EKSKLUZIVE/ Një tjetër goditje në merkato nga Erzeni, shijakasit gati të firmosin me sulmuesin e talentuar nga Kosova

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 6, 2022 | 8:54

EKSKLUZIVE/ Një tjetër goditje në merkato nga Erzeni, shijakasit gati të firmosin me sulmuesin e talentuar nga Kosova

Ardit Iljazi është afrimi i radhës i Erzenit, duke e çuar në 13 numrin e lojtarëve që kanë ardhur te shijakasit në këtë merkato vere. Më parë ishin bërë pjesë e Erzenit emra si Dashamir Xhika, Gëzim Krasniqi, Klevis Hasanbelli, Ardit Peposhi, Fernando Armando dos Santos, Adnard Mehmeti, Enbija Shehu, Progon Maloku, Drilon Kryeziu, Amir Kahrimanoviç, Elis Doksani dhe Abjel Bejzade.

ERZENI

Iljazi është një qendërmbrojtës që mund të përshtatet edhe në krahun e djathtë të këtij reparti. 22- vjeçari vjen pas dy sezoneve me kampionët në fuqi të Maqedonisë së Veriut, Shkupin.

Në kampionatin e fundit, ku dhe fitoi titullin, Iljazi ishte në fushë 17 ndeshje me fanellën e Shkupit. Madje, ai ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit te skuadra shqiptare e Maqedonisë së Veriut.

Mbrojtësi i lindur në Gostivar ka firmosur zyrtarisht për shijakasit dhe menjëherë ka dalë në stërvitje nën urdhrat e trajnerit Xhevahir Kapllani.

Ndërkohë, “Panorama Sport” mëson se emri më i ri që mund të firmosë është sulmuesi i majtë nga Kosova, Mal Mehmeti. 20-vjeçari është pjesë e klubit kroat, Shibenik, prej dy sezonesh, ndërsa është grumbulluar edhe nga Kombëtarja U-21 e Kosovës.

mal mehmeti

Ai ka nisur stërvitjen me Erzenin, por mbetet për t’u parë nëse do të firmosë. Mehmeti luan në krahun e majtë dhe si futbollist është formuar në Prishtinë te akademia 2 Korriku. Më pas ka luajtur me Trepçen dhe për herë të parë në Kroaci ka qenë pjesë e të rinjve të Istrës.

Aktualisht drejtuesit shijakas janë fokusuar te përforcimi i repartit të sulmit. Po punohet edhe për huazimin e ndonjë sulmuesi të skuadrave elitare.

Ndërkohë, sot në orën 18:00 në stadiumin “Tofik Jashari” do të zhvillohet miqësorja me kampionët në fuqi të Tiranës.

RONALD FAJA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"