EKSKLUZIVE/ “Nuk iu luta Tiranës për të mbijetuar”, rrëfim unik i ish-presidentit Xhani: Ja pse s’fitova dot titullin në 14 vite… (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 6, 2020 | 23:54

EKSKLUZIVE/ “Nuk iu luta Tiranës për të mbijetuar”, rrëfim unik i ish-presidentit Xhani: Ja pse s’fitova dot titullin në 14 vite… (E PLOTË)

“Kam lindur dhe do vdes te Partizani”. E thotë Albert Xhani, njeriu që drejtoi klubin e kuq nga viti 1999 deri në 2013-ën. Emocionohet pa masë kur flet për të kaluarën te 16 herë kampionët, ndonëse tregohet i kujdesshëm. Në intervistën për “Panorama Sport” i kthehet edhe një herë sezonit të vitit 2000 kur ranë nga kategoria për herë të parë dhe më pas prek të gjitha temat.

Xhani aktualisht

Për 14 vite nuk mundi të fitonte një titull. E ka peng edhe sot… “Nuk dija të luaja jashtë fushës. E mësova pas 15 vitesh se futbolli në Shqipëri luhej më shumë jashtë fushës, por kur e mësova unë, nuk kisha më fuqi”, thotë Xhani. Më pas i kthen edhe një përgjigje Shkëlqim Muçës: “Kishim interes që në vitin 2000 Tirana ta mundte Luftëtarin sepse nuk binim nga kategoria, por unë nuk i lutem njeriu. Aq më pak në ato kohë…”.

A e keni ndjekur kampionatin?

Shumë pak. Kam qenë shumicën e kohës jashtë Shqipërisë.

“Panorama Sport” u ka kushtuar një vëmendje të veçantë disa ngjarjeve të së kaluarës, veçanërisht sezonit 2000. Atë vit Partizani ra për herë të parë nga kategoria…

E vërtetë është. Nuk patëm fat dhe disa gjëra nuk shkuan si duhet.

Shkëlqim Muça, ish-trajneri i Tiranës, thotë se Xhani iu lut që të luanin fort me Luftëtarin, sepse kështu shpëtonte edhe Partizani…

Bëhet fjalë për ndeshjen e Tiranës në Gjirokastër dhe po të fitonin ata (bardheblutë), shpëtonte edhe Partizani… E vërtetë është që neve na interesonte të fitonte Tirana. Shikonim interesin tonë dhe natyrisht kam biseduar me zyrtarët e Tiranës duke iu kërkuar të bënin maksimumin e tyre. Për t’u lutur, nuk kisha se për çfarë u lutesha, sepse edhe ata kishin një objektiv madhor. Po, na interesonte të fitonin, por nuk kisha për çfarë t’u lutesha, sepse edhe ne kishim një ndeshje tonën për të luajtur. Unë nuk para lutem, sidomos në ato kohëra… Po të fitonte Tirana në Gjirokastër, Tomori dilte jashtë objektivave dhe do të na e linin ndeshjen. Do të kishim më pak rrezik për të rënë. Ky ishte interesi ynë. Nuk ndodhi kështu, tani është e kotë të diskutojmë.

Ka pasur edhe një deklaratë të Bledar Devollit që thotë: “I mora 3 mijë euro Xhanit për të nxjerrë Klodian Duron nga loja në një derbi”. Si është kjo histori?

E vërtetë është që ka ndodhur, por nuk ishte vetëm rasti i Devollit. Kështu nga ndodhur edhe me Elis Bakajn në “finalen” me Dinamon. Elisit ia thashë qartë: “Kështu si po vete kjo punë, ose do dalësh ti me të kuq, ose do dalin dy nga Dinamo”. Ia kam thënë Bakajt në dhomat e zhveshjes:

“Ruaj qetësinë se kështu ka për të shkuar. Është arbitër italian dhe nuk të fal”. Elisi ma dëgjoi fjalën edhe dolën dy vetë me të kuq nga Dinamoja. E njëjta situatë edhe me Bledar Devollin. Ia kam thënë këtë atij në dhomat e zhveshjes, kishte edhe njerëz të tjerë të pranishëm. “Devoll, po i ndenje Duros ‘pullë poste’, ai nuk do të ketë terren për të luajtur dhe do nervozohet e do dalë me të kuqe. Po e bëre këtë, të kënaq ‘baba’ ty pastaj. Por aman m’u beto këtu se nuk do ta ngresh kokën dhe nuk do biesh pre e provokimeve…”. Kështu ndodhi, Duro doli me të kuq, ne fituam derbin dhe Devolli mori shpërblimin.

Devolli Xhani

Pse e humbët titullin me Dinamon kur dolën dy lojtarë me të kuq?

Sepse fati tregoi që nuk ishte me ne, ndonëse Elis Bakaj luajti shkëlqyeshëm.

