EKSKLUZIVE/ Paraqitja e shkëlqyer në Europian, rrëfehet Evangjelia Veli: Rrezikova për medaljen…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 6, 2021 | 16:56

EKSKLUZIVE/ Paraqitja e shkëlqyer në Europian, rrëfehet Evangjelia Veli: Rrezikova për medaljen…

Evangjelia Veli shkëlqeu me para qitjen e saj në Kampionatin Europian të Peshëngritjes që po mbahet në Rusi. Sportistja kuqezi fitoi medalje bronzi në kategorinë e peshave 55 kg. Veli arriti që të fitonte medalje bronzi në stilin e shkëputjes.

Evangjelia-Veli

Shtangistja kuqezi, e cila garoi në kategorinë e peshave 55 kilogramë, ngriti 89 kg, duke zënë vendin e tretë. Në shtytje Veli u rendit e teta me 105 kg, duke e mbyllur dygarëshin në vend të pestë me 194 kg gjithsej. Me rezultatet e regjistruara në Moskë, Veli shënoi edhe tri rekorde të reja kombëtare.

Në një prononcim për “Panorama Sport”, 29- vjeçarja komentoi garën e saj në Europian duke e konsideruar si një nga më të fortat e kampionatit: “Ishte një garë e vështirë, pasi rivaliteti ishte shumë i lartë. Pozitiv ishte fakti që nuk u stresova, edhe pse e dija që sportistet e tjera ishin përgatitur dhe stërvitur ashtu siç duhej për një kampionat të tillë, sidomos në një vit kualifikues për në Lojërat Olimpike. Kështu që, pritej një garë me rivalitet të lartë, aq më tepër që kjo kategori peshe është ndër më të fortat e Europianit.

VELI

Fitimi i medaljes është një kënaqësi e madhe, duke parë vështirësitë, stërvitjen e pakët dhe stresin e kaluar. Megjithatë, unë synoj për më shumë dhe të them të drejtën kisha mundësi për më tepër, ku pesha 108 kg në shtytje do të më kishte dhënë medalje edhe në dygarësh, por megjithatë kemi Kampionatin Botëror dhe shpresoj që gjërat të shkojnë edhe më mirë”. E pyetur nëse e priste rezultatin e arritur, Evangjelia Veli thotë se rrezikoi që në fillim me pesha maksimale, pari kërkonte medalje: “Të them të drejtën e prisja, edhe pse deri para një jave ende nuk dinim se me çfarë peshash do të fillonim provat e para në garë, duke qenë se çdo ditë provonim pesha të reja.

Megjithatë, edhe pse prej kohësh kisha qëndruar pa stërvitje, trupi nuk harron dhe përgjigjet. Shpresa ime ishte që të vija në maksimum në momentin e garës dhe trupi të rikthehej në formën më të mirë. Në garë rrezikova që në fillim me peshë të lartë, pasi doja medalje dhe jam e lumtur që e arrita, duke vendosur gjithashtu edhe tri rekorde kombëtare.

Besoj që jemi të gjithë të kënaqur, por duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë”. Në fund ka një dedikim të veçantë për medaljen e fituar: “Ua dedikoj dy nipave të mi të vegjël, të cilët më mbajnë anën psikologjike të fortë dhe janë lumturia e jetës për mua”, përfundoi Veli

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"