EKSKLUZIVE/ “Partizani ende i fortë”, Hoti: Marr sërish titullin, qëllimi im është… (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 5, 2023 | 8:20

EKSKLUZIVE/ “Partizani ende i fortë”, Hoti: Marr sërish titullin, qëllimi im është… (E PLOTË)

Partizani dha shenja reagimi në ndeshjen e fundit ndaj Korabit në Kupë, ku arriti kualifikimin në çerekfinale. Të kuqtë do të ndeshen me Vllazninë në këtë raund. Një nga më të mirët në fushë ndaj dibranëve, por edhe ndaj Egnatias, ku gjeti golin, Engjëll Hoti tregon për objektivat që ka klubi i kuq. Dy realizimet e fundit duket se e kanë “ndezur” fantazistin, pas disa javësh në hije. Në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, “Dardani” tregon se Partizani do t’u kthehet shumë shpejt rezultateve pozitive. Ai shton se merret shumë mirë vesh me Kristian Mbanë, për të cilin ka fjalë të mira.

328946245_1306882856824232_8953244198602954334_n

Sa e rëndësishme ishte fitorja e fundit ndaj Korabit për Partizanin, por dhe për ju personalisht?

Ne çdo ndeshje e marrim seriozisht dhe kështu ndodh edhe në Kupë. Ishte një ndeshje e rëndësishme për ne dhe çdo lojtar, që është aktivizuar ditën e sotme ka dhënë maksimumin. Partizani lufton për të dy titujt dhe përveç kampionatit, edhe Kupa është e rëndësishme për ne. Keni shënuar në dy ndeshjet e fundit në kampionat.

Me statistika, ky sezon është më i miri për ju, megjithëse ju kanë penguar disi dëmtimet. Çfarë synoni deri në fund?

Qëllimi im kryesor është të ndihmoj ekipin sa më shumë me gola dhe me asiste dhe në fund për të dalë sërish kampion. Kjo është dëshira ime.

Si kanë ndikuar largimet në skuadër dhe a e ka Partizani ende forcën për të dalë kampion?

Po, në fakt kemi humbur lojtarë cilësorë brenda fushës, por edhe liderë jashtë saj, që na kanë ndihmuar në të dyja aspektet. Megjithatë, vazhdoj të kem të njëjtin besim te çunat, jemi një skuadër shumë e mirë dhe besoj se do të jemi deri në fund në garën për titullin kampion.

Në javët e fundit keni hasur vështirësi për të shkuar te fitorja. Sa uri ka Partizani për ta bërë këtë ndaj Laçit?

Sigurisht që e duam fitoren dhe kam besim se do të rikthehemi ta bëjmë këtë në ndeshjen e radhës. Në ndeshjen ndaj Egnatias kemi treguar mjaft agresivitet dhe kemi qenë mjaft të lëvizshëm në fushë. Kjo na bind të besojmë se mund të bëjmë mirë në vazhdimësi.

Kanë ardhur disa lojtarë në merkato. Mendoni se ata i kanë aftësitë për të zëvendësuar largimet e deritanishme?

Deri më tani me Kristian Mbanë, i cili është aktivizuar pak më shumë, po ambientohem shumë mirë, sepse loja jonë përshtatet shumë. Ai është një lojtar shumë i fortë fizikisht, që i mbron topat dhe i kthen mbrapa për mua. Ky është një bonus shumë i madh për skuadrën tonë

 

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"