EKSKLUZIVE/ “Nuk ishte e vështirë t’i menaxhoje ndeshjet në atë kohë”, Edmond Koseni për akuzat e Tomorit: Zbatimi i ligjit nuk është terror (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 27, 2020 | 23:56

EKSKLUZIVE/ “Nuk ishte e vështirë t’i menaxhoje ndeshjet në atë kohë”, Edmond Koseni për akuzat e Tomorit: Zbatimi i ligjit nuk është terror (E PLOTË)

Edhe pas 20 vitesh, emri i Edmond Kosenit të ngjall ende respekt dhe frikë. Respekt nga qytetarët e thjeshtë dhe frikë për bandat dhe kriminelët. Prej thuajse katër vitesh ka qenë në krye të drejtorisë së Policisë së Elbasanit në kohë të vështira për mbarë vendin dy dekada më parë. “Koloneli i Hekurt” apo “Komisar Katani”, siç thirrej në atë periudhë Koseni, për shkak të rregullit dhe qetësisë që solli në qytet, në ndeshjet e luajtura në stadiumin e Elbasanit nuk pati asnjë herë incidente, të paktën si i kujton ai. Në një rrëfim ekskluziv për “Panorama Sport”, Edmond Koseni u rikthehet kujtimeve të futbollit të atyre kohërave, në vazhdën edhe të dosierit që prej disa ditësh ka vazhduar në gazetë rreth finales së 28 majit të vitit 2000 mes Tiranës dhe Tomorit, duke iu përgjigjur edhe akuzave nga kampi beratas për dhunë.100853862_899482870560665_4447930168245223424_n

Edmond Koseni duke lexuar dje gazetën “Panorama Sport”

Për të, është shumë e vështirë të kujtojë ndeshje të veçanta, edhe një finale si kjo që sjell polemika fiks pas dy dekadash, apo personazhe, sepse nën drejtimin e tij, Policia e Elbasanit çdo ndeshje e ka pasur si finale. “Mua më interesonte mbarëvajtja e ndeshjes dhe zbatimi i ligjit si në çdo takim tjetër. Nëse qetësia në stadium në atë finale si në çdo ndeshje tjetër në Elbasan ka qenë favorizuese për Tiranën, ky nuk është problemi im apo i policisë. Ne ishim në stadium për të garantuar mbarëvajtjen e ndeshjes, pa na interesuar se cili fiton apo jo. Atë e tregon fusha, nuk i takon policisë”, ka thënë ndër të tjera Koseni, i cili thekson shpesh se në çdo rast është zbatuar ligji dhe këtë e tregoi kur shoqëronte në komisariat figura të politikës së kohës. Për Kosenin u krijua përshtypja nga beratasit para dy dekadash se krijoi terrenin që favorizoi Tiranën në atë finale, por vetë ai tregon se është një tifoz i Partizanit.

Zoti Koseni, prej ditësh në “Panorama Sport” ka pasur polemika për kampionatin e sezonit 1999-2000, që u vulos nga ndeshja Tirana-Tomori në stadiumin e Elbasanit, qytetit ku ju drejtonit policinë. Si e mbani mend atë ndeshje sa i përket organizimit të forcave të rendit?

Të jem i sinqertë, bëhet fjalë për një ndeshje futbolli para 20 vjetësh dhe kujtimet nuk i kam të freskëta. Për organizimin nga ana e policisë mund të them se ka qenë normalisht si çdo ndeshje tjetër. Ju thoni që ishte një finale, por për policinë çdo ndeshje ka qenë e tillë.

Nga protagonistët e kohës keni marrë elozhe prej ish-shefit të sektorit të garave në FSHF, Besnik Çela. Çfarë ka pasur të veçantë ajo finale për mbarëvajtjen nga uniformat blu?

Më vjen mirë që kam pasur vlerësime pozitive, por për ne si polici nuk ka pasur asgjë të veçantë nga ndeshjet e tjera sa i përket mbarëvajtjes apo organizimit. Ishte një ndeshje futbolli ku duhen marrë masat të shkojë sa më mirë, vetëm kaq. Ndoshta për vetë protagonistët, ekipet apo tifozët, mund të ketë qenë e veçantë meqë bëhej fjalë për një finale dhe luhej për trofe, por jo për policinë.

