EKSKLUZIVE/ “Oi, oi, me dele në mal”, ditari i Xhanit: Më shkatërruan Duka e doktori i madhërishëm (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 29, 2018 | 23:15

EKSKLUZIVE/ “Oi, oi, me dele në mal”, ditari i Xhanit: Më shkatërruan Duka e doktori i madhërishëm (E PLOTË)

Mjafton të lexosh një pjesë të shënimeve të Albert Xhanit, për të kuptuar se ai jo vetëm që nuk e pranon falimentin, por është i bindur se e shkatërruan faktorë të jashtëm. “Perandorinë e kuqe”, siç i pëlqen atij ta quajë klubin “Partizani”, beson se e ka sulmuar federata në koordinim me qeverinë “Berisha” të asaj kohe. Në ditarin e tij ish-presidenti i klubit Partizani e cilëson presidentin aktual të Besës, Nexhatin, si një bëzhdilë në oborrin e madh të FSHF-së ku çahen dru çdo ditë.

Ndërkohë, ish-kryeministrin Berisha nuk e përmend me emër, por e cilëson atë si doktorin e madhërishëm, që sipas Xhanit së bashku me FSHFnë e sulmuan aq shumë, saqë e shkatërruan plotësisht. Shënimet e datës 11 janar 2014 mbyllen me tone gatigati vajtuese, kur ish-kreu i klubit të kuq zbulon se i është dashur të shkojë çoban me dele ose të marrë rrugët e kurbetit për t’u rimëkëmbur. “Oi, oi, moj e mjera Shqipëri”, thotë Xhani…

duka xhani

PJESA 1 (E REDAKTUAR)

“Xhati i Kavajës” “Zakonisht zgjohesha herët në sabah, por atë ditë u zgjova nga ora 10 dhe meqë kisha humbur të gjitha takimet me VIP-at e supës në hotel “Rogner”, i them shpurës të shkonim te klubi i KUQ. Dera u hap dhe roja na nderoi, ndërkohë që shpura nxitoi të bënte adetet e veta. Zbrita, ndërrova mixhelin e shumtë, të njohur dhe të panjohur, që ishin aty dhe u futa në zyrë.

Hapa pak dritarezën dhe më pëlqeu të shihja barin e fushave që kish filluar të rritej me shpejtësi e s’di se ku humba midis vështrimit dhe mendimit. Bie dera, pashë tabakanë bashkë me kafen dhe shërbonjësen që pasi më uroi ditë të mbarë, u largua pak si me përtesë. S’kaloi shumë dhe përsëri u shfaq shërbonjësja. “Shef, kemi shumë takime, do të jetë mirë që të fillojmë që tani po ke kohë, jo nga ora 2 siç e kemi planifikuar në program. Erdhe që erdhe… “, më thotë. S’po kuptoja gjëkafshë ç’po llomotiste… Mirë unë që mund të ndryshoja gjithçka, po personat që do të bëja takimin ku do t’i gjeja?! Shërbonjësja sikur ma lexoi hallin dhe ma pret: “Shefi, kanë ardhur qysh në orën 7”. Po mirë i them, ti i di këto punë. Besoj i keni shqyrtuar dhe i keni nxjerrë kërkesat dhe problemet që kanë.

ditari albert xhani

“Patjetër, – më thotë ajo, – i kam të 30 takimet dhe i kam diskutuar edhe me drejtoritë përkatëse. Me përjashtim të problemit që ka PRESIDENTI I BESËS”. Ra zilja e telefonit, fola me dikë që s’po më kujtohet për disa sekonda. E mora përsëri fillin e bisedës dhe po dëgjoja ligjëratën e shërbonjëses. “Shefi, edhe pse e kemi në fund të listës, do të jetë mirë ta fillojmë nga presidenti i Besës”. Po pse? Ç’është ky president? Ç’është kjo Besë që paska edhe president? M’u kujtua Besa, çupa e Sabriut nga fshati.

“Po jo o shef, Besa është klubi i Kavajës dhe Nexhat Bizhdili është president i klubit”! Heu, thashë se më hutove fare. Besa qenka klub dhe jo çupë! Dhe Xhati qenka president dhe jo bëzhdilë druri?! Mirë shumë i them, po pse jashtë radhe? Nejse, futeni brenda i them. Shërbonjësja doli e pas pak minutash m’u shfaq para një njeri që m’u duk pak ezmer e më shumë arixhi. Shumë shumë i dobët, sikur nuk qe ushqyer kurrë. I veshur tepër sportiv, por me një gusto shumë të ngatërruar. Në njërën anë të dorës një byzylyk të shtrenjtë, në anën tjetër një orë kallapaçke! U ngrita, i zgjata dorën, i urova mirëseardhjen dhe e ftova të ulet në kolltuk”.

alber xhani ditari

PJESA E DYTË (E REDAKTUAR)

“Isha duke dëgjuar shumë llafe nga goja e tij (Bizhdilit), por nuk kuptoja asgjë. Nuk kuptoja se për çfarë e kishte muhabetin i gjori dhe m’u krijua ideja se shumë shpejt do të më duhej një përkthyes me të. Thashë me vete: të bëjmë një pauzë pak më të gjatë se zakonisht se mbase do të më thotë tamam pse është munduar, fukarai apo bosi ç’mund të jetë ai, që të mos i biem më qafë kot njeriut. E ashtu doli, ai u kthjellua, e mori fillin e lëmshit në dorë dhe ia nisi recitimit. Më erdhi mirë që iu zgjidh goja dhe qau hallin që kishte. Për të qe “i madhi” hall. Për perandorin tonë, ai ishte një bëzhdilë i vogël nga drutë që çaheshin çdo ditë në oborr.

“OK, – i thashë, – portën tonë do ta gjesh gjithnjë hapur. Takimi zgjati jo më shumë se nja 4 minuta dhe kur po ikte i them sërish presidentit Bizhdili se unë do ta quaja tani e tutje Nexhat Bej Kavaja, jo Nexhat Bëzhdilja, sepse sikur më tingëllonte më bukur në dialektin tim përmetar. E që nga ajo ditë kanë kaluar shumë vjet. Ujërat e perandorisë së kuqe të Xhanit, për fatin e keq, prej luftës së pandërprerë të DUKËS IV dhe DOKTORIT TË MADHËRISHËM, bënë të mundur shkërmoqjen totale! Kurse… NEXHAT BEJ KAVAJA u bë NEXHAT BEJ BERLUSKONI! DUKA PRESIDENT i përjetshëm i FUT BUALLIT shqiptar. DOKTORI I MADHËRISHËM u bë MBRET i DYNJASË DHE MEXHELISË. … dhe… Xhani… si gjithë të tjerët: O me dele në mal, o rrugëve të kurbetit. Oi, oi, o e mjera Shqipëri”.

JETMIR HALILAJ

Shënim: Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"