EKSKLUZIVE/ “Partizani ishte më i fortë vjet”, Sakaj: Kampionati është i dobët, Flamurtari ia del me…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 30, 2019 | 16:47

EKSKLUZIVE/ “Partizani ishte më i fortë vjet”, Sakaj: Kampionati është i dobët, Flamurtari ia del me…

Artan Sakaj e shikon Flamurtarin në një situatë tejet të vështirë dhe shumë të rrezikuar. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Sakaj deklaron se pavarësisht kësaj, ka ende shpresa nëse zgjidhet situata financiare. Ish-kapiteni i Flamurtarit, të gjithë këtë krizë që ka kapur vlonjatët e shikon të lidhur me çështjen financiare, ndërsa e vlerëson si të mirë përbërjen e ekipit.

Sa për titullin, ish-mbrojtësi që po vijon kursin “UEFA Pro” për trajner, thotë se do të jetë një garë e fortë deri në fund mes tetë ekipeve.

Sakaj si e komentoni situatën te Flamurtari?

Nuk është një situatë e mirë. Unë nuk di të jap një zgjidhje, pasi ato janë punë të brendshme. Nuk jam analizues i çështjeve ekonomike, apo menaxher, jam një ish-futbollist i Flamurtarit dhe ish-trajner. Situata është e rëndë, është për të vënë duart në kokë. Ekipi ka pesë pikë në klasifikim dhe janë të vakëta shpresat për të qëndruar në kategori. Është situatë skandaloze.

Çfarë ndieni kur e shikoni ish-ekipin në këtë gjendje?

Më vjen shumë keq, pasi jam shumë i lidhur me atë klub. Më dhemb shumë.

Pse mendoni se Flamurtari është në këtë gjendje?

Shkaqet dihen se cilat janë. Nuk është e nevojshme që t’i them unë. Janë thënë edhe në gazetë. Është situata ekonomike që nuk është e mirë. Ky është edhe faktori kryesor.

E mbani mend që të ketë qenë Flamurtari në ndonjë situatë të tillë?

Nuk e mbaj mend këtë. Të gjitha shpresat janë te privatizimi. Të gjithë aty i kemi sytë. Edhe Flamurtari aty i ka shpresat.

Mendoni se shpëton nga rënia ky ekip?

Në krahasim nga vitet e kaluara, ky kampionat i ka skuadrat të dobëta, 50% më poshtë. Ky është një nga kampionatet më të dobëta se vitet e tjera. Përbërjet e skuadrave në përgjithësi nuk janë të mira. Flamurtari nuk ka përbërje të keqe në skuadër. Ka lojtarë të mirë. Ato probleme që janë brenda skuadrës nuk ke çfarë i bën.

Nëse ndryshon diçka në janar, ka shpresa Flamurtari të qëndrojë në Superiore?

Nuk flas dot me siguri ka shpresa apo jo. Varet edhe nga ecuria e skuadrave të tjera. Edhe mundet, por duhet të presim.

Si e shikoni Partizanin këtë sezon?

Vjet Partizani ishte më i fortë se ky. Por edhe këtë vit ka marrë pikë dhe ka forcë si skuadër.Sakaj Flamurtari

Cilët do të jenë rivalët e Partizanit?

Të gjitha ekipet aty-aty janë me pikë. Ky është një kampionat i çuditshëm. Një fitore të çon në vend të dytë, dy fitore rresht të çojnë në vend të parë, një humbje mund të të zbresë poshtë. Hiq Flamurtarin dhe Luftëtarin që janë më poshtë me pikë, të tjerët janë afër me njëri-tjetrin. Do të jetë një garë mes tetë ekipeve deri në fund. Pavarësisht se është një kampionat më i dobët, është interesant, pasi ka rivalitet që nga vendi i parë deri te vendi i tetë dhe nuk dihet si do dalë deri në fund. Cila do ketë ecurinë më të mirë, do të jetë në rivalitet.

Po nga kategoria cila bie?

Nuk më vjen mirë të bëj parashikime kur është Flamurtari në fund. Akoma ka shpresë për Flamurtarin nëse do ndryshojë situata.

Deri para disa javësh ishit trajner i Orikumit. E ndiqni ish-ekipin aktualisht?

Po, po e ndjek Orikumin. I uroj që të shkojë sa më lart, pasi mundësitë i ka. Edhe kur u largova, atyre djemve u urova më të mirën. U uroj suksese, pasi kam kaluar një periudhë të bukur aty.

Me çfarë po merreni aktualisht?

Jam duke bërë kursin e “UEFA PRO” për trajner. Është pak i gjatë si proces, por jam në realizim e sipër.

Ermal Sika

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"