EKSKLUZIVE/ Oferta nga Kroacia, mesfushori i Partizanit aktivizim me “detyrim” për 250 mijë euro

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 17, 2018 | 21:39

EKSKLUZIVE/ Oferta nga Kroacia, mesfushori i Partizanit aktivizim me “detyrim” për 250 mijë euro

Partizani do të luajë të enjten ndeshjen e kthimit ndaj Mariborit e vlefshme për Europa Ligë, ku objektivi mbetet kalimi në turin tjetër edhe pse një gjë e tillë do të jetë mjaft e vështirë, duke parë edhe humbjen në shtëpi në shifrat 1-0. Por, në këtë ndeshje përveçse objektivit, drejtuesit e kuq do të synojnë të shesin edhe një prej talenteve të tyre.

bardhi

Bëhet fjalë për Jurgen Bardhin, mesfushorin me tipare sulmuese që sezonin e shkuar nuk e ka diskutuar një vend në formacionin bazë. Megjithatë, gjërat duket se kanë ndryshuar dhe nga ajo që u pa në ndeshjen e parë ndaj Mariborit e luajtur javën e shkuar në kryeqytet, lojtari nuk e ka të sigurt një vend titullari me ardhjen e Gegës në krye të stolit. Ai u aktivizua në pjesën e dytë të ndeshjes dhe bëri deri diku paraqitje të mirë edhe pse humbi një rast të pastër për shënim në minutën e 63-të, ku edhe pse përballë portierit kundërshtar, ka gjuajtur mbi traversë.

Partizani

OFERTA

Në ndeshjen ndaj Mariborit, Bardhi ka qenë i vëzhguar dhe nga skautët e skuadrës kroate të Lokomotivës së Zagrebit, që janë interesuar për të marrë shërbimet e 20-vjeçarit. Këta të fundit mësohet se janë gati të paguajnë deri në 250 mijë euro për kartonin e lojtarit që është në pronësi të Partizanit dhe kanë mbetur disi të pakënaqur me faktin që lojtari nuk e ka nisur si titullar këtë ndeshje.

Një gjë e tillë pritet të kushtëzojë stafin teknik të të kuqve që në ndeshjen e së enjtes lojtari të jetë në formacion, për të treguar vlerat e tij. Kështu që trajneri Gega përveç objektivit që skuadra të kalojë më tej, duhet të mendojë edhe për promovimin e lojtarit, i cili në rast se do të ketë një akord me palëve, do të sjellë të ardhura në arkat e klubit.

bardhi

Pra, aktivizimi i Bardhit si titullar është deri diku me “detyrim” për trajnerin, por do të shihet nëse ky i fundit do të marrë në konsideratë një gjë të tillë apo do të ruajë të pandryshuar mesfushën dhe sulmin e skuadrës së tij, duke u besuar të njëjtëve lojtarë si në ndeshjen e parë të luajtur në kryeqytet.

ARMAND HALILI

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"