EKSKLUZIVE/ “Partizani lufton gjthmonë për titullin”, Dorian Bylykbashi: Shumë shpejt mund t’i kthehem…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 29, 2020 | 21:02

EKSKLUZIVE/ “Partizani lufton gjthmonë për titullin”, Dorian Bylykbashi: Shumë shpejt mund t’i kthehem…

Dorian Bylykbashi një karrierë e nisur tek Elbasani dhe e vijuar te Vllaznia, Partizani, Krivbas në Ukrainë dhe kthimi i tij përsëri në Shqipëri, ku këpucët i “vari në gozhdë” te “demat e kuq”. Bylykbashi është i sinqertë kur flet për të kaluarën në sport, si edhe për të ardhmen e tij. Futbollisti elbasanas në një intervistë për “Panorama Sport” na tregon se pse nuk ka filluar akoma që të marrë një rol protagonisti, si drejtues sportiv ose trajner në ndonjë ekip. Ai flet për Partizanin dhe çfarë pret nga skuadra këtë sezon edhe pse nuk ka bërë merkto, si dhe dy fjalë për bojkotin e kampionatit. Bylykbashi tregon se nuk i ka mbetur ndonjë peng nga karriera si futbollist dhe pohon se nuk shikon ndonjë lojtar aktualisht që t’i ngjajë atij. Veten nuk e shikon te asnjë lojtar në futbollin shqiptar.
bylykbashi
Çfarë bën sot Dorian Bylykbashi?
Bylykbashi sot mundohet të rikuperojë pak kohën që i ka munguar për të ndenjur me familjen, më shumë më fëmijët e mi, gjë që nuk e bëja kur luaja futboll. Pjesën tjetër të kohës merrem me biznesin tim.

A ju merr malli për futbollin e luajtur?
Sigurisht që më merr shumë malli. Mua më mungon shumë futbolli i luajtur sepse ka qenë pjesë e pandarë e imja që në moshën 10- vjeçare kur kam nisur edhe hapat e para në klasat sportive dhe nuk kam ndalur më deri sa kam lënë karrierën.

Pse nuk keni marrë një rol protagonisti si drejtor, ose trajner, si shumë moshatarë tuaj?
Në këtë kohë nuk e shoh momentin e duhur që të filloj me një aktivitet të tillë. Unë mendoj se shumë shpejt do të filloj të merrem me këtë punë sepse kjo është gjëja që dimë të bëjmë më mirë ne dhe duhet që ne t’ia transmetojmë futbollistëve të së ardhmes dijet tona rreth këtij sporti kaq të bukur.
Turbina-Elbasani
Ç’mendim keni për Elbasanin sot?
Më vjen shumë keq që Elbasani ndodhet në këtë gjendje. Elbasani është një qytet që jeton me futbollin, si dhe i ka dhënë shume kampionatit shqiptar në vitet e tij më të mira. Unë shpresoj shumë që Elbasani të rikthehet sa më shpejt aty ku e meriton. Madje të gjithë futbolldashësit janë duke e pritur këtë gjë.

Po për Partizanin…?
Partizani ka një president si Gaz Demi, që nuk i lë gjë pa i plotësuar ekipit të tij. Kjo është një model shumë pozitiv sepse në këtë mënyrë stafi si dhe lojtarët duhen të merren vetëm me stërvitjen dhe përgatitjen e ndeshjeve.

A lufton dot Partizani pa merkato për titullin kampion?
Partizani jo vetëm këtë edicion, por në çdo sezon është pretendent. Partizani gjithmonë do të luftojë për titullin kampion.
daja
Kanë marrë një trajner ekspert si Ilir Daja, që e ka treguar veten kur skuadra ka pasur probleme. Si e shikoni këtë lëvizje të klubit?
Sigurisht që me afrimin e Dajës besoj se Partizani ka bërë zgjedhjen e duhur sepse Daja është një trajner që jeton me futbollin. Ai është shumë i përkushtuar dhe besoj se do të bëj më të mirën për klubin. Megjithëse, Partizanit nuk i është lejuar të bëj merkato këtë sezon, rikthimet nga huazimet do ta ndihmojnë për të qenë pretendent për titullin kampion.

Nisur nga lëvizjet që kanë bërë skuadrat e tjera, cilin shikoni favorit për titull?
Si gjithmonë, në këto vitet e fundit, Partizani, Kukësi dhe Tirana besoj se do jenë më mirë se të tjerët. Por, mos harrojmë edhe Laçin e trajnerit Cungu sepse ka një trajner shumë të mirë, si dhe është përforcuar në merkato.
Bylykbashi parizani
Cili është pengu juaj në karrierë?
Të them të drejtën nuk kam pengje në futboll sepse unë kam shijuar çdo moment të tijin sikur ditën e parë. Unë e adhuroj futbollin, por nëse mund të quhet peng, mund të them që duhet të isha larguar me shpejt nga Shqipëria.

Cili lojtar ju ngjason më shumë sot në Superiore, pra a ka një Bylykbash tjetër tani?
Për mendimin tim, besoj me karakteristikat e mia, nuk ka momentalisht ndonjë futbollist. Futbollistët teknikë për fat të keq po mungojnë në ditët e sotme në kampionatin tonë, si dhe nëpër kampionatet e tjera më të forta jashtë kufijve.

ILIR CARA

KLEJBI KURTI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"