EKSKLUZIVE/ “Nuk pres premio nga Kukësi, ia dalim ndaj Tiranës”, Gilman Lika: Ju tregoj problemin e Vllaznisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 19, 2020 | 9:06

EKSKLUZIVE/ “Nuk pres premio nga Kukësi, ia dalim ndaj Tiranës”, Gilman Lika: Ju tregoj problemin e Vllaznisë

Gilman Lika nuk pret ndonjë pre mio nga Kukësi për t’u motivuar ndaj Vllaznisë, pasi sipas tij skuadra shkodrane luan për veten dhe mbi të gjitha të dalë nga zona “play out”. Në një intervistë për “Panorama Sport”, kapiteni i shkodranëve që ka përjetuar momente fantastike dhe të errëta si pjesë e Vllaznisë dhe Tiranës, deklaron ndër të tjera se sot do të ishte i kënaqur edhe me një pikë në stadiumin “Selman Stërmasi”.lika

Mesfushori kuqeblu thekson se problemi më i madh i Vllaznisë në këtë moment është përgatitja fizike e skuadrës, e cila ka vetëm dy javë që bën stërvitje të rregullt, nisur edhe nga fakti që për katër ditë futbollistët bënë bojkot prej pagave të padhëna.

Gilman, “klasikja” e futbollit shqiptar vjen në një moment kur Tirana dhe Vllaznia kanë objektiva të ndryshëm. A mund ta bëjë ekipi shkodran atë që bëri Teuta?

Personalisht, në çdo ndeshje futem në fushë për ta fituar. Sigurisht që nesër (sot) do të jetë e vështirë, sepse edhe ata duan fitoren. Por, të paktën nëse ne si Vllazni nuk arrijmë fitoren, mendoj se edhe barazimi nuk është keq përballë një skuadre si Tirana.

Do të jetë më e vështirë apo më e lehtë për ju që gjeni një Tiranë, e cila është ndalur pas 17 rezultatesh pozitive radhazi?

Unë mendoj se do të jetë më e vështirë për ne, sepse Tirana bëri një hap fals dhe tashmë gjykoj se do të jetë e mobilizuar në maksimum. Megjithatë, edhe ne kemi pretendimet tona, kështu që besoj se do të jetë një ndeshje shumë e luftuar nga të dyja ekipet për të marrë fitoren. E përsëris, do të jetë e vështirë, por ne besojmë.gilman lika

Cili është problemi më i madh që ka Vllaznia në këtë moment?

E kam thënë edhe më parë, që problemi ynë është ai fizik. Ekipet e tjera kanë shumë kohë që janë stërvitur, ndërsa Vllaznia ka vetëm dy javë stërvitje. Ky është problemi më i madh për momentin.

Nga kjo ndeshje është me sy e veshë edhe Kukësi, që kërkon të rivalizojë Tiranën për kreun. Duke qenë se është diçka e ligjshme, do të pranonit një premio nga Kukësi për t’u motivuar edhe më tepër?

Jam futbollist i Vllaznisë dhe shikoj vetëm hallet e ekipit tim. Pavarësisht se rezultati pozitiv mund të favorizojë Kukësin, ne luajmë për të marrë pikë vetëm në interes të Vllaznisë. Nuk di asgjë për ndonjë premio dhe nuk pres gjë nga askush. Përfaqësojmë Vllazninë dhe duam patjetër rezultat pozitiv për vetë pozitat ku ndodhemi.

Ju keni luajtur disa vite me Tiranën, i shihni favoritë absolutë për titullin?

Me humbjen e fundit ndaj Teutës, e kanë komplikuar pak punën. Gjithsesi, janë me meritë aty ku janë, edhe pse duhet të luftojnë deri në fund, pasi në këtë moment është herët për të folur për titullin. Personalisht te Tirana kam kaluar një periudhë të mirë, por duke ditur edhe problematikat. Të dyja klubet kanë pasur probleme dhe kur luanin për mbijetesë ishte një ndeshje që as në televizor nuk doja ta shihja.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"