EKSKLUZIVE/ “Partizani gati për start”, Belica: Ja si e kapim Europën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 27, 2020 | 14:23

EKSKLUZIVE/ “Partizani gati për start”, Belica: Ja si e kapim Europën

Egzon Belica në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” tregon punën që po bëhet në kampin e kuq pas rikthimit nga izolimi 66-ditor, ku sipas tij, çdo gjë po shkon mirë dhe pa probleme. Ndonëse janë të rrezikuar nga dëmtimet dhe që duhet të zbatojnë protokollin shëndetësor për shkak të Koronavirusit, mbrojtësi i të kuqve pohon se gjithçka do ta bëjnë me qejf, vetëm që të nisë futbolli.

egzon belica

Duke ditur se vinin pas fitimit të titullit kampion, Belica e pranon se pritshmëritë ishin të mëdha, por gabimet e bëra këtë edicion duhen bërë mësim për vitin e ardhshëm, ku Partizanin e mendon pretendent kryesor. 10 javët e mbetura kanë rëndësi për “demat” për të shpëtuar sezonin, ku duhet arritur pjesëmarrja në Europë. Belica tregon se qëllimi i momentit është marrja e maksimumit të pikëve dhe Partizanin e shikon thuajse gati për rifillimin e kampionatit.

Egzon si ishte të riktheheshit në stërvitje me grupin pas një mungese 66- ditore?

Ka qenë një periudhë e gjatë dhe e vështirë për të gjithë, jo vetëm për ne sportistët. Të ktheheshe në stërvitje pas 2 muajsh, ishte diçka që mezi e kemi pritur dhe shpresoj se e keqja më e madhe ka kaluar.

Si ka shkuar kjo periudhë përgatitore dhe a keni pasur probleme me ngarkesën dhe ritmin?

Kemi pasur kohë shumë të shkurtër në dispozicion, pasi pushimi ka qenë shumë i gjatë. Gjithsesi, ngarkesën e kemi marrë me programe të veçanta dhe deri tani nuk është se kemi pasur ndonjë problem apo vështirësi. Shpresoj të vazhdojmë kështu deri në rifillimin e kampionatit.

Sa e vështirë është për një futbollist që të përshtatet me rregullat e reja, ku duhet ndjekur një protokoll i detajuar shëndetësor?

Rregullat janë ato që dihet dhe me patjetër ne duhet të përshtatemi me to. Do ta bëjmë me gjithë qejf, vetëm e vetëm që kampionati të rifillojë. Kemi kaluar kohë të gjatë pa stërvitje e pa futboll.

egzon belica

A ndihet gati Partizani për startin, ku sipas kalendarit e nisni më 3 qershor me Skënderbeun?

Po, besoj se ne jemi gati deri diku. Jemi stërvitur mirë në këtë periudhë kohore që kemi pasur në dispozicion dhe shpresoj ta nisim sa më mbarë pjesën në vazhdim.

Duke ditur se vini pas një pushimi mbi dymujor, plus ngjeshjes së kalendarit dhe temperaturave të larta, a u druheni dëmtimeve në pjesën në vijim?

Po, është e vërtetë që periudha e ndërprerjes ka qenë shumë e gjatë, ndaj edhe rreziqet për dëmtime janë shumë të larta. Gjithsesi, besoj se jemi stërvitur mirë dhe besoj se do ta përballojmë edhe kalendarin e ngjeshur.

Pjesa e mbetur ka shumë rëndësi për Partizanin për të shpëtuar sezonin, ku duhet të siguroni pjesëmarrjen në Europë. Besoni se do ta arrini këtë qëllim?

Qëllimi kryesor i skuadrës së Partizanit për javët në vazhdim është që të marrë maksimumin e pikëve. Ndeshjet e mbetura duhet t’i vlerësojmë maksimalisht dhe kryesorja është të niset me fitore.

Partizani ka shfaqur shumë luhatje në 26 javët e para, shpresoni te ndryshimi për mirë në 10 ndeshjet e mbetura?

Nuk ka qenë viti që kemi pritur. Vinim pas fitimit të titullit kampion dhe pritshmëritë ishin shumë të mëdha. Kemi pasur vështirësi dhe besoj se pushimi do të na kthejë në rrugën e duhur.

Një vit më parë (26 maj 2019) u shpallët kampionë, çfarë ndodhi te Partizani në 365 ditë, ku në vend të përmirësimit, keni pasur ulje në çdo aspekt sportiv.

Po, pikërisht sot (dje) është dita që zyrtarisht ngritëm trofeun e kampionit në Shqipëri. Ndaj, neve na del për detyrë tani që të marrim mësim prej këtij sezoni pas titullit, në mënyrë që të mos bëjmë gabimet e njëjta vitin e ardhshëm, ku besoj se do jemi përsëri pretendent kryesor.

egzon belica

Si e mendoni Partizanin e sezonit të ri?

Fillimisht të përfundojmë këtë sezon duke marrë pikët maksimale në ndeshjet e mbetura. T’i marrim një e nga një takimet që na kanë mbetur, pasi për Partizanin e ardhshëm ka kohë të mendohet.

ILIR CARA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"