Si ju duket futbolli i sotëm?

Unë nuk e kam ndjekur me vëmendje kampionatin shqiptar qysh kur jam larguar. Por, ndjesia që më jep sot, nëse mundet të bëj një krahasim, është që asokohe më dukej më emocional. Pra, si të thuash, prodhonte më shumë emocione futbolli i luajtur atëherë. Ndoshta e kam gabim, por këtë mendim kam unë. Nuk di të them nëse është më cilësor sot apo atëherë, por emocionet më duket sikur ishin më të forta atëherë. Mendim personal është ky, nuk ka pse të më keqkuptojë njeri.

Ka vazhdimisht ankesa sot për Tiranën, për kampionatin e vitit 1997 dhe atë të vitit 2000. Ju, si presidenti i rivalëve të përjetshëm të Tiranës, a kishit vënë re që bardheblutë trajtoheshin në mënyrë preferenciale asokohe?

Për sa kohë kam kaluar në futboll si president i Partizanit, mund të them se gjithmonë ka pasur ankesa. Nga të gjithë. Herë na dukej neve të Partizanit sikur sulmoheshim, herë ankohej Tirana dhe herë ankoheshin klube nga rrethet. Tani që e gjykoj ftohtë, por edhe pasi kam bërë disa analiza në kokën time, mendoj se shpeshherë edhe teprohej në këtë pikë.

Në ç’kuptim?

Sepse sa herë humbnim, në vend që të “ftohej koka” edhe të flisnim pa emocione, ankoheshim për disfatën dhe na dukej sikur na bënin padrejtësi. Kjo vlen për të gjithë, përfshi edhe për mua. Pra, nuk e pranonim me gjakftohtësi se thjesht na kishte mundur kundërshtari dhe përgjegjësi kishte humbësi në radhë të parë. Sa i përket Tiranës, unë nuk mendoj se ka qenë e favorizuar. Në shumicën e kampionatit apo shumicën e kohës që unë kam qenë pjesë aktive në futboll, nuk më rezulton që Tirana, Partizani apo ndonjë klub tjetër të jetë trajtuar në mënyrë preferenciale. Natyrisht, episode ka pasur, shumë madje, por për të gjithë, jo vetëm për klube të veçanta.

Fotografi i njohur, Ferdinand Hazisllari, shpeshherë poston foto nga e kaluara në “Facebook”. Rastisi të shoh një foto të ish-anësorit Arjan Mali që i anuloi një gol të rregullt Marius Ngjelës në ndeshjen e mbijetesës kundër Kastriotit më 6 maj 2009. Pas asaj, Partizani ra nga kategoria… Ju a e mendoni shpesh atë ndeshje?

Unë kam shumë momente të cilat i kujtoj dhe ende sot nuk bindem se ne e meritonim të binim nga kategoria atë sezon. Ka edhe momente të tjera që më bëjnë të dyshoj se ka pasur padrejtësi për të na mohuar titullin kampion. Por për këto mund të flasim në një kohë tjetër. Sot nuk është koha ime që të flas për ato momente. Por sa i përket vitit kur zbritëm nga kategoria, mendoj se na janë bërë edhe padrejtësi. Natyrisht, kam pasur edhe unë përgjegjësi, por ka pasur edhe federata, por edhe të tjerë faktorë. Janë shumë gjëra që mund të thuhen në një kohë tjetër.

Arjan Mali goli i anuluar

Çfarë ju ka ngelur merak nga koha kur ishit president i Partizanit? Pra, keni pasur mundësi të bënit ndryshe, por më pas jeni penduar për zgjedhjen që keni bërë?

Natyrisht, ka pasur shumë momente dhe shumë gjëra që mund t’i kisha menaxhuar ndryshe. Kam pasur shumë gjëra në dorë. Vërtet shumë. Nëse do të kisha vepruar edhe unë siç vepronin disa të tjerë, atëherë sot do të numëroja 5 apo 6 kampionate të fituara, por unë nuk zgjodha atë rrugë…

Cilën rrugë?

Po të kisha dëgjuar ata që kishin më tepër eksperiencë se unë, sot nuk do të isha me zero tituj. Ta themi troç, kampionatet në Shqipëri, si atëherë, por edhe sot, luhen brenda fushës, por edhe jashtë fushës. Unë nuk luaja mirë jashtë fushës. Nuk luaja hiç mirë… edhe pse nga stafi im, por edhe nga lojtarët merrja sugjerime për të luajtur paksa edhe jashtë fushës. Nuk i dëgjova asnjëherë. Nuk doja t’i përshtatesha atij lloj mentaliteti. E shikoja përherë futbollin si një garë brenda fushës dhe pas 15 vitesh, kur u largova, e kuptova se futbolli luhej më shumë jashtë fushës sesa brenda saj. Unë nuk luajta jashtë fushës, më shumë nuk them dot gjë…

Pse nuk thoni dot gjë?

