EKSKLUZIVE/ Partizani gjen zëvendësuesin e Trashit, nisin bisedimet me ish-lojtarin e Skënderbeut. Në “valle” futet edhe Vllaznia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 6, 2020 | 23:39

EKSKLUZIVE/ Partizani gjen zëvendësuesin e Trashit, nisin bisedimet me ish-lojtarin e Skënderbeut. Në “valle” futet edhe Vllaznia

Gledi Mici për krahun e majtë të mbrojtjes. Nuk është thjesht një ide, por drejtuesit e Partizanit janë futur në veprim, teksa 29-vjeçari ka marrë një ofertë dhe tashmë duhet të kthejë një përgjigje. “Panorama Sport” zbulon nga burime të sigurta në klubin e kuq, por gjithashtu edhe pranë lojtarit fierak, se palët kanë diskutuar pak ditë më parë për mundësinë e një akordi.

Mici

Te Partizani e shohin Micin si zëvendësuesin ideal të Lorenc Trashit, i cili është larguar në Kuvajt, aty ku do të vazhdojë karrierën te klubi Al Qadsa. Mici ka luajtur në dy sezonet e fundit te Shkëndija e Tetovës dhe tashmë është një futbollist i lirë. Prej dy muajsh ai po stërvitet individualisht në kryeqytet me përgatitësin Roland Peqini (ish-mbrojtësi i Dinamos dhe Kukësit), ndërsa mësohet se në bisedimet me përfaqësuesit e kuq, ka lënë gjithçka pezull. Mbrojtësi i majtë po pret për një ekip jashtë Shqipërisë, po që nuk bëhet fjalë për Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.

Në rast se edhe kjo mundësi nuk konkretizohet, atëherë lojtari mund të shikojë me seriozitet kalimin te Partizani. Por kjo varet edhe se sa do të presin të kuqtë. Njëkohësisht në lojë për Micin është edhe Vllaznia. Klubi shkodran kërkon të bëjë një skuadër pretendente për sezonin e ri pas ardhjes së sponsorit Alban Xhaferi. Edhe drejtuesit shkodranë kanë folur me lojtarin, duke i paraqitur planin e tyre, por ashtu si në rastin e Partizanit, Mici ka lënë gjithçka pezull.

Mici

Efekti “Daja” – Ardhja e trajnerit Ilir Daja te Partizani pritet të japë efekt te të kuqtë edhe sa i përket merkatos së verës. Pëlqimet e Dajës janë pikërisht disa lojtarë që ai i ka pasur te Skënderbeu dhe Flamurtari në këto tri vitet e fundit. Një prej tyre është edhe Gledi Mici, ndërsa më parë ka biseduar konkretisht me Sabjen Lilajn.

JORGIS MEMO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"