EKSKLUZIVE/ “Nuk e kisha parashikuar”, Kapllani zbërthen surprizën Erzeni: Nuk dorëzohemi ndaj askujt

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 27, 2022 | 8:10

EKSKLUZIVE/ “Nuk e kisha parashikuar”, Kapllani zbërthen surprizën Erzeni: Nuk dorëzohemi ndaj askujt

Erzeni ishte surpriza më e bukur e 12 javëve të para të këtij kampionati. Të mendosh që klubi shijakas ishte i fundit që u organizua për të përballuar këtë sezon Superioren dhe tashmë e sheh veten në vendin e tretë me 20 pikë, është pa diskutim një mrekulli. Ecuria fantastike i dedikohet sigurisht trajnerit Xhevahir Kapllani, që bashkë me stafin e tij dhe drejtuesit, ditën të bënin zgjedhjet e duhura për të formuar nga e para një skuadër të denjë për elitën e futbollit shqiptar. Trajneri durrsak ka folur dje ekskluzivisht për “Panorama Sport” rreth këtij rrugëtimi që po rezulton i jashtëzakonshëm deri më tani. Kapllani tregohet modest, ndërsa kërkon që ekipi të qëndrojë larg euforisë, pasi objektivi i klubit mbetet i njëjtë: sigurimi sa më parë i mbijetesës në Kategorinë Superiore.

XHEVAHIR KAPLLANI

Nga organizimi me vonesë në verë te vendi i tretë dhe vetëm dy pikë larg kreut. Besoj se nuk e kishit parashikuar kurrë këtë ecuri në krye të Erzenit?
Sigurisht që këtë rrugëtim nuk e kisha parashikuar sepse siç dihet, Erzeni u formua vetëm dy javë para fillimit të kampionatit, atëherë kur ekipet e tjera të Superiores po përfundonin fazën e tyre përgatitore. Megjithatë, kjo është një meritë e plotë e lojtarëve, stafit dhe drejtuesve për punën e palodhshme dhe bashkëpunuese.

Duke pasur disa faktorë kundër, çfarë ju bindi të merrnit drejtimin e ekipit në atë situatë të vështirë?
Ishte një sfidë shumë e madhe për mua, por jo e pamundur. E kam pranuar rolin e trajnerit të Erzenit me shumë kënaqësi, edhe pse faktori kohë ishte kundër. E ndieja veten gati për të drejtuar një ekip në Superligë, për më tepër që në Shijak kam kontribuar dikur edhe si futbollist.

Cili ishte sekreti i merkatos dhe si u bë e mundur që këta lojtarë në pak kohë të funksiononin në harmoni me njëri-tjetrin?
Ka qenë një punë kolosale, ku në kohë rekord arritëm të zgjidhnim lojtarët e duhur për të formuar ekipin. Falë Zotit ia dolëm të bënim zgjedhjet e duhura, ku harmonia dhe entuziazmi mbizotërojnë në skuadër.

Nuk u prononcuat pas fitores së fundit ndaj Teutës. Ishte emocionale kjo ndeshje për ju?
Natyrisht që ishte emocionale, pasi si një ish-lojtar i Teutës nuk më vjen mirë ta shoh në ato pozita, sepse nuk e meriton. Gjithsesi, kam besim që do të ringrihen.

Përmbysja e rezultatit që bëri skuadra së fundmi në derbi për 15 minuta, ua shtoi edhe më shumë besimin për vazhdimësinë?
Kemi treguar karakter në ndeshjet e fundit, duke filluar nga ajo me Vllazninë, ku ishim në disavantazh të dy golave dhe ekipi nuk u dorëzua deri në minutën e 100-të, duke barazuar 2-2. Edhe në ndeshjen me Kastriotin sërish treguam karakter pasi pësuam të parët, ndërsa më pas kthyem rezultatin ndaj Teutës. Kjo tregon që ne e tentojmë fitoren deri në fund dhe nuk dorëzohemi ndaj askujt.

Pauza e kampionatit erdhi në momentin tuaj më të mirë, si e shikoni gjendjen e ekipit pas këtyre ditëve pushim?
Ekipi duket mirë, por kemi shumë nevojë për punën e përditshme me kokën ulur, sepse akoma s’kemi arritur asgjë. Kampionati është i vështirë dhe siç e kam theksuar, për ne çdo ndeshje është finale dhe duhet t’i marrim një nga një.

erzeni

Do të luani ndaj Partizanit më 11 ose 12 dhjetor, deri atëherë do të zhvilloni ndonjë miqësore për të testuar gjendjen e ekipit?
Do të kryejmë një ose dy miqësore, duke parë edhe gjendjen e skuadrës. Sigurisht që jemi të fokusuar ndaj Partizanit, sepse siç e dimë, kanë një skuadër me shumë kualitete dhe duhet të jemi në 100% tonë.

Mendoni se kampionati do të bëhet më i vështirë për ju në vazhdim, duke qenë se tani ka një tjetër vlerësim për Erzenin?
Po, ndeshjet sa vijnë dhe bëhen më të vështira, pasi ekipet janë të ngjeshura në tabelën e klasifikimit. Duhet të largojmë euforinë dhe të jemi me këmbë në tokë. Shpresojmë të bëjmë më të mirën tonë në çdo ndeshje, pasi cilësia dhe dëshira nuk mungojnë në skuadër.

Me skuadrat që kanë më shumë emër dhe histori keni luajtur më mirë dhe i keni mundur. Ndryshon motivimi i lojtarëve apo ka diçka tjetër?
Mendoj që motivimi ynë është njësoj me të gjitha skuadrat, pasi nuk nënvlerësojmë asnjë. Për ne të gjitha janë të forta. Nuk e kemi luksin të diferencojmë ekipet, sepse jemi një skuadër “e vogël” dhe me zemër të madhe. Në çdo ndeshje duhet të marrim 100%.

Duket sikur ky grup po i rrit të gjithë. Po ju si trajner e ndieni që nga ana profesionale tashmë keni fituar diçka më tepër?
Është eksperienca ime e parë në Superligë dhe sigurisht që çdo ditë që kalon rritem profesionalisht. Mund të jem trajner i ri në këtë nivel, por nuk jam i ri në trajnim. Falënderoj njerëzit që më dhanë këtë mundësi, sepse të gjithë kemi nevojë për një suport.

Në janar hapet merkatoja, për çfarë ka nevojë Erzeni?
Gjithmonë ka vend për t’u përmirësuar, por për momentin mendoj vetëm për ndeshjen e radhës, pasi ka ende kohë për merkaton.

Kanë ndryshuar objektivat e klubit pas këtij starti fantastik?
Objektivi madhor yni është ai që kemi thënë që në fillim: mbijetesa. Do të mundohemi t’i qëndrojmë atij synimi deri në fund.

Skema juaj e preferuar është 3-5-2 apo 4-3-3?
Duke u bazuar te lojtarët që kemi mundohemi të përshtatim skemën e duhur, në varësi edhe të ndeshjeve dhe të interpretimit të grupit.

Në stadiumin “Tofik Jashari” pritet të ketë një investim, në mënyrë që Erzeni t’i luajë ndeshjet në Shijak. Sa mund të ndikojë kjo në ekip?
Stadiumi i ri do të jetë një armë plus për ne, pasi tifozët e Shijakut janë lojtari ynë i 12- të. Gjej rastin t’i falënderoj për mbështetjen e zjarrtë që na kanë dhënë në çdo ndeshje, si në Durrës ashtu edhe në transfertë. Ata kanë qenë në numër të konsiderueshëm në çdo stadium.

RONALD FAJA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"