EKSKLUZIVE/ “Partizani do të ngrihet sërish”, Jasir Asani lë Tiranën jashtë garës për kreun: Ja cilët janë rivalët e të kuqve këtë sezon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 16, 2021 | 20:32

EKSKLUZIVE/ “Partizani do të ngrihet sërish”, Jasir Asani lë Tiranën jashtë garës për kreun: Ja cilët janë rivalët e të kuqve këtë sezon

Ish-sulmuesi i Partizanit, Jasir Asani, u transferua në verë në Hungari te skuadra e Kisvardas. Lidhja e tij me Partizanin dihet se është shumë e ngushtë dhe Asani gjithmonë e ndjek ish-skuadrën e tij. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Asani ka folur për humbjen e Partizanit në javën e parë, merkaton e bërë nga drejtuesit, si dhe për ecurinë e sezonit, ku mendon se afrime si Kaçe e Mala do ta ndihmojnë shumë Partizanin të arrijë te titulli kampion.

Jasir Asani Partizani

Nuk mungoi asnjë koment për Agim Ibraimin duke thënë se shpreson që një ditë ta shikojë me fanellën e Partizanit. Ndërsa për zëvendësuesin e tij, i cili po mungon ende te “demat”, Asani tha se të mbash fanellën e Partizanit është shumë e rëndë, por beson te dy emra, si Gresild Lika dhe Tedi Cara.

Jasir, Partizani e nisi me humbje sezonin e ri, si ju duk paraqitja e skuadrës?

Nuk ka qenë Partizani aty ku duhej, besoj se ka akoma lojtarë që nuk njihen siç duhet mes vete sepse ka shumë lojtarë të rinj dhe duhet pak kohë që ta mësojnë lojën e njëri-tjetrit. Por Partizani do të ngrihet aty ku e ka vendin. Ka qenë një ndeshje e mirë në përgjithësi.

Trashi është shprehur se kjo humbje nuk duhet bërë dramë pasi ishte java e parë e kampionatit. Ndani po të njëjtin mendim?

Normal sepse është vetëm java e parë edhe s’duhet ta bëjmë dramë, por ekipi duhet sa më shpejt të shkojë te fitorja. Besoj se këtë ndeshje kundër Skënderbeut do ta fitojë Partizani sepse tani nuk lejohen shumë gabime. Ka edhe shumë ndeshje deri në fund.

Si ju është dukur merkatoja e Partizanit, pasi kanë afruar 18 futbollistë?

Besoj se kanë bërë më të mirën drejtuesit, pasi kanë marrë futbollistë cilësorë. Ata e dinë se ku kanë ardhur sepse Partizani është një klub shumë i madh. Mendoj se janë futbollistët e duhur për Partizanin, nuk i njoh shumë ata që kanë ardhur.

Partizani ka aktivizuar disa futbollistë në të djathtë të sulmit, por duket se nuk po zëvendësohet dot Jasir Asani…

(Qesh). Nuk di ça të them sepse ka lojtarë të mirë te Partizani. Nuk di ça të them, por di vetëm se fanella e Partizanit është shumë e rëndë, duhet të djersitet shumë. Lojtarët duhet të jenë krenarë për atë fanellë, por besoj se Lika apo Cara mund të bëjnë mirë në atë pozicion.

jasir asani 1

Si ju duken afrimet e Kaçes dhe Malës?

Mala është një lojtar që ka luajtur te Partizani dhe e dinë të gjithë shumë mirë se çfarë cilësie ka ai si lojtar. Besoj se do ta ndihmojë shumë ekipin. Kaçe është një lojtar shumë i mirë, me cilësi të jashtëzakonshme. Mendoj se do të përshtatet shumë shpejt te Partizani sepse ka luajtur në shumë kampionate të forta. I uroj veç suksese te Partizani, besoj se do të bëjë diferencën për ta ndihmuar ekipin të shkojë drejt titullit.

Mendoni se niveli i kampionatit shqiptar ka rënë pasi janë larguar shumë lojtarë cilësorë?

Unë mendoj se ka lojtarë shumë të mirë kampionati shqiptar…

Cilat ekipe i konsideroni favorite për titullin?

Mendoj se do të jenë Partizani, Teuta, Vllaznia, Dinamo dhe Kukësi. Këto ekipe do të jenë për titull, por se kush është ekipi më i mirë do të tregohet në vazhdim, pasi kampionati është shumë i gjatë.

Cili ekip mendoni se do të vuajë këtë sezon në Superiore?

Nuk e di sepse të gjitha ekipet kanë bërë lëvizjet e mira, nuk e di me të vërtetë sepse është vetëm java e parë, nuk e di.

jasir asani bylis

Agim Ibraimi zgjodhi Dinamon para ekipeve të tjera, përfshirë edhe Partizanin. Pse mendoni se ka bërë këtë zgjedhje?

Kam folur me Ibraimin para se të zgjidhte Dinamon, ka pasur ofertë edhe nga Partizani, por edhe nga të gjitha klubet më të mira në Shqipëri. Kemi folur shumë rreth Partizanit, por është e drejta e tij se ku vendos të luajë. Nuk e mohoj që do të kisha dëshirë një ditë ta shikoja te Partizani, por tani është te Dinamo, po bën shumë mirë dhe i uroj veç suksese vëllait tim. Shpresoj të jetë dhe golashënuesi më i mirë në kampionatin shqiptar.

VERONIK ISTREFAJ  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"