EKSKLUZIVE/ “Nuk festoj nëse shënoj kundër Tiranës”, Taulant Seferi nxjerr sekretet: Do t’i sulmojmë, por kujdes nga… bari (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 20, 2020 | 20:47

EKSKLUZIVE/ “Nuk festoj nëse shënoj kundër Tiranës”, Taulant Seferi nxjerr sekretet: Do t’i sulmojmë, por kujdes nga… bari (E PLOTË)

Një shqiptar do të presë Tiranën në Bernë. Në mos si kundërshtar në fushën e lojës, si një i tillë në shkallët e stadiumit prej 32 mijë vendesh, i dyti për nga numri i stolave në Zvicër. Bëhet fjalë për Taulant Seferin. Pak ditë më parë, 24-vjeçari u prezantua në zyrat e Jong Bojs si një rikthim nga huazimi. Në intervistën ekskluzive për “Panorama Sport”, sulmuesi i Kombëtares tregon se nuk është vendosur ende përfundimisht nëse në edicionin e ri do të qëndrojë pjesë e këtij ekipi apo drejtuesit do të vendosin huazim për një tjetër sezon.
taulant-seferi-1

Taulant Seferi rrëfen si është ndjekur Tirana nga klubi helvet dhe mbi të gjitha detajin e rëndësishëm që i pret bardheblutë në ndeshjen “play off”: fusha sintetike. Seferi shpjegon stilin e lojës dhe çfarë pritet të bëjë Jang Bojs përballë bardhebluve, por nuk harron të nënvizojë se me gjithë synimet për të kaluar më tej, respekton Tiranën për çfarë ka treguar ndaj Crvena Zvezdës. “Nëse shënoj, nuk do të festoj”, deklaron ndër të tjera sulmuesi kuqezi.

Taulant, jeni rikthyer te Jang Bojs, si e gjeni këtë skuadër?

Po, jam kthyer në këtë fillim sezoni dhe përgatitjet po shkojnë shumë mirë. Ekipi tani është në formë dhe e kemi marrë shumë seriozisht fazën përgatitore, për t’u bërë gati siç duhet për sezonin që na pret. Unë besoj që momentalisht ekipi është në superformë.
unnamed
Si e ndieni veten, pasi keni marrë minuta në ligën e dytë në sezonin e fundit, a mendoni se jeni gati për të përballuar elitën?

Them se po. Unë personalisht po ndihem shumë mirë. Te Jang Bojs më kanë pritur shumë mirë dhe jam duke u stërvitur maksimalisht, që të jap më të mirën time në çdo seancë.

A do të jeni pjesë e ekipit për sezonin e ri, nisur nga roli që bëni dhe fakti që nuk ishit në ndeshjen e Europa Ligës?

Unë jam sulmues dhe trajneri për momentin në stërvitje më ka vendosur në rolin e qendërsulmuesit, për vetë cilësitë që kam dhe ai më njeh mirë. Sa i përket vijimësisë, unë kam kontratë deri në vitin 2022 me Jang Bojs. Me drejtuesit jemi duke biseduar për hapin tim të radhës. Nuk është ende e sigurt nëse do të qëndroj te ky ekip apo do të vendoset që të huazohem edhe për një sezon tjetër.
Tirana Crvena
Tirana do të jetë kundërshtari i Jang Bojs në “play off” të Europa Ligës. Si e pritën në klub?

I gjithë ekipi po e pret ndeshjen “play off” të përgatitur. Tirana duhet përgatitur me kujdes, pasi është një ekip që ka cilësi dhe që luan mirë futboll. Ne kemi ndjekur edhe ndeshjen e saj kundër Crvena Zvezdës, në të cilën ka treguar karakter dhe po e përgatisim mirë këtë ndeshje ndaj tyre.

Ju pyetën në ekip rreth Tiranës, meqenëse ju jeni i vetmi shqiptar?

Jo, sot (dje) jo. Besoj që nesër (sot) do të bisedojmë me drejtuesit rreth Tiranës dhe cilësive që ka ekipi shqiptar.

Cila është pika e fortë e Jang Bojs?

Ekipi është i fokusuar në lojën sulmuese. Unë besoj këtë do të bëjmë edhe kundër Tiranës. Do ta sulmojmë.

Çfarë sistemi preferon kryesisht ky trajner?

Në fakt, Jang Bojs luan zakonisht me skemën 4-4-2. Mirëpo, për ndeshjen me Tiranën nuk di ta them ende me saktësi se cili mund të jetë moduli me të cilin do të përballemi ndaj saj.

Jang Bojs luajti vite më parë ndaj Skënderbeut. Si shihet në ekip diferenca mes Tiranës dhe Skënderbeut?

Ndaj Skënderbeut nuk ishte një ndeshje shumë e rëndësishme, ndërsa kjo ndaj Tiranës do të jetë shumë më tepër, pasi bëhet fjalë për kualifikimin ose jo në fazën e grupeve. Sigurisht që në këtë takim duhet më shumë kujdes.

Fakti që luhet në Zvicër, është presion i shtuar për Jang Bojs apo më shumë ndihmë?

Unë besoj se është ndihmë më tepër, për shkak se ne do të jemi në shtëpi dhe e njohim fushën artificiale në të cilën do të luhet ky takim, shumë herë më mirë sesa Tirana.

Nëse do të jeni në fushë dhe shënoni, a do të festonit për golin?

Nëse ndodh kjo, që të luaj dhe të shënoj ndaj Tiranës, nuk do të festoja.

OLSI TUJANI – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"