EKSKLUZIVE/ “Partizani donte t’u jepte më shumë para lojtarëve të panjohur”, Atanda: Gabim që nuk mbajtën futbollistët kampionë (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 5, 2020 | 23:54

EKSKLUZIVE/ “Partizani donte t’u jepte më shumë para lojtarëve të panjohur”, Atanda: Gabim që nuk mbajtën futbollistët kampionë (E PLOTË)

Një nga lojtarët kyç në sezonin historik të Partizanit ka shumë për të thënë kur pyetet se çfarë ndodhi me të kuqtë këtë edicion. Pas një sezoni që ai e konsideron tepër pozitiv në aspektin personal në Izrael, Sodiq Atanda tregon edhe ambiciet që ka për vazhdimësinë e karrierës së tij. Ish-qendërmbrojtësi i të kuqve analizon të gjitha ndryshimet që ndodhën. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport” ai nuk preferon të japë emra për ata që bënë gjithçka nuk duhet pas titullit, por ia atribuoi klubit të gjitha veprimet jo të duhura, sipas tij, të cilat prishën një mekanizëm loje, një filozofi dhe një… familje të krijuar mes lojtarëve, trajnerit dhe gjithkujt, që çuan Partizanin te titulli pas më shumë se dy dekadash e gjysmë.

atanda

Atanda, si po ju shkon karriera në Izrael?

Gjithçka po shkon mirë. Futbolli në Izrael nuk është si në Shqipëri.

Pse, si është?

Nuk është shumë i fortë, por shumë taktik dhe luan i gjithë ekipi.

Çfarë diferencash të tjera keni vënë re nga Shqipëria në Izrael?

Futbolli në Shqipëri është i fortë, fizik, por jo taktik. Gjithashtu, në Izrael stadiumet janë më komode, më të mira. Këtu ka më tepër para.

A jeni i lumtur me çfarë keni bërë në sezonin që lamë pas?

Edhe po, edhe jo. Them jo, për faktin se me atë që ndodhi për shkak të “COVID-19”, e cila mbi të gjitha bëri edhe largimin e tifozëve nga stadiumet, është diçka vërtet e keqe. Tifozët janë ata që të bëjnë të tregosh më tepër në fushë. Janë mungesë e madhe…

Atanda Belica

Do të qëndroni te Hapoel Kfar Saba apo keni dëshirë të ndryshoni skuadër?

Sigurisht që kam dëshirë të ndryshoj ekip dhe të transferohem te një ekip i madh. Në fakt, nuk kam dëshirë vetëm të ndërroj ekipin…

Çfarë synoni më konkretisht?

Kam luajtur në Europë me Partizanin, në Champions dhe Europa Ligë në fazat kualifikuese dhe dua që t’i provoj sërish ndeshje të tilla me një ekip të mirë që ka ambicie madhore. Shpresoj që ta arrij diçka të tillë, edhe për faktin se kam pasur një sezon pozitiv në aspektin personal. Edhe referuar statistikave dhe të dhënave në “Transfermarkt”, renditem i pari në skuadrën time për vlerën si lojtar, ndërkohë që jam i 91-ti në raport me futbollistët nigerianë.

A keni pasur oferta deri tani?

Po, por nuk mund t’ju zbuloj asgjë pa u bërë zyrtare.

A e ndoqët kampionatin shqiptar këtë sezon dhe ç’ju bëri përshtypje?

Të jem i sinqertë, që në fillim kam menduar Tiranën ose Kukësin si ekipet që mund të fitonin titullin kampion. Megjithatë, unë mendoj se Tirana e meritoi që të shpallej kampion këtë sezon.

Nga ekipi kampion ku ju ishit pjesë e tij, Partizani pati një rënie të lirë dhe mbeti pa Europë. Pse ndodhi kjo, sipas jush?

Sipas meje, ata nuk vlerësuan çfarë kishin në ekip, deri në momentin që i humbën. Kur ke një skuadër që është duke bërë mirë, po fiton, e vetmja gjë që duhet bërë është që të shtosh vetëm një apo dy lojtarë. Ky është ndryshimi i vetëm. Me ata dy lojtarë që afron, të mendosh ta forcosh skuadrën në pikat ku ka më tepër nevojë. Vetëm kaq. E keni parë sa ndryshime dhe sa largime ka nga ekipi kampion i Partizanit? Ibrahimi, unë, Mensah, Hila, Asani, Duka, Hebaj dhe trajneri gjithashtu. Të gjithë këta lojtarë kanë qenë të rëndësishëm në ekip.

atanda

Por erdhën lojtarë të rinj…

Lojtarët e rinj që vijnë në ekip, kanë nevojë për kohë që të adaptohen me sistemin e kampionatit, me futbollin në vendin ku shkojnë. Po ju bëj unë prapë një pyetje. Cilët janë futbollistët e rinj të cilët duan t’i shohin para se të ambientohen? Kote? Ferhati? Bitri? Unë mendoj që jo.

