EKSKLUZIVE/ “Partizani bën diferencën, iu ngec topi në vijë sepse…”, Sukaj: Laçi i rrezikshëm, Vllaznia 40% shanse (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 9, 2021 | 23:55

EKSKLUZIVE/ “Partizani bën diferencën, iu ngec topi në vijë sepse…”, Sukaj: Laçi i rrezikshëm, Vllaznia 40% shanse (E PLOTË)

E përzgjodhëm jo rastësisht për të bërë një analizë mes dy pretendentëve kryesorë për në duelin për titull. Xhevahir Sukaj e ka thënë shpesh se e ka zemrën të ndarë mes Vllaznisë dhe Partizanit, por kur e pyet se cila shpallet kampione, atëherë nis të mendohet më gjatë sesa kur gjuante një penallti vendimtare.

sUKAJ XHEVO

“Vështirë të bësh parashikime me saktësi, – thotë ish-bomberi shkodran. – Vllaznia është favorite, por Partizani ka më shumë kualitet. Ah, se për pak harrova: Kujdes Laçin. Janë të frikshëm”. Ai ka luajtur me të dyja ekipet dhe ua njeh pikat e forta, ashtu si edhe dobësitë.

Në intervistën për “Panorama Sport” Sukaj i jep 40% shanse Vllaznisë, ndërsa pjesën tjetër e ndan mes Partizanit (30%) dhe Laçit (30%). Mandej nuk kursen edhe një batutë: “Po të kishte Vllaznia një Sukaj në formë, as që do ta diskutonte kampionatin…”.

Dueli i titullit është fokusuar te Vllaznia dhe Partizani. Çfarë ju pëlqen më shumë nga Vllaznia dhe çfarë nga Partizani?

Vllaznia doli spontanisht pretendente dhe kjo më ka krijuar shumë habi, por më jep edhe kënaqësi. Asnjë nuk e ka pritur këtë. Vllaznia ka treguar se ka bërë një futboll shumë më të bukur se ekipet e tjera. Vuajti vetëm në ndeshjen me Partizanin, por për fatin e mirë të saj doli me pikë. Gjatë gjithë këtij kampionati e kam parë në vështirësi vetëm kundër Partizanit. Kjo i ndodh edhe Barcelonës dhe jo më Vllaznisë…

Dakord, por çfarë ju pëlqen saktësisht te shkodranët?

Vllazninë unë e shoh shumë të përgatitur. E shoh pretendente kryesore sepse ka grupin të bashkuar dhe kanë shumë besim te vetja. Partizani, me hapjen e merkatos, ka marrë disa emra shumë të rëndësishëm, por të shohim se nuk do ta kenë aq të lehtë të ambientohen.

Koha ka treguar që revolucionet e janarit jo gjithmonë i kanë shërbyer Partizanit…

Po, e di këtë. Madje, mendoj se Partizani me afrimet, pavarësisht se me cilësi të lartë, mund të humbë pak kohë derisa t’i përshtatë të gjithë. Pra, të funksionojnë si grup. E them këtë sepse kampionati po luhet dhe nuk i jep kohë. Me diferencën e pikëve që ka Partizani, dy ndalesa e çojnë shumë mbrapa. Por, unë i mëshoj asaj, që nuk mund të përjashtohet Laçi. Për mua Laçi është i favorizuar, si me Partizanin, si me Vllazninë.

E keni fjalën për atë që Laçi ka treguar deri tani apo grupi i lojtarëve që ka?

I referohem grupit të lojtarëve. Mendoj se nga grupi i lojtarëve që ka, Laçi është po aq sa Partizani dhe Vllaznia. Unë e shoh shumë të frikshëm Laçin, ekip shumë të përgatitur. Ardhja e Mazrekajt në formë do t’i shërbejë jashtëzakonisht shumë. Rikthimi i Nuabuezes është pa diskutim një plus. Nuk ka qenë asnjëherë Laçi më i frikshëm se sivjet.

Ç’mendim keni për afrimin e Ferhan Hasanit te Partizani?

E kam dëgjuar vetëm si emër sepse nuk kam luajtur ndonjëherë kundër tij. Është vlerë e shtuar e kampionatit dhe besoj se ka për t’i shërbyer shumë. Por, për mua blerja kryesore e Partizanit është Çinari, rikthimi i tij. Do Zoti edhe Hasani bën më të mirën për ekipin, por vlera e shtuar e Partizanit në këtë merkato është Çinari.

I njihni të dyja skuadrat. Cilën e shihni më të avantazhuar nëse do t’i analizonit repartet me detaje?

Sa u takon reparteve, Partizani është më i konsoliduar sesa Vllaznia dhe këtë e them me bindje.

sukajj

Pse?

Po t’i kapësh “kokë për kokë”, Partizani është më mirë sesa Vllaznia. Por, kjo e fundit ka një grup më të bashkuar, ka dëshirë të zjarrtë me të cilën mund ta hedhë poshtë diferencën e cilësisë me Partizanin. Te Vllaznia ka disa lojtarë, që ndoshta në ekipet e tjera ku kanë luajtur më parë nuk kanë dhënë maksimumin, por po na habisin me lojën e tyre. Kanë shpejtësi, ndërrim loje dhe qarkullim topi që nuk e ka bërë as Partizani, as Tirana, as Laçi sivjet.

