EKSKLUZIVE/ Pagë 1.1 milionë euro, ja prapaskenat me Silvinjon te Shqipëria

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 5, 2023 | 23:41

EKSKLUZIVE/ Pagë 1.1 milionë euro, ja prapaskenat me Silvinjon te Shqipëria

Silvinjo është trajneri i ri i Shqipërisë. Braziliani 48-vjeçar do të pasojë Edi Rejën në krye të stolit kuqezi. Ka drejtuar për më pak se një sezon Korithiansin, 3 muaj Lionin në Francë dhe ka qenë për disa kohë një nga ndihmësit e Tites te Brazili para disa viteve.

PRAPASKENAT Për herë të parë ndoshta Duka u tregua i sinqertë me opinionin publik. Ia përmendi emrin Silvinjos publikisht në RTSH më 11 dhjetor dhe në fund zgjodhi pikërisht brazilianin. Në të kaluarën takohej me Nevio Skalën në FSHF dhe zgjidhte Ari Hanin, ose darkonte me Sedorfin në Durrës dhe lidhte kontratë me Panuçin. Këtë herë gjërat ndryshuan dhe Duka u tregua i drejtpërdrejtë me emrin e trajnerit, edhe pse korridoreve të FSHF-së “pëshpëritet” se nuk ishte një zgjedhje ekskluzive e Dukës. Thuhet që ka ardhur me bekim nga “lart” dhe se një pjesë e rrogës do të paguhet nga jashtë zyrave të FSHF-së. Ah, dhe meqë jemi te rroga, Silvinjo dhe stafi i tij pritet të marrin afro 1.1 milionë euro në 18 muaj.

KLAUZOLA FSHF-ja ishte kujdesur që në komunikatën e vet të theksonte mes rreshtave se kontrata do të jetë në varësi të rezultateve. E thënë ndryshe, ose të paktën nga ajo që ka arritur të zbulojë “Panorama Sport” brenda mureve hermetike të FSHF-së, është që Silvinjo së bashku me ndihmësit pritet të marrin afro 1.1 milionë euro në 18 muaj, por si kusht do të kenë kualifikimin në “Euro 2024”. Në rast se nuk ia dalin dot, atëherë është parashikuar nëpërmjet një klauzole që 25- 30 për qind e kontratës do t’u mbahet nga federata.

VINJO

KRISTI SEJATLLARI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"