EKSKLUZIVE/ Nuk po gjen hapësira te Kukësi, mbrojtësi një hap larg Skënderbeut. Gati edhe 3 afrikanë për korçarët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 18, 2020 | 12:48

EKSKLUZIVE/ Nuk po gjen hapësira te Kukësi, mbrojtësi një hap larg Skënderbeut. Gati edhe 3 afrikanë për korçarët

Skënderbeu është në kërkim të elementëve cilësorë, që trajneri Julian Ahmataj të krijojë një grup të konsoliduar. Duke parë ndryshimet e shumta në ekip, bardhekuqtë kanë nevojë edhe për disa lojtarë me eksperiencë më të madhe në Superiore për të mbajtur peshën kryesore. Një gjë e tillë shihet edhe nga testet miqësore që Skënderbeu ka zhvilluar gjatë kësaj faze përgatitore.

Kotobelli Kukesi

Të gjendur para këtyre kushteve drejtuesit e Skënderbeut po punojnë për të bashkuar në ekip lojtarë që janë në skadencë kontrate me klube të tjera që mund të afrohen lehtësisht. I tillë është rasti i Blerim Kotobellit. Mbrojtësi ka qenë një dëshirë e vjetër e Skënderbeut, të cilët ishin pranë marrëveshjes edhe sezonin e kaluar, por më tej lojtari zgjodhi të transferohej në Kukës me shpresën se do të kishte një pozicion prej protagonisti.

Tashmë kontratës njëvjeçare të firmosur në verën e kaluar duket se po i vjen fundi dhe nuk shihet asnjë mundësi rinovimi për sa i përket bashkëpunimit me verilindorët. Në të tilla kushte, burime pranë lojtarit bëjnë me dije se pasi Kotobelli të mbyllë angazhimin e tij në Europë me ekipin e drejtuar nga Skënder Gega mund të konkretizojë marrëveshjen me Skënderbeun. Korçarët duket se janë të gatshëm për të bërë një sakrificë financiare, me qëllim që t’i japin Ahmatajt lojtarin e duhur në krah.Skenderbeu Ahmataj

“Panorama Sport” ka mësuar se bisedimet mes palëve kanë filluar me kohë dhe janë në rrugë të mbarë. Tani problem është zgjidhja e ngërçit të merkatos për klubin bardhekuq dhe mbyllja e marrëveshjes së lojtarit me Kukësin.

AFRIKANËT– Pas një muaji përgatitjesh duket se trajneri Ahmataj e ka idenë më të qartë se çfarë nuk shkon në ekipin e tij dhe elementët që duhet të kërkojë. Deri tani stafi teknik ka zgjidhur më së shumti problemet e mëdha në mbrojtje dhe ato në mesin e fushës ku ka alternativa të shumta.

Nga ana tjetër, korçarët janë në pritje të tre afrikanëve që Harris Fakiç do t’i sjellë në Korçë dhe bëhet fjalë për elementë cilësorë që do t’i japin Skënderbeut kualitet në lojë. Me afrimin e tyre gjithçka mund të quhej e kompletuar për korçarët, ndërsa Ahmataj ka kërkuar edhe ndonjë lëvizje në sulm dhe në mesfushë për të pasur më shumë garanci në këto dy reparte.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"