Folëm për atë çka ju pëlqeni dhe çka vlerësoni. Çfarë nuk ju pëlqen te këto dy ekipe?

Mungon një sulmues goli te të dyja. Po ta kishte Vllaznia një Sukaj në formë, atë që ka luajtur para disa vjetëve… (qesh). Shkodranëve u duhej një lojtar më i fortë, që ekipi kundërshtar ta ketë frikë sulmuesin e Vllaznisë sepse kryeson kampionatin. Një skuadër që e pretendon këtë duhet të ketë sulmuesin më të mirë të kampionatit, por për momentin nuk e ka, por nuk e shoh as te Partizani një bomber. Është mangësi për të dyja ekipet.

Sapo e përmendët që Partizani e ka një bonus: U kthye Çinari…

Problemi është që Çinari nuk është sulmues “pykë”. Ata kanë lojtarë plot: Çinarin, Asanin, Hasanin, Bardhin, por një pykë krye sore nuk e kanë. Po të kishin Partizani dhe Vllaznia një “pykë”, do t’i fitonin ndeshjet më lehtë. Topi nuk do të ngecte te vija fatale dhe më pas nuk ka asnjë për ta shtyrë… Një bomber race shfrytëzon rastin, sjell trepikëshin dhe ndryshon rrjedhën e kampionatit. Ky është fakt.

Çfarë duhet të bëjë Vllaznia që ta fitojë titullin dhe çfarë duhet të bëjë Partizani që ta fitojë titullin?

Unë mendoj se Vllaznia duhet të jetë sa më e bashkuar që ta fitojë titullin. Sa më pak fjalë, sepse Shkodra e ka pak problem këtë pjesë. Po ta shikosh, pas humbjes me Laçin ka pasur diskutime dhe komente a thua se ka humbur Barcelona… Shkodra e ka këtë problem, sepse ashtu si kaloi në eufori kur mundën ekipet me emër dhe filluan festat, ashtu kalon dhe në krah të kundërt dëshpërimi.

Sukaj Xhevahir

Nëse humbet një ndeshje, sikundër me Laçin, bëhet një problem shumë i madh. Dhe kjo ndikon negativisht tek ekipi. Ndërsa Partizani këtë e ka favor sepse është më i konsoliduar. Ndoshta dhe njerëzit i ka më të rregullt në kuptimin që nuk e lënë t’i dalë situata nga dora. Partizani ka financat e plota, i ka të gjitha dhe si ekip e shoh më të kompletuar

Po ndonjë këshillë do t’ia jepnit një tifozi?

Partizani për mua në këto 3-4 javë e zgjidh kampionatin. Luan me Kukësin, Kastriotin dhe Laçin… Nëse ia del me sukses, jam i bindur që do t’i shkojë deri në fund titullit. Vllazninë e shoh të favorizuar nga kalendari, sepse imagjinoni që pas humbjes me Laçin të përballej me Partizanin… Mund të pësonte një goditje më të rëndë.

Si ju duket trajneri i Vllaznisë?

Unë e njoh personalisht. Është trajner shumë i përgatitur dhe kërkon maksimumin. Tipik gjerman. Fizikisht i ka përgatitur shumë mirë. Vllaznia, pas Laçit, është një nga ekipet më të forta fizikisht. Këtë e di shumë mirë sepse kam biseduar me disa lojtarë të Vllaznisë dhe e di që stërvitjen e bëjnë agresive. Po ta shohësh, as dëmtime nuk kanë pasur. Kjo do të thotë se janë stërvitur mirë.

A është paradoks që të dyja skuadrat që sot janë më afër titullit ose që janë etiketuar si pretendonte, nuk ka asnjëra një bomber?

Ky është problem i të gjitha ekipeve, përjashto Laçin. Edhe te Kukësi, edhe te Tirana nuk kam parë një sulmues i cili tërheq ekipin. Tirana ndoshta ka pasur mesfushor lider si Batha, që e kanë marrë ekipin përdore në momente të caktuara, por nuk shoh ndonjë sulmues që bën diferencën. Është Seferi te Tirana, por të them të drejtën, asnjëherë nuk është më i rëndësishëm se Muçi, pavarësisht emrit e golave që ka bërë

Nëse ju thonë të ndani në përqindje shanset për secilin ekip pretendent, sa do t’u jepnit?

Do t’i jepja 40 për qind Vllaznisë, 30 për qind Partizanit dhe 30 për qind Laçit. Kështu e ndaj unë. I jap Vllaznisë 40 për qind, sepse është 6 pikë përpara dhe me futbollin që ka luajtur, nuk kishte vend për ta diskutuar. Por, në Shqipëri situatat ndryshojnë… Fatkeqësi për Shkodrën është mungesa e tifozëve. Po t’i kishte pasur ekipi tifozët, besoj që sot Shkodra do të kishte qenë në festë.

JETMIR HALILAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"