EKSKLUZIVE/ “Pa eksperiencë nuk ia del dot në Kombëtare”, De Biazi: Shqipërisë i bën punë një… “menaxher”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 29, 2022 | 19:33

EKSKLUZIVE/ “Pa eksperiencë nuk ia del dot në Kombëtare”, De Biazi: Shqipërisë i bën punë një… “menaxher”

Xhani de Biazi thotë se Shqipëria ka shanse të mira që të kualifikohet në “Euro 2024” dhe duhet të kenë impenjimin e duhur të gjithë aktorët që të mund të realizohet ky objektiv i rëndësishëm.

de biazi

“Nuk mund të fokusohet gjithçka vetëm te trajneri. Natyrisht, ai është shumë i rëndësishëm, por duhet të jenë të gjithë faktorët në lartësinë e duhur për të arritur një objektiv të tillë. Shqipëria i ka mundësitë të kualifikohet në edicionin e ardhshëm, sepse rivalët në grup nuk janë të frikshëm. Sigurisht, duhet shumë punë, por unë mendoj se shanset janë vërtet shumë të mëdha”, deklaron ish-trajneri i kuqezinjve për “Panorama Sport”.

DUHET NJË “MENAXHER” Me De Biazin në krye Shqipëria u kualifikua në “Euro 2016” dhe shpreson që të përsërisë të njëjtin sukses edhe në “Euro 2024”.

Kur pyetet nëse Shqipërisë i duhet një “De Biazi” për të bërë gjëra të mëdha, ai nuk i kursen batutat: “Po, mund të duhej një ‘De Biazi’, por ai është i zënë, sepse ka kontratë deri në fund të vitit 2023 me Azerbajxhanin dhe ndihet shumë mirë aty…(qesh)”.

REJA DE BIAZI

Më pas kur pyetet se çfarë cilësish duhet të ketë trajneri i ri, De Biazi thotë: “Duhet të jetë shumë punëtor dhe një menaxher i zoti. Në Kombëtare ke shumë më pak kohë dhe shanse për t’i bërë gjërat siç duhet. Mirëpo që ta bësh duhet t’i marrësh maksimumin grupit të lojtarëve. Shqipëria sot e ka të shkëlqyer grupin e lojtarëve, por janë djem që vijnë nga kampionate dhe kultura të ndryshme. Pikërisht për këtë, them se duhet të jetë një menaxher i zoti dhe i tillë vështirë se bëhesh pa pasur eksperiencë. Unë e konsideroj shumë të rëndësishme eksperiencën në trajning, qoftë edhe në kategori të ulëta, sepse të ndihmon të përballosh situatat që krijohen brenda grupit. Padyshim, që duhet të jetë edhe i përgatitur profesionalisht dhe të ketë ambicie. Shqipëria ka nevojë për trajner ambicioz, punëtor, të ketë në CV-në e tij edhe suksese gjatë karrierës. Për mua nuk ka rëndësi nëse do të jetë i huaj apo vendës, mjafton që të ketë këto cilësi, sepse janë të rëndësishme kur drejton një Kombëtare që tashmë ka objektiva të mëdha”, u shpreh de Biazi.

JETMIR HALILAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"