EKSKLUZIVE/ Nuk mbarojnë problemet për Flamurtarin, Ilir Daja e padit në FSHF. Ja shuma që kërkon të shlyhet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 4, 2020 | 21:34

EKSKLUZIVE/ Nuk mbarojnë problemet për Flamurtarin, Ilir Daja e padit në FSHF. Ja shuma që kërkon të shlyhet

Telashe të tjera në horizont për Flamurtarin, që nuk po arrin të organizohet si duhet për pjesëmarrjen në Kategorinë e Parë. Trajneri Ilir Daja, i cili e drejtoi këtë skuadër gjatë sezonit 2018- 2019, ka depozituar në Federatën Shqiptare të Futbollin një kërkesë-padi për pagat e pamarra nga ajo periudhë dhe bëhet fjalë për një shumë që shkon në rreth 80 mijë euro. Lajmi bëhet i ditur nga burime konfidenciale të gazetës “Panorama Sport” pranë FSHF-së.
ilir daja
Praktikisht, trajneri kryeqytetas, që tani drejton Partizanin, i bie që të mos jetë paguar gati për gjithë sezonin që qëndroi në Vlorë. Ai e drejtoi me sukses Flamurtarin, pavarësisht problemeve që pati klubi edhe në atë kohë. Padia e Dajës është një problem serioz për Flamurtarin në këtë moment, sepse shuma është vërtet e konsiderueshme. Trajneri Daja ka pritur për gati dy vjet për t’u likuiduar nga drejtuesit e Flamurtarit, por tashmë i ka sosur durimi dhe ka vendosur ta zgjidhë institucionalisht çështjen në FSHF. Me siguri Dhoma e Zgjidhjes së Konflikteve, që merret me çështje të tilla, do t’i japë të drejtë Dajës, i cili kërkon atë që i takon sipas kontratës së firmosur me klubin vlonjat.
FLAMURTARI
Gjatë periudhës së fundit Flamurtari ka pasur sistematikisht çështje të kësaj natyre, ku ish-trajnerë dhe ish-futbollistë i kanë fituar gjyqet për detyrimet financiare. Ndoshta Daja është treguar më xhentëllmen se të tjerët, duke pritur jo pak, por edhe ai në fund ka qenë i detyruar të bëjë padi. Tani pritet reagimi i klubit vlonjat, që ndoshta mund të zbutë “dhimbjen”, duke bërë një marrëveshje për likuidimin me këste të trajnerit kryeqytetas.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"