EKSKLUZIVE/ Nuk është paraqitur as në stërvitjet e skuadrës, mbrojtësi drejt largimit nga Kukësi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 20, 2022 | 14:45

EKSKLUZIVE/ Nuk është paraqitur as në stërvitjet e skuadrës, mbrojtësi drejt largimit nga Kukësi

Shumë prej lojtarëve të Kukësit pritet të mos jenë pjesë e skuadrës për edicionin e ardhshëm dhe njëri prej tyre në prag divorci është pikërisht mbrojtësi i krahut të majtë, Emiljano Musta.

EMILJANO MUSTA KUKESI TEUTA 1

Lojtari që nisi sezonin me Partizanin dhe u rikthye te verilindorët në merkaton e janarit, me shumë gjasa do ta mbyllë më shpejt nga sa pritej aventurën me këtë skuadër.

Në dy ndeshjet e fundit, elbasanasi nuk është grumbulluar nga trajneri Diego Longo, pikërisht në takimet me Vllazninë dhe Dinamon.

Nga klubi nuk raportohet për ndonjë dëmtim të mbrojtësit dhe arsyet e tij janë teknike, me italianin që nuk e sheh më si të domosdoshëm për skuadrën e tij, paçka se ka bërë elozhe pa fund në momentin që Musta u afrua te Kukësi.

Lojtari pritet të mungojë edhe ndaj Skënderbeut këtë të shtunë, duke bërë që rrugët të ndahen përfundimisht.

“Panorama Sport” mëson se Musta nuk është parë as në stërvitjet e ditëve të fundit.

Në një situatë të tillë, duket se palët janë drejt zgjidhjes me konsensus të marrëveshjes.

30-vjeçari mund të cilësohet si largimi i radhës nga verilindorët pa u mbyllur sezoni, pasi më herët ndërpreu bashkëpunimin edhe mesfushori Ardit Hila.

PRAPASKENAT

Mungesa e Mustës në dy ndeshjet e fundit nuk ka kaluar pa u vënë re, sepse bëhet fjalë për një lojtar kyç në ekipin e Kukësit, i cili erdhi në kampin verilindor për të qenë titullar.

Mirëpo, ka mjaftuar vetëm një postim i Ardit Hilës në rrjetet sociale, së bashku me Mustën, me këtë të fundit që e ka rishpërndarë, për të sjellë një nevrikosje të Longos, i cili e ka marrë si provokim ndaj tij.

Që nga ajo kohë marrëdhëniet u ftohën dhe italiani nuk ka preferuar as ta mbajë në pankinë Mustën, por e ka dërguar në tribunë.

Gjatë këtyre ndeshjeve, elbasanasi është preferuar shpesh në rolin e sulmuesit të krahut, duke mbuluar boshllëqet që trajneri kishte në organikë në fazën ofensive.

Megjithatë, ndeshja me Vllazninë duket se i vuri vulën edhe largimit dhe tani mbetet vetëm konfirmimi nga palët për ndërprerjen e bashkëpunimit, i cili zgjati vetëm pesë muaj.

Për të përforcuar këtë gjë, Musta mungoi edhe në përballjen ndaj Dinamos, duke konfirmuar një krisje mes palëve.

30-vjeçari është pëlqyer shumë nga Longo në fillim, pasi mund të bënte disa role, por me kalimin e kohës gjërat ndryshuan.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"