EKSKLUZIVE/ “Nuk fjeta gjumë, ju tregoj çfarë më tha Ronaldo”, Uzuni: Ja çfarë do bëj me fanellën e CR7 (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 26, 2020 | 23:58


EKSKLUZIVE/ “Nuk fjeta gjumë, ju tregoj çfarë më tha Ronaldo”, Uzuni: Ja çfarë do bëj me fanellën e CR7 (E PLOTË)

A mund të flesh pasi i ke shënuar gol Juventusit në Champions…? A mund të flejë një djalosh shqiptar që ka sfiduar Ronaldon të cilin e ka idhull dhe në fund shkëmben edhe fanellën me të? A mund të flesh kur portieri i skuadrës sate të “tradhton” në sekondat e fundit dhe të heq mundësinë që goli yt të vlejë një pikë në Torino?

3

A mundet pra të flesh kur ke shënuar një gol historik edhe për klubet hungareze? Natyrisht që jo… Uzuni, në fakt, është ende duke shijuar ëndrrën e tij që e bëri realitet. “Ishte fantastike t’i shënoje Juventusit, – thotë mesfushori i Kombëtares për “Panorama Sport”. “Doja të fitonim, por ata kanë shumë cilësi. Festimi si Ronaldo? Nuk e kisha menduar, por nuk u përmbajta dot”, thotë 25-vjeçari që po bën historinë te Ferencvaroshi.

Uzuni, shënuat ndaj Juventusit në Champions. Çfarë ndjesie ishte për ju?

Çfarë t’ju them? Është ndjesi shumë e bukur pasi po rikthehem në formën time më të mirë. Po rigjej formën e mëparshme pasi qëndrova gjatë në shtëpi dhe pasi kalova “COVID”-in. Jam vërtet i lumturuar.

auto_Screenshot_171606256965

Gjatë ndeshjes treguat besim dhe cilësi, si me veprimin ndaj Dibalës apo edhe në momente të tjera. Çfarë menduat në ato momente kur përballë kishit lojtarë të klasit botëror?

E kisha të qartë para ndeshjes që do të luaja me lojtarë shumë të fortë. E dija dhe isha i vendosur me besim të plotë që pa nisur ndeshja se ishte një 90-minutësh të cilin do ta ndiqte e gjithë bota. Prandaj, do të më duhej të tregoja aftësitë e mia në çdo çast, pa menduar gjatë se kë do të kisha përballë në fushë.

Sa keq ju erdhi që nuk dolët me pikë me golin tuaj?

Normalisht që më vjen shumë keq. Më vjen keq për faktin se bëmë një ndeshje të mirë, sakrifikuam dhe u munduam të bënim gjithçka siç duhet dhe siç e kishim përgatitur. Sigurisht që do të isha akoma edhe më i lumtur që të merrnim pikë në Torino me golin tim…

pjimage (1)

Ka bërë xhiron e mediave botërore festimi juaj. Pse festuat në stilin e Ronaldos përballë tij?

Realisht nuk e mendoja atë festim, por gjithmonë e kam ndjekur Juventusin nga televizori. Dhe Ronaldo sa herë shënon, shkon te cepi i fushës… Në ato momente, menjëherë pas golit që shënova, m’u kujtua Ronaldo që shkonte atje dhe ishte thjesht mënyra… E ndjeva të bëja ashtu, pasi e kam përjetuar nga televizori shumë herë atë festim. Prandaj.

Nuk ishte diçka e menduar më parë ai festim?

Jo, ishte thjesht diçka e momentit.

Çfarë ju tha trajneri për golin dhe ndeshjen?

Trajneri na përgëzoi të gjithëve. Pavarësisht rezultatit, ai na uroi dhe na falënderoi të gjithëve për shpirtin e garës që treguam gjatë ndeshjes dhe që ishim të gjithë të gatshëm, në dispozicion të ekipit për të ndihmuar njëri-tjetrin. Sigurisht, edhe mua më përgëzoi për golin që shënova.

