EKSKLUZIVE/ “Nuk merremi me aleancat e të tjerëve”, Gurishta kunj Partizanit: E dinim që do të fitonte lehtësisht me Kastriotin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 16, 2021 | 23:52

EKSKLUZIVE/ “Nuk merremi me aleancat e të tjerëve”, Gurishta kunj Partizanit: E dinim që do të fitonte lehtësisht me Kastriotin

Kapiteni i Vllaznisë, Erdenis Gurishta, nuk u druhet aleancave të rivalëve që mund të dëmtojnë skuadrën e tij.

Erdenis-850x450

Në një intervistë për “Panorama Sport”, mbrojtësi i shkodranëve ka thënë ndër të tjera se e ka pritur që Partizani të fitonte lehtësisht ndaj Kastriotit. Ai injoron Laçin në garën për titull, ndërsa shikon si rivalë deri në fund të kuqtë dhe Teutën.

Erdenis, një fitore shumë e mundimshme ajo ndaj Apolonisë. Sa të rëndësishëm ishin këto pikë pas tri ndeshjeve ku skuadrat po përjetojnë një minikrizë?

Pas humbjes me Laçin, ishte shumë e rëndësishme për ne marrja e tri pikëve. Natyrisht që e kishim parashikuar se ndaj Apolonisë do të ishte një përballje e vështirë, për vetë faktin se skuadra fierake ka luajtur mirë në ndeshjet me rivalët tanë. Kujtoj që i mori barazim Partizanit, por po ashtu zhvilloi një ndeshje të mirë kundër Teutës, edhe pse humbi në fund.

 

Çfarë ka ndryshuar në skuadër, mos ndoshta ka një rënie fizike dhe ekipi po e ndien disi lodhjen?

Nuk ka ndryshuar asgjë, por mund të kenë ndikuar pak lodhja fizike për shkak të terreneve të rënduara që kanë qenë këtë periudhë. Gjithsesi, në këtë fazë që jemi, do të kishim preferuar që të marrim pikët e plota, edhe pa një lojë të bukur. E them këtë, pasi jemi në një moment delikat të kampionatit.

Kalimi i javëve e rrit presionin ndaj jush për titullin apo jeni të qetë për vazhdimësinë e garës?

Nuk kemi aspak presion dhe për këtë ju garantoj. Jemi të qetë dhe të vetëdijshëm për realizimin e objektivave. Në vazhdim do të shikoni një Vllazni edhe me cinike.

Duke qenë se ka nisur faza e tretë, cilët mendoni se do të jenë rivalët më të frikshëm për Vllazninë në garën për titull?

Do të jenë ekipet që kanë treguar ndeshje të mira dhe stabilitet në rezultate. Për mua Teuta dhe Partizani janë ndër më favoritët.

Partizani kaloi lehtësisht Kastriotin, një skuadër që ju mori pikë në “Loro Boriçi”. E prisje?

Unë e kam parashikuar edhe para një jave, që Partizani do ta fitonte lehtësisht ndeshjen kundër Kastriotit. Dhe kështu doli…

Gurishta Vllaznia

I druheni ndonjë aleance mes ekipeve për të dëmtuar Vllazninë?

Ne nuk kemi pse të merremi me ekipet e tjera apo me aleancat që krijojnë, por do të shohim vetëm veten tonë.

Të dielën luani ndaj Skënderbeut në Korçë. Fakti që kundërshtarit i duhen patjetër pikë, e bën edhe më të vështirë këtë ndeshje për ju?

Po, është shumë ndeshje e vështirë kundër Skënderbeut. Madje, mund të them se është edhe më e vështirë se ajo që do të luajmë në javën tjetër ndaj Tiranës.

Këtë herë do të keni disa mungesa…

Mungesat nuk janë problem te Vllaznia. Këtë javë e tregoi edhe Dajan Shehi, i cili u fut dhe na dha tri pikë tejet të rëndësishme. Objektivi jonë është i qartë, që në çdo ndeshje futemi për fitore.

ADMIR URUÇI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"