Për disa prej lojtarëve apo për trajnerin, klubi është shprehur se ka qenë zgjedhje për arsyet personale të secilit largimi nga Partizani…

Prandaj ju thashë më sipër që klubi nuk i vlerëson lojtarët. Diçka të cilën ti nuk e arrin dot për 26 vite me radhë dhe ia del pastaj me një grup, duhet ta mbash këtë grupin fitues. Dhe nevojitet vetëm që të bësh çfarë kanë nevojë ata që janë pjesë e këtij grupi dhe ta lësh spektaklin të vazhdojë…

Për çfarë e keni fjalën, çfarë kishin nevojë?
Për shembull një lojtar që merr 3 mijë dollarë apo euro, çfarëdo qoftë, duhet t’ia bësh 4000 ose 5000. Dhe këtë duhet ta bësh sepse ti tashmë e di që ai po bën më të mirën, pasi ai e tregoi duke fituar.
Partizani555
Përmendët disa herë mosvlerësimin nga Partizani. A keni diçka konkrete për ta treguar se si ndodhi kjo?
Patjetër! Ata nuk donin që t’u jepnin lojtarëve të vjetër më shumë para, megjithëse i njihnin shumë mirë se çfarë ishin të aftë që të bënin, por donin që t’u jepnin më shumë para lojtarëve të rinj dhe të panjohur (qesh…). Për termat të vjetër, i referohem grupit të lojtarëve në sezonin e titullit, dhe të rinj, lojtarët që erdhën në sezonin pasardhës. T’ju them edhe diçka: Nuk mund t’i vlerësosh lojtarët me çanta bosh, sepse, përndryshe për çfarë janë duke punuar ata? Në shi, në diell, në borë… Pse po sakrifikojnë?

Kush është fajtori, sipas jush, për këtë?
Nuk dua të etiketoj asnjë person, por dua të them se e ka bërë klubi.

Po gabimi më i madh që ka bërë Partizani, sipas jush, cili është?
Që nuk mbajtën lojtarët të cilët fituan titullin me Partizanin. E them këtë si gabimin më të madh, sepse ne kuptoheshim me njëri-tjetrin. Njihnim mënyrën e lojës së secilit. Unë mendoj që është shumë e vështirë të bësh shumë ndryshime në një ekip. Shihni ç’bëjnë ekipe të mëdha si Juventusi, Liverpuli apo Reali i Madridit. Maksimumi, tri ndryshime, të cilat i vijnë në ndihmë ekipit dhe heqin 2 apo 3 lojtarë që nuk janë në shërbim të tij. Por, të heqësh 6 apo 7, së bashku me trajnerin? Janë shumë…

A keni ruajtur kontakte me ndonjë nga Partizani dhe kush është miku juaj i mbetur ende nga skuadra?
Po, kam me të gjithë. Kam raporte të mira me të gjithë në klub.

E mendoni një rikthim te Partizani?
Hmmm… Futbolli është shumë i këndshëm, për të qeshur… E them këtë, sepse Shqipëria është si shtëpia ime e dytë. Ndihem shumë rehat kur jam në Shqipëri dhe gjithashtu kur luaj atje. Ndaj, lidhur me pyetjen tuaj, shpresoj që të jetë një po përgjigjja për ju. Mirëpo, jo tani. Për të treguar sa mirë kam kaluar në Shqipëri, ju them edhe që unë komunikoj ende me lojtarët e Apolonisë, me drejtorin e skuadrës. Kam jetuar gjashtë vite në Shqipëri dhe nuk kam pasur asnjëherë asnjë zënkë me askënd për sa kohë kam jetuar atje.

Po thoni që ka shanse të riktheheni në Superiore me Apoloninë?
Jo. Nuk do të kthehem tani që të luaj në Shqipëri. Personalisht kam të tjera ambicie për momentin. Synoj që të luaj në Europën Qendrore, në Gjermani, Francë, Spanjë ose Itali…
gega
Skënder Gega, ish-trajneri juaj te Partizani, është prezantuar si trajner i Kukësit. Surprizë për ju?
Jo aspak, sepse ne flasim vazhdimisht, pothuajse çdo javë. Gega është trajneri, vëllai dhe miku im.

A keni marrë ofertë nga ndonjë ekip shqiptar së fundmi?
Jo.

A keni ndërmend të riktheheni në Shqipëri?
Jam duke u përpjekur që të vij në Shqipëri, pasi kam aplikuar për të marrë pasaportën shqiptare. Mirëpo, situata e krijuar prej pandemisë ka ngadalësuar gjithçka.

Në mediat nigeriane është folur për racizëm në vendin tonë. Egbo ka përmendur gjithashtu raste. Ju a keni ndier racizëm në Shqipëri?
Jo!
Egbo Tirana
Si e shikoni triumfin e Egbosë ju dhe si perceptohet kjo në Nigeri?
Pikë së pari, mua më pëlqen Egbo, për faktin se ai krijon raporte shumë të mira me lojtarët e tij. Jo vetëm kaq, por edhe i bën lojtarët që të luajnë vetëm në bazë të meritës. Sa i përket vendit tonë, në Nigeri nuk jemi të surprizuar për këtë, pasi mendojmë pozitivisht dhe jemi ambiciozë. Në momentin që klubi i besoi atij, ai ua vërtetoi atyre se çfarë është i aftë të bëjë.

OLSI TUJANI – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"