EKSKLUZIVE / “Pa ego dhe grintë”, legjenda Demollari tregon zhgënjimin me Dinamon në derbi: Ika pas pjesës së parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 10, 2021 | 18:01

EKSKLUZIVE / “Pa ego dhe grintë”, legjenda Demollari tregon zhgënjimin me Dinamon në derbi: Ika pas pjesës së parë

Çfarë po ndodh me Dinamon? Nga një fitore 2-0 të kalosh në një humbje 4-0 ndaj të njëjtit kundërshtar mund të ndodhë, sepse futbolli i pranon të tria rezultatet, por ajo që nuk përtypet në ambientin dinamovit ka të bëjë për transformimin e skuadrës në fushë. Nga një skuadër e vendosur mirë në fushë dhe e qartë në veprime, në hiç…

demollari (1)

DEMOLLARI – Në gjykimin e Sulejman Demollarit, legjendës së gjallë të Dinamos, ajo humbje 4-0 ndaj Tiranës duhet të jetë një moment reflektimi i thellë nga të gjithë faktorët e klubit, stafi teknik dhe lojtarët. “Kur përfundoi pjesa e parë ika nga stadiumi sepse e dija që do të shkonte më keq në pjesën e dytë. Nuk e di pse, por pashë që skuadra nuk pati dëshirë në fushë, nuk pati atë egon sportive për ta fituar ndeshjen apo për të bërë diçka të mirë. Unë jam tip që e ndiej shumë emocionalisht atë që shoh në fushë dhe me Dinamon jam i lidhur që fëmijë. Nuk jam tip që bërtas, çirrem apo ulëras në stadium, e përjetoj brenda meje, ndaj dhe ika në pushim”, tregon Demollari në fillim të prononcimit ekskluziv për “Panorama Sport”.

MOMENT REFLEKTIMI – “Ka shumë gjëra, dhe që të gjithë ata që janë pjesë e Dinamos duhet të reflektojnë në këtë moment, secili duhet të marrë përgjegjësitë e veta, në mënyrë që ekipi të reagojë sa më shpejt sepse tani kjo është më e rëndësishme dhe mirë që jemi ende në fillim të garës. Nuk mendoj se është puna e mungesave sepse siç e thashë që në fillim, nuk pashë grintë dhe ego nga lojtarët në fushë. Në futboll ka shembuj pafund që një skuadër e madhe mundet thellë, është mundur edhe Brazili apo kemi rastin e Romës tani së fundmi, që u mund keq nga Bodo në Norvegji. Janë gjëra që në futboll ndodhin, ajo që duhet është që Dinamo të reagojë dhe për ta bërë këtë, secili duhet të dijë ku ka gabuar. Le të shpresojmë që do të ndodhë kështu”, ka shtuar më tej ish-futbollisti i famshëm i bluve.

dinamo

E VËRTETA – “Vështirësi ka dhe do të ketë. Te Dinamo janë bërë shumë gjëra të rëndësishme, e kemi thënë gjithmonë, sepse zoti Bardhi e ka marrë jo nga zeroja, por nga minusi. Është bërë skuadra nga e para, klubi, infrastruktura dhe akademia. Mendimi im është që në këtë moment skuadra është në vështirësi dhe duhet mbështetur për të reaguar që në ndeshjen e radhës. Për Dinamon dua të them vetëm të vërtetën, sepse kështu mendoj se mund të ndihmoj që ajo të ecë përpara. E ritheksoj, çdokush duhet të shohë, nëse e ka bërë apo jo mirë punën e vet dhe duhet të marrë përgjegjësitë. Kam dëgjuar të flitet për merkaton. Po, skuadra ka nevojë, si çdo skuadër tjetër, uroj që të vijnë ato përforcime që t’i bëjnë punë Dinamos”, përfundoi Demollari, i cili bashkë me disa ish-futbollistë të tjerë të Dinamos, ndjek çdo ndeshje të saj.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"