EKSKLUZIVE/ “Nuk do të jetë e lehtë ngjitja në Superiore për Flamurtarin”, Daniel Xhafaj: Dikur jemi mbajtur me akademinë (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 9, 2020 | 23:48

EKSKLUZIVE/ “Nuk do të jetë e lehtë ngjitja në Superiore për Flamurtarin”, Daniel Xhafaj: Dikur jemi mbajtur me akademinë (E PLOTË)

Daniel Xhafaj ndien dhimbje për rënien matematikore të Flamurtarit nga Kategoria Superiore. Në një intervistë për “Panorama Sport”, sulmuesi vlonjat apelon për një strategji të qartë për ringritjen e ekipit, edhe pse nuk do të jetë e lehtë, sipas tij.

Xhafaj Flamurtari

Xhafaj thotë se bashkia dhe administratori i klubit duhet të lënë pas të kaluarën e të punojnë bashkë për ta sjellë sa më shpejt Flamurtarin në Superiore. Sulmuesi e cilëson rrëzimin e kuqezinjve nga elita si një humbje të madhe. Financat e shëndosha dhe baza te akademia vlonjate janë rrugët që e ngjisin Flamurtarin në Superiore sipas Xhafajt.

Matematikisht Flamurtari ka zbritur në Kategorinë e Parë. Si e ka përjetuar Daniel Xhafaj këtë situatë?

Normalisht që më vjen shumë keq që Flamurtari ka rënë tashmë matematikisht nga kategoria. Kam një keqardhje dhe një dhimbje të madhe, për shkak se ai është një klub me traditë, është ekipi i qytetit tim, aty ku unë jam aktivizuar dhe kam dhënë maksimumin në fushë, duke derdhur djersë për atë fanellë.

Daniel Xhafaj

E si të ndihesh në të tillë situate? Normalisht që ndihesh shumë keq. Rënia e Flamurtarit në Kategorinë e Parë është një humbje e madhe për futbollin në Shqipëri dhe për më tepër për Vlorën. Ajo stemë është një pjesë e krenarisë së qytetit. Rënia e Flamurtarit është një lajm i keq për Kategorinë Superiore, pasi nuk do të ketë bukurinë që duhet.

Kush mban përgjegjësi për rënien e Flamurtarit nga Superiorja?

Shkaqet janë shumë dhe janë disa faktorë. Unë them se pjesa drejtuese e klubit, njerëzit që drejtojnë, aksionerët të mësojnë nga gabimet dhe të bëhen bashkë për të vendosur për të ardhmen e klubit. Duhet të hedhin themelet e një klubi që të ketë vazhdimësi. Bashkia e Vlorës së bashku me administratorin aktual Sinan Idrizi të ulen, të punojnë fort e të bëjnë një strategji.

Cila duhet që të jetë kjo strategji për ta kthyer Flamurtarin në elitë?

Kryesorja është akademia. Ajo është baza dhe e ardhmja e një klubi. Duhet investim te brezi i ri. Vlora historikisht është mbajtur për talente dhe ka pasur futbollistë me të ardhme dhe që janë bërë dikushi. Klubi dhe drejtuesit duhet që të ringrenë akademinë dhe të hedhin themelet, me qëllim që të kenë një të ardhme të mirë.

Dakord, por klubi ka shumë probleme financiare. Mendoni se do të ndikojnë këto për të ardhmen?

Financat janë problem kudo dhe sjellin kriza sociale dhe besimi. Ashtu si në çdo familje, kështu ndodh edhe në futboll nëse nuk ka financa. Por, u takon atyre që kanë shpenzuar deri tani te Flamurtari që të mendojnë për një projekt për të mirën e këtij klubi. Patjetër që financat janë kryesore për baza të shëndosha në një klub dhe për një ecuri të sigurt. Për këtë ata që drejtojnë Flamurtarin sot dhe pronarët e klubit të ulen e të diskutojnë për t’i zgjidhur këto çështje.
102597587_3057378130990427_4334705486435957738_n
Mbani mend që Flamurtari të ketë qenë në një situatë të tillë më parë?

Nëse na duhet që të kthejmë kokën mbrapa janë disa momente të vështira që ka kaluar klubi. Në sezonin 1997-1998 ishim në të njëjtat situata të vështira, nuk kishim financa të forta, por ekipi u mbajt nga lojtarët e akademisë. Vetëm dy lojtarë kishim nga jashtë dhe të tjerët ishin nga akademia. Në sezonin 2003- 2004 ka qenë e njëjta histori. Ishte ai brezi që fitoi kampionatin me të rinjtë dhe më pas u bë bazë e mirë për Flamurtarin për 4-5 vite.

Çfarë sugjeroni për ata që kanë mundësi t’i japin një zgjidhje Flamurtarit?

Të lënë pas të kaluarën. Të punojnë bashkë për një plan të qartë për ta ringjitur ekipin në Superiore në një kohë sa më të shpejtë.

Nuk do të jetë e lehtë të ngjitesh nga Kategoria e Parë?

Patjetër që jo. Nuk ka gjëra të lehta. Por, me një plan të mirë dhe objektiva të qarta, do të bëhet më e shpejtë ngjitja e Flamurtarit në elitë.

ERMAL SIKA 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"