EKSKLUZIVE/ Nuk kanë fund telashet, Vucaj hedh Vllazninë në gjyq

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 2, 2018 | 22:44

EKSKLUZIVE/ Nuk kanë fund telashet, Vucaj hedh Vllazninë në gjyq

Rikthehen problemet për Vllazninë. Sikur të mos mjaftonte rënia në Kategorinë e Parë dhe vonesa në zgjedhjen e trajnerit dhe nisjen e punës, tashmë klubi duhet të përballet edhe me gjyqet. Duket se për shkodranët nuk kanë fund ankesat nga lojtarë të ndryshëm. Fillimisht, ishte Sedat Berisha ai që kërcënoi Vllazninë se do ta çonte në FIFA duke pretenduar se i takonin 10 mijë euro të pashlyera. Tashmë, një tjetër lojtar i skuadrës shkodrane ka vendosur ta hedhë klubin kuqeblu në gjyq. Bëhet fjalë për Erjon Vucajn, i cili mësohet se e ka depozituar tashmë kërkesën në Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve në FSHF.

Erjon-Vucaj

VUCAJ – Burime të gazetës “Panorama Sport” bëjnë të ditur se mesfushori shkodran ka qenë këto ditë në zyrat e Federatës Shqiptare të Futbollit ku ka depozituar një kërkesë në DHZK ndaj klubit Vllaznia. Vucaj kërkon prishjen e kontratës me skuadrën shkodrane. Lojtari ishte i huazuar te Luftëtari për dy ndeshjet e Ligës së Europës ndaj Ventspils, por tashmë ka vendosur që të mos qëndrojë më në Shkodër, duke qenë se ekipi do të luajë në Kategorinë e Parë.

Vucaj

Kontrata është pengesë dhe Vucaj e ka depozituar çështjen në DHZK ku kërkon që të dalë lojtar i lirë. Tashmë, palët do të përballen në gjyq dhe do të vendoset më pas e ardhmja e futbollistit. Vucaj e ka shprehur dëshirën që të vazhdojë të luajë me Luftëtarin edhe në kampionatin e ardhshëm, ndërsa edhe drejtuesit e klubit bluzi e konsiderojnë si një lojtar të nevojshëm për ekipin.

Në rast se Vucaj do arrijë që të fitojë gjyqin ndaj Vllaznisë dhe të dalë futbollist i lirë, sipas të gjitha gjasave, do të veshë fanellën bluzi të Luftëtarit në kampionatin e ardhshëm. Megjithatë, nuk përjashtohet mundësia që të ketë edhe zhvillime të reja dhe të luajë për ndonjë skuadër tjetër. Ndërkaq, shumë lojtarë të Vllaznisë që ishin në sezonin e kaluar janë larguar nga Shkodra.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"