EKSKLUZIVE/ “Partizani del kampion”, Selmani: Forca duket edhe me Kastriotin, e bëj sefte

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 19, 2023 | 11:50

EKSKLUZIVE/ “Partizani del kampion”, Selmani: Forca duket edhe me Kastriotin, e bëj sefte

Partizani luan të dielën në orën 16:00 në stadiumin e kuq ndeshjen e radhës në kampionat ndaj Kastriotit. Para kësaj përballjeje ka folur sulmuesi i “demave”, Remzifaik Selmani.fm,fNë intervistën e parë të tij si lojtar i Partizanit, ekskluzivisht për “Panorama Sport”, sulmuesi tetovar flet për aventurën e tij në kryeqytet. Ai shprehet se do të mundohet që goli i parë si i kuq të vijë ndaj Kastriotit.

Aventura juaj e parë në Shqipëri. Si po ju duket futbolli shqiptar?

Më pëlqen shumë kampionati këtu, është një ligë me skuadra shumë të mira. Siç shihet në tabelë, të gjithë ekipet kanë treguar cilësitë e tyre dhe shumë ekipe janë në luftë për kreun e tabelës. Ka konkurrencë dhe kjo tregon se cilësia e kampionatit është shumë e mirë.

Ju ishit një nga më të mirët në Maqedoni dhe e njihni mirë futbollin atje. Ku ndryshon me Shqipërinë?

Ndryshmi është se këtu ka më shumë konkurrencë mes ekipeve në kampionat. Në Maqedoni nuk ka shumë ekipe që luftojnë për titullin kampion. Shumica e tyre kërkojnë të qëndrojnë në mesin e tabelës dhe nuk kanë ambicie shumë të mëdha. Kjo e bën diferencën.

Shënuat 15 gola me Renovën sezonin e shkuar dhe ishit një prej më të mirëve. Cilat janë tashmë objektivat me Partizanin?

Objektivi është i qartë, Partizani si gjithmonë është një ekip që lufton për titullin. Synimet nuk kanë ndryshuar, që kur kam ardhur këtu e kemi të qartë se do të luftojmë deri në fund të kampionatit për të dalë kampionë. Sa i përket objektivave të mia si sulmues, unë normalisht kam detyrë të bëj gola dhe të ndihmoj ekipin. Në këtë aspekt do të mundohem të punoj shumë dhe të jap më të mirën për të ndihmuar Partizanin që të dalë kampion.

Cila mendoni se është arma juaj më e fortë në fushë?

Nuk e di, të të them të drejtën nuk e kam testuar veten ndonjëherë që të them se kjo është më e fortë, por mendoj se karakteristike kam shpejtësinë, vrapimin dhe angazhimin për ekipin, si dhe shpirtin luftarak. Këto do t’i veçoja si armët më të forta të miat.

Kush këmbënguli më shumë të transferoheshit në kryeqytet?

Personi i parë që më ka kontaktuar ishte drejtori sportiv, Elton Marini. Diskutuam mbi gjithçka dhe në fund unë e konsiderova si një ofertë shumë të mirë duke njohur Partizanin si ekip me traditë.

Është më e vështirë të luani për Partizanin në krahasim me Renovën duke pasur parasysh se janë skuadra me objektiva të ndryshme?

Normalisht, ka një ndryshim të madh, sepse këtu objektivat janë për titullin kampion, më të larta dhe kuptohet që kërkohet më shumë dhe presioni është më i lartë. Gjithsesi, për mua mendoj se do të ndikojë më shumë pozitivisht, sepse më ndihmon të fokusohem për të arritur maksimumin tim dhe për t’u ngritur si lojtar.

Cili pozicion ju pëlqen më shumë? Si qendërsulmues apo në krah?

Nuk është se kam ndonjë nga pozitat më të pëlqyera. Mund t’i bëj të dyja rolet, kam luajtur në të dyja dhe ndihem shumë mirë. Nuk gjej ndonjë diferencë nëse luaj në njërin apo tjetrin rol.

E shihni Partizanin si një trampolinë për t’u rikthyer në një kampionat më të fortë dhe më të pasur?

Përse jo? Siç e kemi parë, Partizani në kohët e fundit ka bërë transferime shumë të mëdha nëpër klube të mira në Europë dhe normalisht çdo lojtar synon ta shfrytëzojë mundësinë që të jep ky klub dhe të bëjë një hap më të madh për në Europë dhe jo vetëm.

E gjetët Partizanin në një situatë jo fort të mirë. Jeni rritur si skuadër tani që ju jeni këtu? Jeni bërë më të fortë?

Po, të them të drejtën ishte një moment jo fort i mirë nga ana e rezultateve, por normalisht kjo është normale në një skuadër që pëson shumë ndryshime. Ka pasur disa largime dhe afrime dhe mendoj se duhet pak kohë që të kompozohen të gjithë lojtarët. Së pari, të mësojnë atë që kërkon trajneri nga ekipi, pastaj lojtarët të ambientohen me klubin, vendin dhe njëritjetrin. Kjo kërkon kohë, por besoj se dalëngadalë po ndodh, sepse po përmirësohemi shumë dita-ditës

Sot luani me Kastriotin, që nuk e keni mposhtur dot në këtë sezon. Sa të vështirë e prisni?

Po, mendoj se na pret një ndeshje shumë e vështirë, sepse kështu është i gjithi ky kampionat. Nuk ka ndeshje të lehtë. Javë pas javë shohim rezultate të ndryshme. Ekipet e pozicionuara poshtë në renditje marrin shpesh fitore dhe barazojnë me skuadrat lart. Por nëse ne do të kemi shpirtin luftarak si në derbi dhe në ndeshjen e shkuar ndaj Vllaznisë mendoj se do t’ia dalim dhe do të arkëtojmë tri pikët ndaj Kastriotit.

Është e vështirë të motivoheni për ndeshjet ndaj skuadrave jo me shumë emër si Kastrioti?

Është më e vështirë, por në këto ndeshje tregohet forca e një ekipi të madh. Nuk duhet të ketë aspak ndryshim motivi me Kastriotin krahasuar me Tiranën e Vllazninë. Një ekip me mentalitet fitues duhet të jetë i motivuar çdo ndeshje, pa marrë parasysh se me kë luajmë.

Pra, ju e shihni Partizanin si një pretendente kryesore për të fituar titullin kampion?

Po, unë mendoj se Partizani në fund do të dalë kampion.

Si ka ndikuar emocionalisht te ju fakti që fituat, por u eliminuat në ndeshjen me Vllazninë?

Kur eliminohesh nuk është mirë, pavarësisht se bëmë një ndeshje shumë të mirë me Vllazninë në ndeshjen e kthimit në Kupë. Luajtëm shumë mirë, por në fund u eliminuam, sepse në Shkodër nuk bëmë mirë. Jemi të kënaqur me angazhimin dhe me lojën që kemi bërë. Nuk jemi të kënaqur me eliminimin nga Kupa, por nuk do të ndikojë aspak në ndeshjen e radhës. Duhet të mobilizohemi në maksimum dhe fokusohemi totalisht. Para janë tri pikë shumë të rëndësishme për të shkuar te titulli.

Sa do të vonojë goli juaj i parë me fanellën e kuqe?

Nuk besoj se do të vonojë. Mendoj se ndeshjen e radhës me Kastriotin do të vijë goli i parë.

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"