EKSKLUZIVE/ “Partizani më bën krenar”, rrëfimi special i Taulant Xhakës: Ju tregoj çfarë më ka pyetur trajneri i Bazelit (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 21, 2021 | 21:38

EKSKLUZIVE/ “Partizani më bën krenar”, rrëfimi special i Taulant Xhakës: Ju tregoj çfarë më ka pyetur trajneri i Bazelit (E PLOTË)

Mesfushori Taulant Xhaka është një emër shumë i njohur i futbollit dhe ka përfaqësuar edhe Shqipërinë në “Euro 2016”. Futbollisti kuqezi aktivizohet prej shumë vitesh në radhët e Bazelit dhe ekipi i tij do të përplaset me Partizanin në turin e dytë të Ligës së Konferencës.

Taulant Xhaka

Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Xhaka është shprehur se ndihet shumë krenar për Partizanin që luan në nivele të larta. Gjithashtu, mesfushori tregoi se ka raporte të shkëlqyera me portierin Alban Hoxha, si dhe zbuloi se trajneri i Bazelit dhe shokët e skuadrës i kanë kërkuar ndihmë për të analizuar skuadrën e Partizanit.

taulant-xhaka (1)

Sa i takon parashikimit të rezultatit, Xhaka tha se është e pamundur të thotë një gjë të tillë, pasi futbolli është i mbushur me surpriza. Ndërsa për shanset që kanë skuadrat, tha se gjithçka mund të ndodhë dhe se ekipi që do të jetë në ditën më të mirë, do të dalë triumfues nga fusha e lojës.

Taulant, kur u hodh shorti i turit të dytë dhe patë që goglat ju vendosën përballë Partizanit, si u ndiet ju si futbollist shqiptar?

Unë jam ndier shumë mirë, i kam ndjekur edhe në ndeshjet kundër Sfintulit dhe jam shumë krenar që e fituan sfidën e tyre. Gjithashtu, jemi shumë krenarë që Partizani do të luajë me një ekip si Bazeli, jo vetëm unë, por dhe Pajtimi (Kasami) dhe Edoni (Zhegrova) jemi ndier shumë krenarë për Partizanin.

taulant-xhaka

Trajneri i Bazelit apo dhe shokët e skuadrës, ju kanë pyetur për ekipin e Partizanin?

Po, më kanë pyetur si është Partizani, a kanë lojtarë të mirë. U kam thënë që janë një ekip shumë i mirë, që e bën shumë mirë fazën ofensive. Por, u kam thënë edhe që kanë dhe një portier të shkëlqyer si Alban Hoxha, që ka luajtur me mua në Kombëtare.

Trajneri ynë e ka kuptuar që Partizani është një ekip shumë i mirë dhe jemi munduar me videoanalizë të kuptojmë pikat e forta dhe ta përgatisim sa më mirë takimin. Më kanë pyetur dhe si është stadiumi në Shqipëri. U kam thënë se është një stadium shumë i bukur dhe do të jetë një stadium i shkëlqyer për të luajtur.

Nëse Taulanti do t’i shënonte Partizanit, do të festonte?

Nëse do të shënoja gol, nuk do të festoja. Jam shqiptar dhe nuk do të festoja kundër asnjë ekipi shqiptar.

Në Europian, Zvicra bëri shumë ndeshje të mira. Ju personalisht, si u ndiet kur patë ecurinë e kombëtares, por dhe të vëllait tuaj Granitit?

Shumë krenar, shumë krenar! Nuk e prisja që Zvicra të mposhte Francën, as të shkonte me penallti kundër Spanjës. Isha shumë krenar dhe të jem i sinqertë, kisha shumë emocione. Ndeshjen kundër Francës e ndoqëm në shtëpi me pjesën tjetër të familjes. E pamë të gjithë bashkë dhe pas lojës kishte një festë, folëm në telefon me Granitin dhe me të vërtetë u ndiem shumë krenarë të gjithë.