Portieri bëri një gabim në fund. Çfarë ju tha në fund të ndeshjes?

Jo nuk tha gjë, ishte vetëm trajneri ai që na foli. Trajneri na uroi për paraqitjen dhe nuk është se gaboi vetëm portieri. Ne gabojmë të gjithë dhe fitojmë të gjithë bashkë.

Çfarë i thatë Ronaldos në fund të ndeshjes, pasi shihet që ai buzëqesh kur ju iu afruat?

E falënderova. I thashë: “Faleminderit për fanellën” dhe nuk mund të rrija pa i thënë: “Je lojtari më i mirë në botë”.

resize (1)

Si u përgjigj?

Më tha: “Faleminderit dhe veç vazhdo të punosh”.

Nuk tha asgjë për festimin?

Atë moment në fund të ndeshjes jo, por në pushim, pasi dolëm në fushë për të dytën më tha diçka.

Çfarë?

Më tha: “Festimi siuuu”. Dhe ma bëri me gisht duke buzëqeshur.

Kur e bëtë festimin, çfarë reagimesh vutë re nga lojtarët e Juventusit?

Nuk kujtoj asgjë dhe nuk është se kam vënë re ndonjë gjë të veçantë. Të gjithë ishin të befasuar që ne shënuam. Si lojtarët e Juves, por edhe nga ekipi ynë u habitën.

Çfarë do të bëni me fanellën që i morët Ronaldos?

Do ta ruaj kujtim. Do ta mbaj gjithmonë në dhomën time.

Çfarë ju bëri përshtypje nga Juventusi, që vuajti për të gjetur golin e fitores deri në fund?

Ata kanë një kualitet shumë të lartë. Janë lojtarë shumë të mirë dhe është bukur të përballesh me ta, sidomos në të tilla kushte kur ndeshja është e hapur deri në fund.

Ishte goli i parë i një ekipi hungarez në Torino ndaj Juves. Si është pritur në Hungari dhe çfarë komentesh janë bërë?

Të gjithë më kanë shkruar dhe më kanë mbështetur shumë. Është pasqyruar mirë goli dhe paraqitja që kam bërë.

Sa mesazhe urimi keni marrë dhe cili është më i veçanti?

Kam marrë pa fund mesazhe urimi, si asnjëherë më parë. Gjej mundësinë që t’i falënderoj të gjithë për këto SMS. Vërtet ju falem nderit të gjithëve për mbështetjen që më jepni.

Uzuni

Ka ndërruar jetë një legjendë si Diego Armando Maradona. Çfarë ndjesie është për një futbollist, edhe pse jeni i ri në moshë dhe nuk e keni arritur ta shihni të luajë?

Të gjithë kemi dëgjuar për Maradonën dhe jo të gjithë kanë pasur fatin ta ndjekin karrierën e tij. Për fatin tim të keq, unë kam ndjekur vetëm disa video në internet. Largohet një legjendë nga kjo jetë dhe na vjen keq të gjithëve, pasi ai lojtar ka lënë histori me klasin dhe talentin e tij.

E keni pasur idhull Ronaldon dhe shënuat përballë tij, një ëndërr e përmbushur. Po tani, çfarë ëndrre keni shënuar për ta realizuar?

Ajo ishte një ëndërr që nga fëmijëria. Ai ishte dhe është motivimi im më i madh, pasi edhe Ronaldo ka vuajtur dhe me shumë punë ia doli. Ëndrra ime tani është që të luaj në nivele të larta dhe të jem lider në Kombëtaren shqiptare.

Shpesh lodhja dhe gëzimi të lënë pa gjumë. Si fjetët pas ndeshjes dhe kur ju ka zënë gjumi?

Të them të drejtën nuk kam fjetur fare (qesh…). Ishte gëzim shumë i madh dhe kam qëndruar pa gjumë. Edhe fluturimin për në Hungari e kishim shpejt, ndaj thuajse nuk fjeta fare.

OLSI TUJANI-PANORAMASPORT.AL




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/