 

100794173_3033463313386931_3398038160200957952_n

Edmond Koseni pas ndeshjes Tirana-Tomori në Elbasan me ish-presidentin e ndjerë të Tiranës, El Sajed, si dhe ish-shefin e sektorit të garave në FSHF, Besnik Çela FOTOT: F.Hazisllari

Akuzoheni nga ish-drejtuesit e Tomorit se keni ushtruar dhunë ndaj tifozëve beratas para dhe gjatë asaj ndeshjeje, si dhe gjithashtu i keni dhënë garanci gjyqtarit Bujar Pregja për të arbitruar siç donte ai. Cili është komenti juaj për këtë?

Absolutisht e pavërtetë. Di të them se në çdo rrethanë është zbatuar ligji, kaq e thjeshtë. Sa për garancinë që i kam dhënë gjyqtarit, nuk më kujtohet fare se cili është. Por, ndoshta i kam dhënë garanci që të arbitrojë drejt, sepse në Elbasan e kishe këtë mundësi, pasi nuk kishte presion ndaj zyrtarëve të ndeshjeve. Megjithatë, nuk e kujtoj fare si episod dhe nuk bëj lidhjen as me gjyqtarin në këtë rast.
Klodian Arbri me fanellen e Luftetarit
Ish-sulmuesi i Tomorit, Klodian Arbri, ka thënë se atmosfera e asaj ndeshjeje sa i përket rendit ka qenë terrorizuese, pasi policët i ruanin lojtarët si ata që mbrojnë sot Donald Tramp. Çfarë kujtoni?

Nuk e di se çfarë kanë thënë lojtarët e atyre kohërave, por nuk e di nëse zbatimi i ligjit mund të konsiderohet terrorizues. Ndoshta, duke ditur kohën që ishte në Shqipëri dhe nëpër stadiume, mbase nuk zbatonin ligjin, qetësia në Elbasan mund të konsiderohet terrorizuese. Por, të jeni të sigurt se në çdo rast është zbatuar vetëm ligji, absolutisht. Nëse një tifoz bën dhunë, prish qetësinë publike, normalisht do merren masa në bazë të ligjit në fuqi. Duhet ta lejojmë që të prishë ndeshjen?!
gjata
Edhe ish-sulmuesi i Tomorit, Edmond Gjata, ka thënë se keni pasur një debat me të në pistën e stadiumit gjatë ndeshjes, teksa ju e keni kërcënuar me burg. E mbani mend si episod?

Absolutisht jo. Jua thashë që kanë kaluar 20 vite dhe e kam gati të pamundur të kujtoj episode të veçanta. Për më tepër, që për mua çdo ndeshje ka qenë finale dhe nuk kujtoj dot çdo moment që ka ndodhur.

Pse mendoni se është krijuar ideja që ju si drejtor policie krijuat terrenin që Tirana të favorizohej në mbarëvajtjen e asaj ndeshjeje?

(Qesh) Nuk e di nga është krijuar kjo ide. Mua më interesonte mbarëvajtja e ndeshjes dhe zbatimi i ligjit, si në çdo takim tjetër. Nëse qetësia në stadium në atë finale, si në çdo ndeshje tjetër në Elbasan ka qenë favorizuese për Tiranën, ky nuk është problemi im apo i policisë. Ne ishim në stadium për të garantuar mbarëvajtjen e ndeshjes, pa na interesuar se cili fiton apo jo. Këtë e tregon fusha, nuk i takon policisë.

Dy javë para se të luhej Tirana-Tomori në Elbasan, u vra në kryeqytet ish-presidenti beratas, Adrian Çobo, si dhe ish-gjyqtari Luan Zylfo. Cili ka qenë informacioni juaj në atë periudhë për këtë ngjarje të rëndë?

