILAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"