EKSKLUZIVE/ “Nuk e falja dhe ai më fuste miq”, Arsen Hoxha replikon me ish-sulmuesin e Dinamos: Shyqyri Ballgjini si Zhvejku, ja pse e ndëshkoja (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 16, 2021 | 23:53

EKSKLUZIVE/ “Nuk e falja dhe ai më fuste miq”, Arsen Hoxha replikon me ish-sulmuesin e Dinamos: Shyqyri Ballgjini si Zhvejku, ja pse e ndëshkoja (E PLOTË)

Arsen Hoxha nuk i ka pritur mirë deklaratat e ish-futbollistit të Dinamos, Shyqyri Ballgjini. Ky i fundit e cilësoi një arbitër të aftë, por abuzonte sepse, sipas tij, “Dinamo të firmoste pasaportën për të dalë jashtë shtetit”… Arsen Hoxha, ishgjyqtar i FIFA-s dhe ish-disenjator i arbitrave, i ka cilësuar krejtësisht të pavërteta këto deklarata duke e krahasuar Shyqyri Ballgjinin me Zhvejkun… “Kemi pasur përplasje kur ai ishte lojtar dhe unë arbitër, sepse ai ishte agresiv dhe sillej keq me arbitrat, përfshi edhe me mua. Por unë nuk e tolerova asnjëherë dhe në disa raste e kam nxjerrë jashtë fushës”, rrëfen ekskluzivisht për “Panorama Sport” Arsen Hoxha nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku jeton sot.

ARSEN HOXHA

Ish-futbollisti i Dinamos, Shyqyri Ballgjini, lëshoi një akuzë të rëndë ndaj jush. A mendoni se ka diçka të vërtetë në të?

Në ato që Ballgjini shprehu, m’u kujtua një thënie e famshme e ushtarit të mirë Zhvejk: “Ç’më duhet mua se çfarë them unë…”. Në 10-15 rreshtat e tij gjen jo më pak se 5 deklarime shumë kontradiktore me njëra-tjetrën. Në njëfarë forme, në atë studio ai u paraqit si një Zhvejk i kohëve moderne. Pranova të jap këtë intervistë vetëm në respekt të sportdashësve.

Ju e keni arbitruar për rreth një dekadë. Si kanë qenë marrëdhëniet mes jush?

Edhe pse qejfmbetjet e shoqërojnë arbitrin në profesionin e tij, unë në përgjithësi i kam kushtuar vëmendje të veçantë raportit të marrëdhënieve me lojtarët, drejtuesit, por edhe me sportdashësit. Unë isha në fillimet e karrierës sime në vitet ’70. Vetëm pas një viti, m’u besuan ndeshje të rëndësishme të Kategorisë së Parë, FSHF-ja më akordoi titullin e gjyqtarit ndërkombëtar. Ashtu sikurse e kanë thënë edhe mjaft opinionistë, unë që në hapat e parë u paraqita si një arbitër krejt ndryshe.

Dallimi nga të tjerët ishte në mënyrën e lejimit të avantazhit, ndëshkimin e shkeljeve të bëra në zonën e penalltisë dhe veçanërisht në kontrollin e disiplinës. Shyqyri Ballgjini ishte i veçantë në pesëshen e famshme të sulmit të Dinamos me në krye Çeçon, Përnaskën, Zërin dhe Çirakun. Djem të talentuar dhe të sjellshëm. Ballgjini ishte krejt ndryshe. Ai ishte agresiv, kundërshtonte dhe kryente akte antisportive veçanërisht me arbitrat.

