EKSKLUZIVE/ Partizani dhe Laçi në sulm, dy klubet e Superiores duan shërbimet e mbrojtësit të Skënderbeut

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 7, 2022 | 14:43

EKSKLUZIVE/ Partizani dhe Laçi në sulm, dy klubet e Superiores duan shërbimet e mbrojtësit të Skënderbeut

Jorgo Meksi i jep kohë vetes për të ardhmen. Ndonëse dyert e Skënderbeut i ka të hapura, mbrojtësi nuk dëshiron që të nxitohet.

JORGO MEKSI

Është i vendosur për të kapur mundësinë më të mirë për sezonin 2022/2023 dhe prioriteti mbetet transferimi… jashtë vendit.

Në mungesë, nuk do të anashkalonte as opsionet që do t’i vinin nga elita. Dhe ofertat nuk i kanë munguar.

Burime për “Panorama Sport” bëjnë me dije se Partizani dhe Laçi janë interesuar për shërbimet e futbollistit, ndonëse ai vetë preferon më së shumti një aventurë përtej kufijve të Shqipërisë.

MEKSI – Korçari thyen heshtjen. Pas një mungese të gjatë dhe sikleteve që ka hequr me dëmtimet, mbrojtësi vendos që të flasë.

Komenton rënien e Skënderbeut dhe ndien keqardhje që nuk mundi të ishte në fushë atëherë kur ekipit i duhej më shumë. Zbulon diçka më shumë për të ardhmen e tij.

Qëndrimin në Korçë nuk e përjashton si mundësi, por as nuk dëshiron që të nxitohet në vendim marrje.

“Fjalët në situata të tilla janë të panevojshme. Është diçka që nuk do të donim ta kishim provuar kurrë, por faktorë të ndryshëm ndikuan dhe ndodhi e paimagjinueshmja.

Ndihem keq edhe për faktin se në muajt më delikatë, si pasojë e dëmtimit nuk kam dhënë dot kontributin tim tek ekipi.

Por kam bindjen se Skënderbeu do të dijë të ringrihet dhe do të kthehet të jetë në majat e futbollit shqiptar.

Këtë e them me bindje pasi e njoh mjaft mirë filozofinë e atij klubi. Personalisht nuk kam vendosur ende asgjë për të ardhmen. Kontrata me Skënderbeun më ka përfunduar dhe kam disa oferta si në Shqipëri, në Greqi, por jo vetëm…

Por do të shoh se çfarë do të jetë më e mirë për mua.

Për momentin jam duke marrë veten nga ai dëmtim i gjatë dhe nuk dua të bëj hapa të nxituar.

Megjithatë, edhe një qëndrim te Skënderbeu nuk e përjashtoj”, theksoi Jorgo Meksi për “Panorama Sport”.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"