EKSKLUZIVE/ “Nuk e mendoj largimin nga Skënderbeu”, rrëfehet Taipi: Ndaj Tiranës luajmë për fitore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 18, 2019 | 16:35

EKSKLUZIVE/ “Nuk e mendoj largimin nga Skënderbeu”, rrëfehet Taipi: Ndaj Tiranës luajmë për fitore

Skënderbeu mbetet e tashmja dhe ndoshta edhe e ardhmja e Shqiprim Taipit. Mesfushori shqiptar nga Maqedonia e Veriut tregon se nuk e mendon largimin nga Korça, pasi ai mund të rritet më shumë. Në kushte të tilla, në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport”, Taipi pohoi se është i përqendruar vetëm te kampionati në vazhdim, si dhe analizon edhe luhatjet e Skënderbeut në këto 12 javë.shqiprim taipi

Ekipi nuk ka vijimësi në kampionat, humbet brenda dhe fiton jashtë. Çfarë nuk shkon te Skënderbeu?

Nuk ka asgjë që nuk shkon, por ky kampionat po bëhet i gjithi i tillë, i çuditshëm. Plus kësaj, mund të themi se mungesa e përqendrimit te disa ndeshje na çon që të mos marrim atë që duam nga një 90-minutësh. Nga ana tjetër, bie në sy edhe fakti se asnjë ekip nuk po mban vijimësinë në këtë fazë të parë. Askush nuk po del si ekipi pretendent për titull, që të bëjë rezultate pozitive radhazi.

Në ndeshje të caktuara Skënderbeu luan mirë dhe zhvillon futboll të bukur…

Po, është e drejtë, por duhet të keni parasysh faktin që në të gjitha këto ndeshje të luajtura shumicën prej tyre kemi pasur probleme me dëmtimet dhe pezullimet, ndaj ekipi ka ndryshuar shpesh fytyrë. Ky është një problem që sjell mospërshtatjen si duhet në lojë.

Ekipi pëson shumë dhe shënon pak. A e shihni si problem?

Pa dyshim vlen ajo që thashë më sipër, duhet të përmirësohemi. Trajneri insiston te tranzicioni negativ, të cilin duhet ta përmirësojmë. Nuk dua të ndaj në grupe ekipin dhe të vendosim se e kujt do të jetë përgjegjësia për pësimin apo mosshënimin e golit. Unë them se duhet të jemi grup, si në mbrojtje dhe në sulm, gjë që e tregoi më së miri edhe ndeshja me Kukësin, si dhe shpirti i garës me Bylisin. Te këto dy ndeshje duhet të mbështetemi si pikënisje për në vazhdim.

Ndaj Tiranës ju do të mungoni. A i ka mundësitë Skënderbeu për fitoren në këtë takim?

Në ndeshjet e fundit ne kemi kërkuar të marrim gjithnjë maksimumin. E them këtë, pasi Skënderbeu kudo shkon për të fituar, aq më tepër në fushën e vet. Tirana ka ndryshuar trajner dhe është kthyer në një ekip të rrezikshëm. Do ta shohim në video dhe do të gjejmë zgjidhjen e duhur për mënyrën e lojës.

Si ndihet Taipi me Asion Dajën në mesfushë?

Ndihem mjaft mirë, pasi ai është një lojtar që lëviz shumë dhe të mbulon gabimet që mund të bësh. Kombinohemi mirë dhe them se mund të përmirësohemi akoma. Tashmë mbetet për t’u parë se si do të kuptohemi në vijim, por impakti i parë ka qenë tejet pozitiv. Mungesa e tij në dy ndeshjet e fundit na ka penalizuar mjaft. Tani do të mungoj unë. Prandaj, them se kjo problematikë na e bën më të vështirë takimin.shqiprim taipi

A e mendoni edhe një tjetër sezon në Korçë apo po shikoni për ndonjë mundësi për të lëvizur?

Te Skënderbeu jam mirë dhe nuk kam pse të kërkoj destinacion tjetër. Është një klub që të respekton dhe të jep vendin e duhur. Unë e shoh si mundësi të mirë të rritjes sime të mëtejshme dhe nuk kam pse të kërkoj destinacion tjetër. Megjithatë, deri në fund të sezonit është herët për të folur për të tilla gjëra. Duhet të jemi të përqendruar te fusha fillimisht.

Llazi Saro

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"