Nuk e di se për çfarë informacioni flisni?! Unë dija thjesht për ngjarjen që kishte ndodhur, sepse nuk bëhej fjalë për një ngjarje që kishte ndodhur në Elbasan. Ndoshta te tifozët beratas ka pasur ndikimin e vet nga ana emocionale vrasja e presidentit të tyre, por nuk di çfarë të them për këtë gjë.
kosenii
Mes fotove të kohës që janë botuar, ka edhe një që ju jeni parë me ish-presidentin e ndjerë të Tiranës, El Sajed. Çfarë bisede keni bërë pas ndeshjes në Elbasan me të?

Nuk më thotë asgjë ky emër dhe jo më të kujtoj të kem bërë ndonjë bisedë. Ndoshta biseda të rastit si me të gjithë, por nuk më kujtohet asgjë.

Kur luhej Elbasani-Shkumbini, tifozët elbasanas ankoheshin se mbanit anën e tifozëve peqinas në stadium. Si e komentoni?

(Qesh) Thjesht paragjykim ka qenë, ngaqë unë isha nga Peqini prandaj. Por, më kujtohet se në atë periudhë Shkumbini ka qenë mirë në renditje në mos gaboj dhe ndoshta kishte më shumë shanse për të fituar edhe në Elbasan.

A ishte e vërtetë që në kohën kur drejtonit Policinë e Elbasanit, ishin të ndaluara edhe sharjet në stadium?

Po, e vërtetë është. Nuk shahej, sepse nga aty niste agravimi i situatës. Nis me një sharje dhe mund të precipitojnë gjërat, pasi do niste të gjuante me gurë, edhe me radhë. Parandalohej që në fillim, plus që edhe tifozët ishin ndërgjegjësuar vetë dhe nuk i thyenin rregullat.

Në kohët e sotme sharjet janë “detyrë shtëpie” për tifozërinë, por ka raste edhe të dhunës nëpër stadiume dhe invadim të fushës. Si mund të parandalohen?

Është e thjeshtë, zbato ligjin dhe planin e masave. Një gjë të mos funksionojë te plani i masave, prishet rregulli dhe të del situata nga kontrolli. Në atë periudhë u kthye në kulturë vetë nga tifozët, plus që para se të hyhej në stadium paralajmëroheshin për të mos thyer rregullat. Për mua, gjëja më e thjeshtë ishte të organizoja një ndeshje futbolli. Për të hyrë pa bileta as bëhej fjalë.

Keni shoqëruar ndonjë lojtar apo zyrtar të ndeshjes në komisariat?

Jo, jo, me sa mbaj mend. Nuk shkonte puna deri te lojtari apo zyrtari të krijonte ndonjë gjë për t’u shoqëruar. Në pankina kudo kishte policë dhe nuk mbaj mend as sherre midis lojtarëve nëpër dhoma apo ku di unë. Është ky plani i masave që kishim pra, nuk i lihej asgjë rastësisë.

edmond-koseni-e1491336582836

Ju keni qenë në krye të Policisë së Elbasanit në vite të vështira. Na tregoni se cila ka qenë ndeshja që realisht jeni ndierë në siklet prej incidenteve që mund të ketë pasur?

Asnjë ndeshje. Këtë nuk po e them për mburrje apo ku di unë. Por, nuk kujtoj të ketë ndodhur as incidenti më i vogël në asnjë ndeshje. Nuk ka qenë e vështirë për të menaxhuar një ndeshje në stadium, cilado skuadër të vinte, edhe Gjermania të ishte. Mjafton të zbatonim masat konkrete dhe asnjë problem nuk do të kishte.

Cila është skuadra shqiptare që bëni tifo dhe sa e ndiqni tani futbollin tonë?

Në vendin tonë bëj tifo për Partizanin, por nuk para e ndjek më futbollin. Sa u përket ekipeve jashtë vendit, jam tifoz i futbollit holandez.

Kush janë miqtë tuaj më të ngushtë në futboll?

Nuk para kam miq në futboll dhe nuk di të kujtoj ndonjë në veçanti.

Çfarë bëni sot, pasi me sa dimë keni fituar edhe të gjitha gjyqet me drejtësinë shqiptare, por rikthimin në detyrë nuk po e merrni dot…?

Tani jam në punët e mia private, si shef i sigurisë në Fabrikën e Çimentos në Elbasan prej shumë vitesh.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"