EKSKLUZIVE/ “Nuk vjen më si ekipi kampion i Gegës”, Telushi: Kukësi-Partizani del barazim, verilindorët merrnin kampionatin nëse…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 19, 2021 | 21:10

EKSKLUZIVE/ “Nuk vjen më si ekipi kampion i Gegës”, Telushi: Kukësi-Partizani del barazim, verilindorët merrnin kampionatin nëse…

B runo Telushi, një emër shumë i njohur i fut bollit shqiptar, është ndër të paktët lojtarë që ka veshur fanellën e dy skuadrave, Partizanit dhe Kukësit. Dy ekipet do të përplasin “brirët” të dielën dhe Telushi ka dhënë një intervistë për “Panorama Sport” në vigjilje të kësaj sfide, duke prekur shumë tema. Koha e tij te Partizani, qëndrimi i shkurtër te Kukësi, krahasimet mes skuadrave, betejat personale në fushë mes lojtarëve dhe ajo taktike në stol mes dy trajnerëve: Telushi foli për të gjitha. Mesfushori që tashmë aktivizohet te Neftçi Baku në Azerbajxhan, mendon se nëse Kukësi do të kishte ruajtur grupin në fillim të sezonit, do të shpallej pa asnjë diskutim kampion, si dhe pranoi se Partizani i sezonit 2018/19 kur fitoi titullin kampion, është një ekip shumë i fortë dhe që nuk do të përsëritet më. Sa i takon parashikimit të sfidës, Telushi anon nga barazimi, duke i vlerësuar të dyja ekipet.

bruno telushi

Bruno, u transferuat te Neftçi Baku në verë. Si ju duket futbolli në Azerbajxhan dhe çfarë ndryshimi ka me Shqipërinë?

Normalisht, futbolli këtu është shumë ndryshe me Shqipërinë, për shumë arsye. Niveli i futbollit është më i lartë dhe kushtet që të ofrohen, janë shumë më të mira.

Jeni ende një shikues i rregullt i Superiores? Cila skuadër ju ka befasuar këtë sezon?

Po, e kam ndjekur Superligën dhe skuadra që më ka befasuar, jo vetëm mua, por të gjithë, është Vllaznia. Është një ekip me djem të rinj, plot dëshirë dhe po bëjnë diçka shumë të mirë dhe të bukur këtë vit në Superligë. E meritojnë, bravo!

Te dielën, përplasen Kukësi dhe Partizani. Si e shihni këtë sfidë?

Është një ndeshje shumë e fortë dhe besoj se do të fitojë ekipi që do ta menaxhojë ndeshjen më mirë. Të dyja skuadrat kanë shumë cilësi dhe të fitojë më i miri.

Keni kaluar dy sezone fantastike te “demat”. Çfarë mund të na thoni më shumë për këtë aventurë?

Po, është e vërtetë që kam kaluar supermirë dhe bukur te Partizani, sidomos në vitin që dolëm kampion. Ai vit, është i paharrueshëm për mua.

Te Kukësi, qëndruat pak, por ishit pjesë e projektit për sezonin aktual. Mund të na tregoni diçka më shumë, cilat ishin pritshmëritë e klubit për këtë edicion futbollistik?

E vërtetë, qëndrova shumë pak me skuadrën e Kukësit. Të them të drejtën, në qoftë se te Kukësi nuk do të ishte shpërndarë ai grupi i fortë i lojtarëve, sepse ikën shumë lojtarë, pa dashur të përmend emra, Kukësi do të ishte kampion tani.

Telushi

Si ju duken afrimet që dy skuadrat kanë bërë këtë sezon, duke marrë parasysh se janë afruar futbollistë me emër, si Ibraimi, Zhunior e Hasani?

Afrimet janë të mira, sepse është rritur edhe niveli i futbollit shqiptar, pasi po vijnë lojtarë me CV të tilla dhe me emër.

Mendoni se Partizani do ta parakalojë Vllazninë dhe të fitojë titullin kampion?

Kampionati është i gjatë dhe në këto momente, fiton më shumë pikë ekipi që arrin të menaxhojë më mirë presionin.

Po Kukësi, a është në garë për titull?

Kukësi nuk është jashtë gare për titull. Kampionati ka edhe shumë ndeshje, duhet të marrë pikët maksimale.

Ibraimi-Hasani, Mala-Limaj, Zhunior-Eze, kush do t’i fitojë duelet personale?

Nuk janë vetëm këta futbollistë, janë shumë emra në të dyja formacionet dhe shpresoj të jetë një ndeshje plot emocion dhe e bukur.

bruno telushi

Daja apo Josa, kush mund ta fitojë taktikisht këtë sfidë?

Daja dhe Josa janë dy trajnerë shumë të mirë dhe të suksesshëm, por kjo ndeshje varet se si do të menaxhohet. I uroj shumë suksese të dyve për takimin.

Partizani i sezonit 18/19 apo Kukësi i 16/17, cili ekip ishte më i fortë?

Partizani i vitit kampion ka qenë një ekip që nuk vjen më, në të gjitha drejtimet. Mendoj se Partizani i atij sezoni është ekipi më i fortë.

Si e parashikon Telushi rezultatin e Kukësi-Partizani?

Them se ndeshja do të dalë barazim, por siç e thashë dhe më lart, le të fitojë më i miri.

VERONIK ISTREFAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"