EKSKLUZIVE/ “Partizani më ka ende borxh, i lumtur që u largova”, rrëfehet ish-sulmuesi i “demave”: Ilir Daja më dënoi (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 29, 2022 | 20:47

EKSKLUZIVE/ “Partizani më ka ende borxh, i lumtur që u largova”, rrëfehet ish-sulmuesi i “demave”: Ilir Daja më dënoi (E PLOTË)

Andrija Filipoviç kur firmosi për Partizanin në verën e vitit të shkuar, u bë lojtari i katërt me vlerën më të lartë të kartonit që bëhet pjesë e “demave”, 500 mijë euro. Erdhi si një nga afrimet më të mëdha, por nuk luajti shumë dhe nuk arriti asnjëherë në nivelet e kërkuara, derisa u largua në janar. Më pas ai firmosi me Atiaru në Kazakistan, ku ka shënuar plot 15 gola dhe ka dhuruar 3 asiste në 29 ndeshje. Në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, Filipoviç zbardh gjithë pakënaqësitë e tij, veçanërisht ndaj ish-trajnerit Ilir Daja, dhe zbulon se Partizani i ka ende para borxh.

FILIPOVIC

Andrija, si po ju shkon eksperienca në Kazakistan?

Aventura ime në Kazakistan po shkon shumë mirë. Personalisht jam i lumtur dhe krenar për veten, sepse po tregoj cilësitë e mia dhe po ndihmoj skuadrën dhe klubin me gola e asiste. Por asgjë nuk arrihet vetëm, çdo gjë ka ardhur me ndihmën e shokëve të skuadrës, trajnerit dhe të gjithë njerëzve që punojnë në klub. Veçanërisht drejtorët Alisher dhe Ernis, që më dhanë shansin dhe besuan tek unë. Unë ua kam kthyer për mirë dhe ata janë të lumtur me paraqitjet e mia.

Cili është qëllimi juaj i radhës në karrierë?

Dua të luaj në një nga ligat e mëdha, të mësoj dhe të përmirësohem çdo ditë e më shumë. Sigurisht të arrij çdo ditë e më shumë gola

Ishit pjesë e Partizanit për disa muaj, por nuk arritët maksimumin tuaj. Çfarë ndodhi?

Unë erdha te Partizani pas një dëmtimi të rëndë dhe nuk isha në formën time optimale. U stërvita fort për t’u kthyer në kushtet e duhura dhe ia dola por nuk m’u dha mundësia të tregoj veten. I vetmi person që u mundua të më mbante te Partizani, ishte drejtori Olsi Rama. Mund të them se i jam falënderues atij, sepse më mësoi shumë.

Përse mendoni se nuk mundët t’i tregoni aftësitë tuaja te Partizani?

Sigurisht që unë mund t’i tregoja aftësitë dhe cilësitë e mia, por nuk mora asnjë shans të vërtetë, asgjë. Ndoshta sepse unë nuk pata asnjë komunikim me trajnerin (Ilir Daja). Ai nuk dinte anglisht ose italisht, kjo rezultoi fatale për mua. Gjithashtu isha i pafat, sepse erdha 2-3 ditë para se të niste kampionati.

Si erdhi divorci? Ju kërkoi klubi të largoheshit?

Jo, nuk ma kërkoi klubi. Drejtori Rama donte që unë të qëndroja, por pasi fola me të dashurën time, familjen dhe agjentin, vendosa të kërkoj largimin. Arsyeja ishte se në 4-5 ndeshjet e fundit trajneri më nxori jashtë ekipit. Shihja ndeshjet në tribunë dhe nuk stërvitsha me skuadrën. Ndieja se ishte koha të largohesha dhe të provoja një eksperiencë të re, sepse mendoj se nuk e meritoja atë trajtim.

A jua kanë paguar të gjitha detyrimet e kontratës?

Ata më paguan një pjesë dhe kanë ende për të më dhënë, por sinqerisht më paguajnë apo jo, jam i lumtur që e lashë Partizanin, sepse gjeta fatin tim në Kazakistan.

FILIPOVIC (1)

Do të donit të qëndroni më gjatë te Partizani?

Jo, pasi trajneri veproi ashtu me mua, doja të largohesha menjëherë. Nuk doja të qëndroja asnjë ditë më shumë te Partizani.

Çfarë mendoni për futbollin shqiptar?

Futbolli shqiptar nuk hyn në ato të nivelit të lartë. Nëse duhet të bëj një krahasim me ligat ku unë kam luajtur gjatë karrierës sime, është më e dobëta mes tyre.

E vetmja gjë që më pëlqente ishte atmosfera në stadium. E them këtë sepse tifozët e Partizanit, “Ultras Guerrils”, janë më të mirët në Shqipëri.

E keni ndjekur Partizanin? Nëse po, çfarë ka ndryshuar në krahasim me vjet që ata po luftojnë për titullin?

Nuk e kam ndjekur shumë, por shpeshherë shoh rezultatet e tyre. Realisht nuk e di nëse ka ndryshuar diçka apo jo, por shoh që një numër i madh lojtarësh, të cilët s’ishin të lumtur atje, e kanë lënë klubin.

Ruani ende kontakt me ndonjë prej ish-shokëve të ekipit?

Komunikoj shpesh me Filip Gligorov dhe Esat Malën.

Do të riktheheshit në Shqipëri një ditë nëse do të ishte e mundur?

Jo.

A ka ndonjë skuadër që ju pëlqen në Kategorinë Superiore?

Më pëlqente Kukësi kur kishin në krye trajnerin italian (Diego Longon). Ata ishin skuadra e vetme që luanin futboll të vërtetë.

DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"