Ky ishte shkaku që në shumë ndeshje ai u ndëshkua rëndë prej meje. Një ditë vjen në shtëpinë time i ndjeri Arian Alia, një kushëriri im. Ai m’u lut që të pranoja të bënim një takim me Ballgjinin, pasi ai ndihej sikur nuk e kishte dashamirësinë time! Me sa më kujtohet, u takuam para hotelit “Arbëria” në Tiranë. Pasi folëm gjatë, arritëm marrëveshjen se ai do të ndryshonte komplet mënyrën e sjelljes të tij me mua si arbitër. Biseda e realizoi qëllimin dhe deri në fund të karrierës ne kemi pasur marrëdhënie të mira me njëri-tjetrin.

hoxha ballgjini

Zoti Ballgjini ndër të tjera tha se ju keni qenë një arbitër profesionalisht shumë i mirë, madje arbitri më i përgatitur nga ana teorike, por abuziv. Sipas tij, nga njëra anë i kultivonit vetes se ishit një tifoz i Dinamos, kur ndërkohë në 9 vjet, ai nuk mban mend një ndeshje të vetme të jetë favorizuar Dinamo prej jush. Çfarë mendoni në lidhje me këtë?

Duke qenë një kopje e ushtarit të mirë Zhvejk dhe i udhëhequr nga parimi zhvejkjan “Ç’më duhet mua se çfarë them unë”, ai mendon se ka të drejtën të thotë çdo gjë edhe kur nuk kanë fare lidhje me njëra-tjetrën. Unë asnjëherë të vetme nuk kam deklaruar se jam tifoz i Dinamos, Tiranës, Partizanit apo ndonjë ekipi tjetër, sepse isha tifoz vetëm i suksesit të Arsen Hoxhës, nderit, autoritetit dhe dinjitetit të tij, të familjes dhe shoqërisë që ai përfaqësonte.

Kur ai thotë se në 9 vjetët e karrierës së tij, asnjëherë të vetme nuk parë të favorizohej ekipi i tij prej meje, merreni me mend se sa qëndron ai “abuzimi” im. Nëse ndonjëri prej sportdashësve është kureshtar të dijë se me kë ka qenë Arsen Hoxha simpatizant, po ju them shumë sinqerisht se kjo ka qenë gjithmonë e lidhur ngushtë me gjendjen sportive të ekipeve të ndryshme, në periudha të ndryshme. Aq sa kam qenë me Tiranën, po aq kam qenë me Partizanin, Dinamon, Vlorën, Shkodrën, madje një vit edhe me Korçën, pikërisht në kohën kur trajner ishte mjeshtri Aleko Pilika.

Më të kënaqur e ndieja veten kur gjykoja ndeshjet e Tiranës, sepse loja e ekipit të tyre përputhej më mirë edhe me mënyrën time të gjykimit, ku dallonte loja e fortë dhe burrërore, e ndërthurur me lojën e avantazhit. Sportdashësi i vërtetë duhet ta kuptojë mirë se edhe arbitri është njeri, edhe ai ka simpatitë e tij, por e rëndësishme është që arbitri të mos ndikohet prej tyre në gjykimin e ndeshjeve. Në rastet që unë në 9 vjetët e Ballgjinit nuk e favorizova asnjëherë ekipin e Dinamos, nuk do të thotë se paskam qenë ashtu siç më përcakton ai, “abuziv”.

Ballgjini e ka vazhduar edhe më tej kritikën ndaj jush, duke thënë: “Si arbitër (Arseni) ka qenë shumë i mirë, por si karakter jo. Dhe pse e bënte këtë!?

E bënte këtë punë, sepse Dinamo të firmoste pasaportën për të dalë jashtë shtetit”. Komenti juaj për këtë? Duke folur me këtë gjuhë, Ballgjini në radhë të parë fyen rëndë kolegët e tij futbollistë, drejtuesit dhe vetë klubin që ka përfaqësuar. Me ato që thotë, të krijohet përshtypja e rreme se rezultatet e Dinamos, në atë periudhë të lavdishme kohe që ai ka luajtur, nuk paskan ardhur si pasojë e atij grupi shumë të talentuar që ka pasur në gjirin e saj, si Sejdini, Çeço, Çiraku, Xhafa, Çoçoli, Përnaska, Zëri, Luarasi, Rama, Mërgjyshi, Gjinali, Marko, Bregu, Dautaj (Hazbiu) etj., por paskan ardhur nga përkrahja e arbitrave për të siguruar një firmë në pasaportë për të dalë jashtë shtetit?!

