EKSKLUZIVE/ Omuri replikon me Nallbanin: Tirana është për mbijetesë! Vendi i katërt nga fundi, mirë për bardheblutë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 4, 2019 | 21:06

EKSKLUZIVE/ Omuri replikon me Nallbanin: Tirana është për mbijetesë! Vendi i katërt nga fundi, mirë për bardheblutë

Tirana është për titull apo për mbijetesë? A mund të bëjë gjëra të mëdha këtë sezon skuadra bardheblu? A po funksionon si duhet ekipi dhe klubi? 

omuri-nallbani

Janë pyetje që, në fakt, krijojnë ndasi edhe mes atyre që e kanë veshur për një kohë të gjatë fanellën e kësaj skuadre. Bedri Omuri pati thënë pak javë më parë se me ndryshimet e trajnerëve, me mënyrën se si ekipi pëson golat, Tirana mund të rrezikojë edhe rënien nga kategoria.

Krejt ndryshe është mendimi i Blendi Nallbanit, që një ditë më parë deklaroi për “Panorama Sport” se Tirana mund ta fitojë titullin. Madje, ai nuk e kurseu edhe vetë Omurin, duke e “ftuar” që ta drejtojë ai një herë skuadrën dhe të shohin edhe njerëzit se çfarë di të bëjë në të vërtetë. Bedri Omuri nuk ka dashur të hyjë në polemika të ashpra me Nallbanin, por një përgjigje ia ka dhënë. Madje, jo vetëm kaq, por nuk tërhiqet nga opinioni fillestar, se Tirana këtë sezon do të renditet e katërta nga fundi.

bedri omuri

REPLIKA 

“Ka thënë gjithçka ‘Tata’. Nuk ia vlen barra qiranë për të reaguar. Për të qenë i ndershëm, i çova një mesazh Nallbanit, por nuk e di nëse e ka parë apo lexuar…”, thotë fillimisht Bedri Omuri. Ndërsa kur vjen puna tek objektivat që diskutohen ethshëm këtë sezon, pasi përkon edhe me 100-vjetorin e klubit, Omuri i mbetet besnik mendimit të tij.

“Sa i përket çështjes së titullit, i shkrova Nallbanit se Tirana po zuri vendin e katërt nga fundi, mirë e ka… Kaq i thashë. Tirana në fund do të luajë në “play-off”, këtu do të jemi. E kam thënë këtë gjë edhe më parë në gazetë dhe ia thashë edhe ‘Tatës’”, deklaroi ish-mesfushori i shquar i Tiranës në vitet 1970-‘80. Ai ka qenë shpesh kritik për mënyrën se si menaxhohet klubi, kush e administron atë dhe për lojtarët, në veçanti për mbrojtjen që pëson gola amatorë. Në të njëjtën linjë me Omurin kanë qenë edhe personazhe të rëndësishëm të klubit bardheblu, si ish-trajneri Shkëlqim Muça, por edhe Sulejman Starova. Ata shpesh e kanë vënë theksin te pjesa defensive e Tiranës, që në momente të caktuara “tradhton” dhe hedh në erë punën e gjithë ekipit.

OLSI AVDIAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"