Tifozët e Bazelit po protestojnë kundër qeverisë dhe do të bojkotojnë ndeshjen kundër Partizanit.  A do të donte Taulanti që ky problem të zgjidhej dhe të kishte mbështetjen e tifozëve?

Absolutisht po, do t’i doja tifozët në stadium. Ne i kemi tifozët shumë të zjarrtë dhe na mbështesin shumë. Nuk e kam ditur që do të protestojnë tifozët, i kam parë sot në media lajmet. Natyrisht, është një minus i madh për ne, por jam i bindur që do të na mbështesin nga jashtë stadiumit.

Në miqësoren e fundit kundër Hamburgut, nuk kishit një rezultat pozitiv.A do të shohim një Bazel tjetër kundër Partizanit?

Normalisht që po, tani faza e miqësoreve ka mbaruar. Luhet për kualifikim dhe skuadra do të jetë shumë ndryshe, shumë më e motivuar. Pa diskutim që do të shikojmë një Bazel ndryshe.

Në mesfushë do të përplaseni kundër lojtarëve të rinj në moshë, që nuk kanë eksperiencë në kompeticionet evropiane. Ndryshon gjë ky fakt për ju personalisht?

Jo, nuk do të ndryshojë asgjë. I kemi vlerësuar në maksimum të gjithë lojtarët e Partizanit dhe për mua nuk ka asnjë problem mosha e re. Nuk luan rëndësi sa vjeç është një lojtar, rëndësi kanë kualitetet e tij. E thashë që Partizani luan futboll të bukur dhe ne nuk duhet të futemi në fushë duke i nënvlerësuar e duke menduar se kanë lojtarë të rinj në moshë e që nuk kanë eksperiencë. Nëse futemi me këtë mentalitet, do të ishte fatale për ne.

Për Bazelin është ndeshja e parë zyrtare, ndërsa Partizani ka zbritur në fushë dy herë.  A është plus për Partizanin kjo gjë?

Edhe ne jemi përgatitur në maksimum. Partizani e ka plus këtë gjë, pasi ka dy ndeshje zyrtare të luajtura, por dhe ne jemi të përgatitur në maksimum dhe besoj se do të jetë një lojë shumë e bukur dhe shumë e fortë.

Besoj e keni kuptuar që Stenio Zhunior është lojtari më në formë te Partizani. I keni vënë në “alarm” shokët e mbrojtjes?

Po, sigurisht. E kemi parë edhe me video, të gjithë e kuptuan që braziliani është lojtari më i mirë që ka Partizani. Trajneri na lajmëroi se ai lojtar mund të shënojë nga të gjitha pozicionet. Prandaj, do të bëjmë maksimumin për ta mbajtur në kontroll. Di që mbrojtësit tanë janë lojtarë me eksperiencë edhe në kompeticionet europiane dhe mendoj se do të bëjnë një punë të mirë.

A do të donit që ndeshja e parë të luhej në Shqipëri dhe kualifikimi të vendosej në fushën tuaj?

Besoj se një plus është për ne që e luajmë sfidën e parë në Bazel.

A keni ndonjë parashikim se si mund të shkojë kjo sfidë dhe cila mund ta bëjë diferencën?

Parashikim nuk kam të saktë, pasi futbollit nuk i dihet kurrë. Kush është më në formë, do të fitojë. T’ia lëmë kohës, cili ekip është në ditën më të mirë do të triumfojë në fund.

Po e prisni me padurim rikthimin në Shqipëri?

(Qesh) Absolutisht që po. Mezi po pres të rikthehem atje. Kam pasur një periudhë shumë të vështirë, me një dëmtim afatgjatë dhe një vit nuk kam luajtur aspak. Më ka marrë malli shumë për Shqipërinë dhe mezi po pres të rikthehem atje dhe të luaj futboll rregullisht.

VERONIK ISTREFAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"