EKSKLUZIVE/ “Nuabueze na prish punë”, Shpëtim Duro: Dënimi mund të ishte më i lehtë, është hera e parë që…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 18, 2021 | 9:36

EKSKLUZIVE/ “Nuabueze na prish punë”, Shpëtim Duro: Dënimi mund të ishte më i lehtë, është hera e parë që…

Të dyja klubet kanë preferuar që të mos e komentojnë vendimin e disiplinës për ngjarjen e ndodhur në ndeshjen Bylisi-Laçi. Në këtë linjë ka qenë edhe trajneri i skuadrës kurbinase, Shpëtim Duro, i cili edhe pas ndeshjes që e fitoi në Ballsh e shfaqi shqetësimin për mungesën e gjatë të Nuabuezes.

Shpetim Duro

Gjithsesi, për “Panorama Sport” trajneri Duro ka pranuar që shkurtimisht të flasë për ndëshkimin e sulmuesit të tij, i cili është pezulluar pa afat edhe nga klubi për veprimet antisportive që bëri në Ballsh.

“Nuk dua ta komentoj vendimin, por mund të them se është hera e parë që i ndodh Nuabuezes kjo gjë. Ndaj, mund të ishte një dënim më i lehtë për atë”, u shpreh fillimisht për gazetën trajneri i skuadrës kurbinase. Duke ditur që Laçi po kalonte një moment super në kampionat, ku për 2021-shin bardhezinjtë janë ekipi me rezultatet më të larta, pezullimi i gjatë i Nuabuezes, golashënuesi më i mirë i ekipit, është një goditje për vazhdimësinë.

Këtë gjë e pranon edhe vetë trajneri Duro, i cili vuajti shumë për ta pasur në dispozicion sulmuesin nigerian. “Pa dyshim mungesa e Nuabuezes na prish punë, pasi dihen vlerat e sulmuesit, i cili ishte në momentin e rigjetjes së formës. Pezullimi i tij vjen në momentin më të mirë të sulmuesit dhe skuadrës”, përfundoi trajneri Shpëtim Duro.

ILIR CARA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"