ARSENI

Në mungesë të kulturës së tij të përgjithshme, ai pranon se ishte ekipi i Dinamos që përcaktonte se cili arbitër do të shkonte jashtë shtetit dhe cili jo, kur në fakt me këtë punë merrej Komisioni TeknikoArbitrar dhe zyrtarët e tij që bënin projektet, si dhe Komiteti i Kulturës Fizike e Sporteve që merrte vendimin përfundimtar. Nuk ka as edhe një rast të vetëm që të ketë ndodhur ndryshe. Procedurat ishin tepër korrekte.

Dokumentacioni i dërgohej Komitetit Ekzekutiv të rrethit ku banonte arbitri, që veç opinionit të tyre, merrnin edhe atë të Degës së Punëve të Brendshme. Më pas, riktheheshin në Komitetin e Kulturës Fizike dhe Sporteve prej të cilit përcilleshin në Drejtorinë e Vizave të Ministrisë së Punëve të Brendshme ku merreshin pasaportat. Nuk ka as edhe një rast të vetëm, që vendimet e organit sportiv të jenë kthyer mbrapsht. Pra, vizat e pasaportave asnjëherë nuk kanë kaluar nëpër dyert e zyrave të Dinamos, që arbitrat të ishin të trembur e të thyheshin prej saj.

Në gjirin e arbitrave më të mirë shqiptarë ka pasur disa me të famshmin problem të biografisë, si p.sh. Dhori Prifti, Tef Prela, Tahir Kastrati e ndonjë tjetër, por asnjëherë të vetme nuk kemi parë që arbitrat e mësipërm të shkelnin mbi dinjitetin e tyre njerëzor e familjar, thjesht për një rrugë jashtë shtetit. Madje, gjithmonë arbitruan shumë mirë dhe me shumë dinjitet. Nga tifozë ordinerë kemi dëgjuar përgojime të tilla si këto të Ballgjinit, por t’i dëgjosh këto nga një futbollist i nivelit të lartë është një turp i madh. Kur Ballgjini thotë se 9 vjet unë nuk e kam favorizuar as edhe një herë të vetme Dinamon, por kam shprehur mungesë karakteri për të marrë vizën, ai duhet të shpjegojë se çfarë rruge tjetër ka pasur për t’iu nënshtruar Dinamos?!

Dua t’i them Ballgjinit se nëse ka pasur njeri që në mënyrë absolute nuk ka pasur nevojë për ndihmën e një zyrtari në zyrat e Dinamos apo të Ministrisë së Punëve të Brendshme, kam qenë unë, Lulzim Konçi apo dhe ndonjë tjetër. Kjo, sepse unë isha anëtar i PPSH dhe njëkohësisht shef i Seksionit të Punës në Komitetin Ekzekutiv të rrethit Fier.

Asnjëherë nuk kam kryer vepër penale apo mashtruese. E nëse nuk do ta kisha unë rrugën e hapur për të shkuar jashtë shtetit, kush do ta kishte vallë? Shyqyriut, mikut tim të vjetër, do t’i rekomandoja të qëndrojë më afër vëllait të tij, Haxhiut të mrekullueshëm, ish-futbollistit model dhe njeriut të përsosur, për t’u bërë më miqësor dhe më realist në marrëdhëniet me të tjerët, edhe pse gjatë jetës mund të kesh pasur ndonjë moment jo të pëlqyer.

ILIR CARA – PANORAMASPORT.AL

*Kjo intervistë është ekskluzivisht për “PanoramaSport.al’. Riprodhimi i saj nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë dhe pavendosur hiperlinkun e artikullit origjinal do të ndiqet në rrugë ligjore.

LEXO EDHE:

Shyqyri Ballgjini kujton Arsen Hoxhën: Ishte abuziv, e bënte se Dinamo të firmoste pasaportën për jashtë

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"