Sepse nuk është momenti… Po ju them se po të kisha dëgjuar disa lojtarë që i kisha me eksperiencë aty, që e dinin shumë mirë se çfarë ndodhte, atëherë mund të kisha marrë tituj. Edhe stafi kishte goxha eksperiencë dhe e dinte mirë se si funksionin gjërat në futbollin shqiptar. Të gjithë e dinë se unë kam pasur lojtarë me përvojë, që kanë luajtur shumë gjatë në kampionatin shqiptar… Kam pasur futbollistë Ledio Panon, Ilir Shulkun, Afrim Tolen, Klodian Duron, Skerdi Bejzaden dhe shumë emra të tjerë të mëdhenj.

Ata jo vetëm ishin cilësorë si lojtarë, por edhe me shumë eksperiencë. Kam pasur trajnerët më të mirë të kampionatit shqiptar. Ata të gjithë e dinin se çfarë bëhej në fushë dhe jashtë saj, por unë doja që djemtë e mi të bënin vetëm punën në fushën e lojës. Ata më kanë dashur dhe bënin shumë për mua, si kur i paguaja, edhe kur nuk i paguaja. Më donin mua, por donin shumë edhe fanellën. Ata ishin të shkëlqyer në fushë, por për çudi unë nuk arrija rezultate. Këta lojtarë që kisha unë, kudo ku shkuan më pas, jo vetëm që ishin ndër më të mirët, por fituan edhe tituj. Kjo do të thotë se unë kam qenë lojtar i dobët jashtë fushës. Ky është meraku im, që nuk mësova të luaja dot jashtë fushës. Pas 15 vitesh, kur e mësova këtë, nuk kisha më fuqi.

A keni menduar të riktheheni ndonjë ditë në botën e futbollit?

Po, them se ndonjë ditë mund të rikthehem në botën e futbollit. Fundja, jeta ime kështu ka qenë: rënie, ngritje, dritë, hije, diell…

Xhani me valixhe

Çfarë është Partizani për ju sot?

Partizani për mua është shtëpia ime. Është jeta ime. Unë kam lindur te Partizani, nuk kam ardhur ndonjëherë në atë klub. Thjesht kam lindur aty dhe do të vdes te Partizani. Duhet ta dini mirë të gjithë këtë.

Çfarë do të thotë kjo saktësisht?

Po, kam dëgjuar shpesh që erdhi Berti, pastaj iku Berti… Unë as kam ikur dhe as kam ardhur. Unë thjesht kam lindur te Partizani dhe do të vdes te Partizani.

Pse Skënderbeu fitoi 7 tituj kampionë brenda një dekade, pra hapi një cikël fitues, ndërsa Partizani nuk po e bën dot këtë, ndonëse është kampion në fuqi?

Unë nuk mund të analizoj me saktësi një klub që nuk e menaxhoj unë. Por një gjë di ta them me siguri: Partizani dhe Tirana kanë një presion të jashtëzakonshëm nga tifozët dhe opinioni publik. Herë ky presion është dashuri e pakufishme dhe herë është trysni apo xhelozi që të fut në siklet dhe duhet të kesh eksperiencë që ta menaxhosh. Prandaj them që Partizani e ka pasur dhe do ta ketë të vështirë tërë jetën që të qëndrojë në krye. Unë nuk e harroj një thënie të profesor Neptun Bajkos, me të cilin kam bashkëpunim që nga viti 1999.

Mund të na e tregoni thënien e Bajkos?

Bajko më thoshte shpesh ato kohë një batutë të mjeshtrit të madh, Loro Boriçit: “Partizani është molla e kuqe e madhe që e duan të gjithë dhe i gjuajnë edhe me gur për ta pasur. Gorricave nuk u gjuan njeri…”. Loro i madh nuk e ka pasur hiç gabim…

Si ju është dukur menaxhimi i Gaz Demit te Partizani?

Duhet të themi të vërtetën: që kur e ka marrë ai, klubit nuk i ka munguar asgjë. Por asgjë fare po ju them. Korrektësi me pagat, ndarje strukturash, asnjë ndërhyrje. Realisht unë mendoj se Partizanit gjatë gjithë viteve që e drejton Demi nuk i ka munguar asgjë. Tjetër punë pastaj nëse rezultatet sportive kanë qenë të kënaqshme për tifozët apo jo.

Xhani Partizani

Po pse nuk ka fituar më shumë tituj?

Këtë nuk mund ta them unë. Ju siguroj se shkopinj nën rrota ka pasur edhe ai (Demi) shumë. Mos harroni, gorricës nuk i gjuajnë me gurë, mollës së kuqe i gjuajnë shumë… Megjithatë, unë i uroj suksese gjithë kampionatit shqiptar, por mbi të gjitha Partizanit. Është shtëpia ime.

JETMIR HALILAJ – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"