EKSKLUZIVE/ Olsi Teqja pa nostalgji ndaj Tiranës: Çdo ekip duhet pasur frikë, Kukësi shpallet kampion

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 6, 2019 | 10:25

EKSKLUZIVE/ Olsi Teqja pa nostalgji ndaj Tiranës: Çdo ekip duhet pasur frikë, Kukësi shpallet kampion

Olsi Teqja hedh pas krahëve traumën e tërmetit dhe paralajmëron fitore ndaj Tiranës. Ironia e fatit bën që ashtu si dy muaj më parë (më 21 shtator), të përballen me të njëjtin kundërshtar dhe në të njëjtat kushte. Këtë herë goditja ishte më fortë dhe pasojat më të rënda, e megjithatë mbrojtësi është i bindur se rezultati do të anojë nga Kukësi, ashtu si në fazën e parë. 

olsi teqja

Gjatë një interviste të dhënë enkas për “Panorama Sport”, 31- vjeçari e pranon që përballjet me ish-ekipin e emocionojnë, por kjo nuk e pengon që të kërkojë triumfin. Ai e quan një “derbi” këtë ndeshje, ndërsa tregohet i sinqertë kur thotë që në këtë kampionat duhet t’ia kesh frikën çdo ekipi.

Kanë kaluar gati 10 ditë nga tërmeti, e keni mbledhur veten tashmë?

Kaluam një situatë të vështirë, që nuk e përshkruan dot me fjalë. Ishte e rëndë për të gjithë dhe nuk po e heqim dot nga mendja. Normalisht që u frikësova, duhet të jemi falënderues që shpëtuam nga kjo tragjedi Kombëtare dhe të lutemi për viktimat.

I kujtoni ato 30 sekonda? 

Ishte një situatë kaotike, të cilën s’e kisha ndier kurrë më parë. Duke qenë pas mesnate dhe në gjumë të thellë, e bëri edhe më të rëndë këtë fenomen natyror. Si të gjithë, edhe unë bashkë me familjen e përjetuam shumë keq. Menjëherë braktisëm shtëpinë. Ishte i një shkalle mjaft të lartë, e cila për pak sa nuk shkaktoi tragjedi akoma më të rëndë kombëtare. Uroj që të mos përsëritet më kurrë.

olsi teqja

Edhe gjatë fazës së parë kur luajtët me Tiranën, më 21 shtator, një tërmet me magnitudë më të lehtë goditi Shqipërinë. Tashmë përballeni me të njëjtin kundërshtar dhe në të njëjtat kushte… 

Besoj se tani situata është qetësuar dhe të dyja ekipet e kanë mendjen vetëm te fusha e lojës. Shpresojmë të bëjmë një ndeshje të bukur e me nivel njësoj, si në fazën e parë në Elbasan.

Si ndihet Teqja kur përballet me ekipin e zemrës?

Këto përballje janë interesante e gjithmonë zhvillohen lojëra të mira e me emocion. Është një “derbi” dhe gjithmonë në të tilla takime nuk ka nevojë për stimuj ekstra, pasi kjo sfidë i mbart vetë në vetvete. Shpresoj shumë që çdo gjë të shkojë mirë për Kukësin. E vështirë do të jetë, por ne do të japim gjithçka për të arritur objektivat tanë, të cilët ia kemi vendosur vetes për këtë përballje.

I druheni kundërshtarit?

Çdo skuadre duhet t’i druhesh sot, sepse që të gjithë kanë dhënë prova që mund të fitojë me këdo. Janë ndeshje delikate që detajet bëjnë diferencën, por unë shpresoj shumë që ne të jemi në nivelin e duhur e të bëjmë ndeshje të mirë, ku në fund të dalim me tre pikët.

kukesi

Kë shikoni si rivalin më të fortë në garën për titull? 

Rival për titull mendoj se janë 4 skuadra. Ne të parët, si edhe Partizani, Tirana e Teuta. Gara do të jetë e fortë, e ashpër dhe emocionuese deri në fund. Shpresoj e besoj shumë që Kukësi t’ia dalë të kurorëzohet kampionia.

S.Sulozeqi

(INTERVISTËN E PLOTË E LEXONI NË VERSIONIN PRINT TË GAZETËS “PANORAMA SPORT”)

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"