EKSKLUZIVE/ “Nuk dorëzohem, një ditë do e them pse u ktheva”, kapiteni i Kukësit: Më mirë të lërë futbollin kush nuk…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 22, 2023 | 8:25

EKSKLUZIVE/ “Nuk dorëzohem, një ditë do e them pse u ktheva”, kapiteni i Kukësit: Më mirë të lërë futbollin kush nuk…

Te verilindorët është kthyer qetësia pas rik thimit në stërvitje të vëllezërve Taipi. Në Kukës, tani kërkojnë që të lënë pas çdo histori dhe të shohin përpara, me synimin për t’u rikthyer te fitorja që këtë javë me Erzenin, nesër në orën 13:00. Për gjithë situatën që ka pasuar gjatë javës, flet ekskluzivisht për “Panorama Sport” kapiteni Gjelbrim Taipi. Ai nuk e konsideron shumë tragjike atë që ndodhi këtë javë, por pohon se është rikthyer më i fortë se kurrë. 30-vjeçari beson te kthesa që këtë javë me Erzenin, pasi Kukësi i ka kapacitetet për t’ia arritur. Sa i përket objektivave, Gjelbrimi, pohon se do të synojnë largimin nga zona e ftohtë dhe më pas do të mendojnë për më lart.

gjelbrim taipi

Gjelbrim, një javë e trazuar me lajme e pezullime për ju dhe Shqiprimin. Si qëndron e vërteta?

Është e vërtetë që ka qenë një javë jo e mirë dhe ndonjëherë ndodhin gjërat. Pozita në të cilën ndodhemi bën që futbollistët të jenë të nxehur. Nuk ishte aq e madhe sa është përfolur në media. E rëndësishme është që ne jemi rikthyer në stërvitje për të ndihmuar ekipin që të largohemi nga vendi i fundit. Një ditë do të them edhe arsyen pse jam rikthyer ta ndihmoj ekipin, në detaje. Të paktën, të mos jemi ne të parët që të dorëzohemi dhe t’ia dëshmojmë gjithë tifozëve dhe qytetit të Kukësit se do t’ia dalim ta dërgojmë ekipin aty ku e ka vendin.

Sa e vështirë është kjo situatë për një ekip si Kukësi, që nuk është mësuar të jetë në këto nivele?

Normalisht që është e vështirë, pasi shumica e lojtarëve ndoshta nuk kanë qenë në këto lloj situatash. Ka sfida të vështira, por jo të pamundura. Unë besoj se do t’ia dalim.

Keni besim se do të dilni shumë shpejt nga kjo situatë?

Patjetër. Një ekip apo një futbollist që nuk ka besim te vetja, atëherë nuk duhet të luajë fare futboll. Besoj se kjo pozitë është momentale.

Nesër luani me Erzenin, si e shihni këtë ndeshje?

Erzeni është një skuadër shumë e mirë, që di të luajë mirë futboll. E ka treguar në çdo ndeshje dhe duhet pasur shumë kujdes, sepse shumicën e ekipeve i ka vendosur në vështirësi dhe i ka dominuar. Nuk është rastësi që mban atë pozicion në klasifikim.

Kanë mbetur edhe shumë javë kampionat, cilat janë objektivat realë të Kukësit?

Si fillim ne duam që të largohemi nga vendi i fundit. Më pas mundësitë janë që hap pas hapi të ngjitemi në klasifikim, pasi ka shumë ndeshje. Gjithashtu, garojmë edhe në Kupë.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"